Kërko

Vatican News

Selia e Shenjtë: nuk mund të bekohen bashkimet ndërmjet homoseksualëve

Deklarata e Kongregatës për Doktrinën e Fesë përgjigjet negativisht mbi mundësinë e bekimit të çifteve të formuara nga individë të të njëjtit seks: “Nuk është diskriminim i padrejtë, asnjë gjykim për njerëzit”

R.SH. - Vatikan

Kisha nuk ka pushtet për të bekuar bashkimin ndërmjet njerëzve të të njëjtit seks, prandaj, bekime të tilla nuk mund të “konsiderohen të ligjshme”. Kështu deklaron Kongregata për Doktrinën e Fesë, në përgjigje për një “dubium”, që iu paraqit kohët e fundit. Pra, s’është e lejueshme që meshtarët të bekojnë çifte homoseksuale, të cilat kërkojnë një lloj njohjeje fetare të bashkimit të tyre. Papa u informua dhe “dha pëlqimin e tij” për botimin e përgjigjes dhe të shënimit shpjegues shoqërues, të nënshkruar nga prefekti, kardinali Luis Ladaria dhe nga sekretari, kryeipeshkvi Giacomo Morandi.

Dokumenti shpreh “vullnetin e sinqertë për të mirëpritur dhe për t’i shoqëruar njerëzit homoseksualë, të cilëve u propozohen udhë për rritje në fe”, siç përcaktohet edhe në Nxitjen apostolike “Amoris laetitia”, që flet për “ndihmën e nevojshme” ndaj homoseksualëve “për të kuptuar dhe përmbushur plotësisht vullnetin e Zotit në jetën e tyre”. Prandaj, projektet dhe propozimet baritore në këtë drejtim janë për t’u vlerësuar e, ndërmjet tyre, edhe ato që kanë të bëjnë me bekimin e bashkimeve homoseksuale.

Themelor, në tekstin e Kongregatës, dallimi ndërmjet njerëzve dhe bashkimit. Përgjigja negative ndaj bekimit të unionit nuk nënkupton në fakt ndonjë gjykim mbi individët e përfshirë, të cilët duhet të trajtohen “me respekt, dhembshuri dhe delikatesë”, duke shmangur “çdo shenjë diskriminimi të padrejtë”, siç thuhet tashmë në dokumentet magjisteriale.

 Ja cilat janë arsyet e përgjigjes negative. E para ka të bëjë me të vërtetën dhe me vlerën e bekimeve, të cilat janë“sakramentore”, akte liturgjike të Kishës dhe kërkojnë që gjithçka bekohet “të jetë objektivisht në rregull e të marrë e të shprehë hirin hyjnor, sipas planeve të Zotit shkruar që nga krijimi”. Marrëdhëniet, madje edhe ato të qëndrueshme, “që përfshijnë një praktikë seksuale jashtë martese” - domethënë, jashtë “bashkimit të pazgjidhshëm të një burri dhe një gruaje”, të hapura për transmetimin e jetës - nuk u përgjigjen atyre “planeve të Zotit”, pavarësisht se në marrëdhënie të tilla ka “elemente pozitive”. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me çiftet homoseksuale, por të gjitha bashkimet, në të cilat seksualiteti ushtrohet jashtë martesës. Një arsye tjetër është rreziku i asimilimit të gabuar të bekimit të bashkimeve të të njëjtit seks në sakramentin e martesës.

Së fundi, Kongregata për Doktrinën e Fesë sqaron se përgjigja ndaj këtij “dubium” nuk përjashton që t’u jepen bekime “individëve me prirje homoseksuale, të cilët shfaqin vullnetin për të jetuar duke u qëndruar besnikë planeve të Zotit”, ndërsa deklarohet e paligjshme “çdo formë bekimi që synon njohjen e bashkimit të tyre”.

15 mars 2021, 14:09