Kërko

Vatican News
Guido Reni, San Giuseppe Guido Reni, San Giuseppe 

Shën Jozefi: parë me sytë e Papës Françesku

Është festa e Shën Jozefit. Kremtohet çdo vit, po sivjet ka shije të veçantë e nisma të veçanta në të gjitha Kishat e botës, sepse është viti që i kushtohet pikёrisht Shёn Jozefit, Pajtorit qiellor tё Kishës katolike.

R.SH. - Vatikan

Është festa e Shën Jozefit. Kremtohet çdo vit, më 19 mars, por sivjet ka një shije të veçantë. Na kujton, së pari, se Papa Françesku, me rastin e 150-vjetorit të shpalljes së Shën Jozefit Pajtor i Kishës Katolike nga Papa Piu IX, më 8 dhjetor të vitit 1870, shkroi Letrën Apostolike titulluar Patris Corde” - “Zemër Ati”, me të cilën   shpalli edhe Vitin e posaçëm të Shën Jozefit , që do të përfundojë në dhjetor 2021. Gjatë këtij viti çdo besimtar, sipas shembullit të Shenjtit, mund ta forcojë ditë për ditë jetën e vet të fesë,  në përkim me vullnetin e Zotit.

Papa jep, me këtë rast, edhe ndjesën e plotë, që shtrihet edhe mbi pleqtë, të sëmurët në prag të vdekjes dhe të gjithë ata që nuk mund të dalin nga shtëpia. “Gjest i madh mëshire e kujdesi” - ky i Papës, që i nxiti Kishat  t’i mobilizojnë të gjithë besimtarët për ta bërë sa më ndjeshme praninë e Shenjtit në gjirin e familjeve të tyre edhe të shoqërisë.

Papa shpall “Vitin e Shën Jozefit”

 “Atë i dashur, atë në butësi, në bindje, në mirëpritje; atë i guximit krijues, punëtor, gjithnjë në hije. Me këto fjalë e përshkruan Françesku Shën Jozefin në Letrën Apostolike “Patris corde” - Me Zemrën e Atit”, botuar me rastin e 150-vjetorit të shpalljes së fatit të Marisë Pajtor i Kishës katolike. Në sfondin e kësaj Letre është edhe pandemia e Covid-19 që - shkruan Papa Françesku - na bëri ta kuptojmë vlerën e njerëzve të zakonshëm, atyre që, larg paraskenave, duke jetuar çdo ditë me durim, përhapin shpresën e të kujtojnë përgjegjësinë e përbashkët.

Pikërisht si Shën Jozefi: “burrë që kalon pa u vërejtur fare, njeri i pranisë së përditshme, të kujdesshme, të fshehur”. “E, pra, protagonizmi i tij është i pashembullt në historinë e shëlbimit”. Shën Jozefi  e shpreh konkretisht atësinë e tij, duke e dhuruar vetveten, përherë në shërbim të Mesisë. E prandaj është gjithnjë i shumëdashur nga populli i krishterë”. Në të “Jezusi pa dashurinë e Zotit Atë”, që e “mirëpret gjithnjë ligështinë tonë”, përmes së cilës realizon pjesën më të madhe të planeve të Tij hyjnore. Zoti nuk na dënon, por na mirëpret, na përqafon, na ndihmon, na fal. Jozefi është atë edhe kur i shtrohet plotësisht vullnetit të Zotit: me atë “fiat” - “u bëftë vullndesa jote”  i shpëton  Marinë e Jezusin”.

Atë i mirëpritjes

Njëkohësisht Jozefi është edhe “atë i mirëpritjes”, sepse “e mirëpret Marinë pa asnjë kusht paraprak”, “gjest i rëndësishëm edhe për sot - pohon Françesku - në një botë, ku dhuna psikologjike, verbale e fizike e gruas duket sheshit”. Por Fati i Marisë, duke besuar pa kushte në Zotin, i pranon në jetën e vet edhe ngjarjet, të cilat nuk i kupton, me një protagonizëm “guximtar e të fuqishëm”, që buron nga “forca e Shpirtit Shenjt”.

Përmes Shën Jozefit na duket sikur Zoti vetë na përsërit: “Mos kini frikë! Feja i jep kuptim çdo ngjarjeje, të gëzuar a të trishtuar”. Mikpritja e atit të kujtuar të Jezusit na fton edhe ne t’i mirëpresim të tjerët, pa asnjë përjashtim, ashtu si janë, me një dashuri të posaçme për të ligshtit. “Patris corde” vë pastaj në dukje “guximin krijues” të Shën Jozefit, që di ta shndërrojë problemin në mundësi, duke i kundërvënë gjithnjë besimin në Provaninë hyjnore. Ai i përballon “problemet konkrete të familjes së vet, siç bëjnë të gjitha familjet e tjera  të botës, posaçërisht emigratët”.

Rojtar i Kishës

Rojtar i Jezusit e i Marisë, Jozefi “nuk mund të mos jetë edhe roje besnike e Kishës”, e amësisë së saj dhe e Korpit të Krishtit: çdo nevojtar është “Foshnja” për të cilën kujdeset Jozefi. Prej tij mund të mësojmë ta duam Kishën, t’i duam edhe të varfërit.

Njeri i punës, e cila të jep bukë e dinjitet

Zdrukthëtar i ndershëm, fati i Marisë na mëson edhe vlerën e dinjitetit e gëzimin “që gurron nga zemra, kur ha bukën, fryt i punës së duarve tua”. Mënyra si e kupton punën dhe bukën e përditshme babai i Jezusit,  e nxit Papën për të bërë thirrje në favor të punës, sot “çështje sociale urgjente”, edhe në vendet me një farë niveli mirëqeniejeje. “Është e nevojshme ta kuptojmë - shkruan Françesku - domethënien e punës, që të jep dinjitet”, që “bëhet pjesëmarrje në vetë veprën e shëlbimit”, “rast realizimi” për vetveten e për familjen, “bërthamë fillestare e shoqërisë”.

Prej këndej, nxitja e Papës drejtuar të gjithëve “për rizbulimin e vlerës, të rëndësisë dhe të nevojës së punës”, që të mund të krijohen kushte normale, në të cilat asnjeri nuk duhet ta ndjejë veten i përjashtuar”. Duke parë posaçërisht përhapjen e ndjeshme të papunësisë nga shkaku i pandemisë së Covid-19, Papa i fton të gjithë të angazhohen  që të mund të thuhet: “Asnjë i ri, asnjë njeri, asnjë familje pa punë!”.

Atë nuk lindesh, bëhesh

“Atë nuk lindesh, bëhesh”- pohon akoma Françesku nësa kujton Shën Jozefin - “sepse nis të kujdesesh për një bir”, duke marrë mbi vete përgjegjësinë për jetën e tij. Për fat të keq në shoqërinë e sotme “shpesh bijtë duken si të ishin jetimë, si të mos kishin baballarë” të cilët u prijnë në rrugët e jetës, pa i ndaluar, a pa i “shikuar si të ishin pronë e tyre”, “por duke i bërë të aftë ta zgjedhin lirisht rrugën e jetës”. Në këtë kuptim Jozefi njihet si burrë “i dlirë”, që është “kundër  posedimit” e që përpiqet të edukojë bij të zotët për ta zgjedhur rrugën e  jetës, të lirë, të aftë të ecin me këmbët e veta”.

Si burrë, që diti ta vinte në qendër të jetës së tij Jezusin e Marinë, Shën Jozefi e gjen lumturinë “në dhurimin e  vetvetes”: kurrë i poshtëruar e gjithnjë plot besim, Jozefi hesht, nuk ankohet, po bën gjeste konkrete besimi. Figurë shembullore - kujton Papa - në një botë që ka aq shumë nevojë për etër e jo “për padronë”, nuk e pranon atë që e ngatërron “autoritetin me autoritarizmin; shërbimin me servilizmin, ballafaqimin me shtypjen, bamirësinë me asistencializmin, forcën me shkatërrimin”.

Urtia e prindërve të mirë

Në Shkrimin Shenjt e njohim Jozefin si njeri i drejtë, që e vë në jetë Ligjin, punëtor, i përvuajtur, i dashuruar me Marinë. Në çastin e parë, përballë së pakuptueshmes “mendon të hiqet mënjanë”, ta lërë të lirë vashën e zgjedhur… Por, më pas, “Zoti vetë ia zbulon misionin”. E kështu Jozefi e pranon detyrën e tij, rolin e tij! E pret dhe e shoqëron të Birin e Zotit në heshtje, pa gjykuar, pa përgojuar, pa shpërralluar:

“Duhet ta ndihmonte të lindej, të rritej e të zhvillohej. Kështu kërkoi, së pari, një vend ku të dilte në dritë. Pastaj e ndihmoi të rritej; i mësoi zanatin e shumë e shumë gjëra të tjera… Në heshtje, gjithnjë! E la të rritej. E la - kjo, fjala, e cila na ndihmon ta kuptojmë këtë situatë të jashtëzakonshme - ne - që e kemi zakon t’i fusim hundët gjithkund e, posaçërisht, në punët, që nuk na përkasin, në jetën e tjetrit. “E pse e bën këtë? Pse atë?” E t’ia nisim thashethemeve, e themi… Po ai e la të rritej. E ruajti. E ndihmoi, pa fjalë të tepërta, në heshtje të thellë”.

Sjellje e urtë, kjo, që e kanë shumë prindër: aftësi për të pritur, pa ia nisur menjëherë britmës, edhe përpara gabimit. Është themelore të presësh, para se ta thuash fjalën, që e bën tjetrin të rritet. Të presësh në heshtje, si bën Zoti me bijtë e vet, për të cilët i duhet durim Perëndie!

Burri i ëndrrave

Papa sqaron, pastaj, se Shën Jozefi ishte njeri konkret, por me zemër të hapur, “njeri i ëndrrave” - por jo ëndërrimtar:

“Ëndrra është hapësirë e zgjedhur për të kërkuar të vërtetën, sepse kur ëndërrojmë, nuk mbrohemi para së vërtetës. Ëndrrat vijnë e … E vjen edhe Zoti e na flet në ëndërr. Jo gjithnjë, natyrisht, sepse zakonisht është nënvetëdija jonë, që vjen. Por nuk mungon as Zoti. Ai zgjedh pikërisht ëndrrat për të na folur. E bën shpesh herë në Bibël. Prandaj themi se Jozefi ishte burrë i ëndrrave, jo ëndërrimtar, eh? Nuk ishte njeri, që fantazonte! Ëndërronte. Ishte ëndërrimtar. E kjo është tjetër gjë. Fantazuesi jeton për hava, ndërsa Jozefi, me këmbë në tokë. Por me zemër të hapur”

Mos e humbisni shijën e të ëndërruarit

Duke përshkruar portetin e Shën Jozefit, Papa Françesku na kërkon të mos e humbasim aftësinë për të ëndërruar, për t’ia hapur zemrën së nesërmes plot besim, pavarësisht nga vështirësitë që mund të hasim:

“Mos ta humbasim aftësinë për të ëndërruar të ardhmen: secili prej nesh. Secili: të ëndërrojmë për ardhmërinë e fëmijëve tanë, të familjes sonë, të prindërve. Të shikojmë në ëndërr si do të dishëronim të kalojë jeta e tyre. Edhe priftërinjtë të ëndërrojnë: të shohin ëndrra për besimtarët, për çka dëshirojnë të kenë e të jenë. Të ëndërrojmë, ashtu si dinë të ëndërrojnë të rinjtë, që janë ‘të pacipë’ në ëndërrime, ku gjejnë udhën e kërkuar. Mos e humbisni aftësinë për të ëndërruar, sepse të ëndërrosh do të thotë të hapësh portat drejt së ardhmes. E të shkosh drejt së ardhmes, i ngarkuar me fryte”.

Në Letrën Apostolike “Me zemrën e Atit”,  kushtuar Shën Jozefit, deklaruar Pajtor i Kishës universale njëqind vjet më parë, përmblidhet shëmbëlltyra e jetës dhe e misionit të tij, që Papa na e përshkruan kështu:

“Zoti i besoi thesaret më të çmuara: Jezusin e Marinë. E ai iu përgjigj plotësisht me fe, me guxim, me dashuri ‘me zemër ati’. T’i kërkojmë ta mbrojë Kishën në këtë kohën tonë e të mësojmë prej tij që të bëjmë gjithnjë përvujtërisht vullnetin e Zotit”.

Kujtojmë – në përfundim të këtij porteti, pikturuar me fjalë nga Françesku, edhe Dekretin e Pendestarisë Apostolike, në përkim me vullnetin e Papës, që ofron mundësinë për të marrë, në këtë hark kohe, Ndjesë të posaçme, të lidhura me figurën e Shën Jozefit, me këto kushte: rrëfimin sakramentor, kungimin eukaristik dhe lutjen, sipas ndjeteve të Papës!

Lutja e Papës, Shën Jozefit

Në notën n.10 “Patris corde”,  Françesku u tregon besimtarëve edhe një zakon të jetës së tij: çdo ditë thotë një uratë kushtuar fatit të Marisë, shkëputur nga një libër francez devocional i 800-tës, i Kongregacionit të Rregulltareve të Jezusit e Marisë. Është  lutje, e cila shpreh devocionin dhe besimin në Shën Jozefin, por edhe një farë sfide - shpjegon Papa – e cila përfundon me fjalët: Që të mos thuhet se t’u luta kot, tregomë se mirësia jote është aq e madhe, sa pushteti yt”.

Ta bëjmë tonën këtë lutje fare të shkurtër, duke e shoqëruar edhe me vepra të mira , për të fituar ndihmën e Shën Jozefit, kryetarit të Familjes së Nazaretit, ngushëlluesit e lehtësuesit të stuhive që shpërthejnë shpesh në shpirtin njerëzor, posaçërisht në këtë botë, ku jetojmë. 

 

17 mars 2021, 15:41