Kërko

Vatican News
Pamje nga Siria Pamje nga Siria  (ANSA)

Roaco: në vijë të parë të ndihmës, që sirianët të mos ikin

Projektet e ndihmës humanitare të Selisë së Shenjtë për Kishat Lindore kanë për qëllim të frenojnë hemorragjinë e forcave jetike të një vendi të raskapitur nga lufta dhjetëvjeçare. Don Kuriacose, sekretar i organizmit, pohon: po rindërtojmë shkollat, spitalet, kishat, që Siria të rilindë mbi vlerat e dinjitetit njerëzor e të rizbulojë forcën e bashkëjetesës fetare.

R. SH. - Vatikan

R.O.A.C.O. - Bashkimi i Veprave të Ndihmës për Kishat Lindore, është krahu i punës i Selisë së Shenjtë për këto Kisha. I themeluar në vitin 1968 për të koordinuar veprat bamirëse, vitet e fundit është marrë me njohjen e diasporës së popullsive, që u detyruan t’i braktisin vendet e tyre  në luftë, për një jetë më të mirë në vise e ndryshme të Evropës. E kryesisht, me sfidat baritore, formimin e seminaristëve e meshtarëve në  vend e me të rinjtë. Të shumta projektet,  që po realizon në Siri - ku  vijon prej dhjetë vjetësh konflikti - me qëllim që të frenohet hemorragjia e energjive jetike të vendit.

Projektet

Roaco merr nga Kishat Lindore, e edhe nga ajo latine e territoreve të kompetencës së Kongregatës, 60-70 projekte në vit, siç shpjegon don Kuriacosae Cherupuzhathottathil, sekretar i organizmit. Është fjala për projekte me karakter baritor, domethënë, për ndërtimin e vendeve të kultit,   zhvillimin shoqëror, arsimin, asistencën shëndetësore, ndihmesën e rregulltarëve. Projektet vihen në jetë nga agjencitë e lidhura me Roaco, si CNEWA/PMP, Misereor, Erzbistum Koeln, Missio, Kiche in Not, Kindermissionswerk, ACS - të cilat punojnë drejtpërdrejt pothuajse në të gjitha vendet e interesuara, posaçërisht në Liban, Irak e Siri, në bashkëpunim me kishat vendase.

Sekretari i Roaco-së  saktëson se gjatë dhjetë vjetëve të fundit shqyrtoi  26 projekte. E kujton, si shembull, ndërtimin e manastirit të Trapistëve Fons Pacis, në Azeir-Tartous, ndihmesën humanitare e shoqërore në Heparkinë e Homs, strehën për të moshuarit në Tartous, qendrën e mbështetjes psiko-shoqërore dhe edukative për fëmijët, në Safita. Por kryesisht, ndërtimin e kishave, të shkollave e të spitaleve të rrënuara nga lufta.

Duhet investuar për punën, që sirianët të rikthehen

Një nga synimet kryesore në Siri për Roaco, është krijimi i vendeve të punës. “Në plenaren, që do të mbahet qershorin e ardhshëm, do të diskutojmë për projektet, që inkurajojnë punën shtëpiake dhe industritë e vogla” - pohon  Kuriacose, duke shpjeguar, në vijim, se kjo bëhet për t’i ndihmuar të rinjtë dhe familjet të mbeten në Siri a të rikthehen nga viset ku janë strehuar këto vite tmerri.  “Siria sot është një korp i plagosur rëndë,  vend i mbytur në gjak - nënvizon - e ne jemi të thirrur të bëhemi samaritanë të mirë për këtë vend e për këtë popull: të jemi pranë popullsisë, ta shoqërojmë, ta ndihmojmë për t’i shëruar plagët fizike, psikologjike e shpirtërore. Kjo do të thotë se duhet ta ngarkojmë mbi shpinë këtë vend të gjakosur, e jo për disa çaste, por për disa vite!

Të garantohet siguria dhe mjetet kryesore të jetesës, që sirianët të mos ikin

 “Duhet punuar me shumë përkushtim, që të rilindë Siria e re - nënvizon Kuriacose - Siria e bazuar mbi parimet paqësore, mbi dialogun, respektimin e dinjitetit njerëzor e liritë themelore, mbi pluralizmin, demokracinë, ndarjen e Kishës nga shteti. Janë këto, disa nga aspektet  e një shoqërie të shëndetshme. E këtë ëndërrojmë: ne për Sirinë - e Siria për popullin e saj.  Me këtë synim duhet të punojmë sepse, po të mos jemi në gjendje t’i mbjellim këto parime në shpirtin e të rinjve, ardhmëria e Sirisë nuk do të jetë ajo, që duam ne e, sidomos, që do populli i saj. Popull, i cili ka nevojë për siguri, për shtëpi, shkolla, punë, spitale, klinika. Po përpiqemi që si të krishterëve, ashtu myslimanëve të mos u mungojë drita elektrike, ushqimi, uji. Gjëra, pa të cilat nuk mund të flitet për jetë njerëzore dinjitoze!

Të ruhet, në paqe, mozaiku i kulturave

Sekretari i Roaco kujton  edhe se Siria është vend, ku historikisht  kanë jetuar fe e kultura të ndryshme: trashëgimi që duhet ruajtur me shpresën se bashkëjetesa do të lulëzojë përsëri. Prania e krishterë në Siri, tejet e lashtë, përbëhet nga Greko-Melkitët, Sirët, Marionitët, Kaldenjtë, Armenët e Latinët. “E dimë mirë ç’ka bërë kjo Kishë e çka vijon të bëjë, ndonëse në mes mijëra vështirësive, në fushën e asistencës të të sëmurëve, të të varfërve, të edukimit, të kulturës e deri edhe në fushën politike” - pohon rregulltari -  i cili vijon të shpjegojë se edhe njerëzit, të cilët u përkasin feve të tjera, janë mirënjohës për punën e Roaco në favor të të gjithëve. “Çdo projekt dëshmon dashurinë e Papës për këtë komb, në të cilin shpreson të lulëzojë së shpejti paqja e prosperiteti - thekson - për të cituar, më pas, fjalët e Françeskut, shqiptuar në Irak:

“Pamje tragjike këto, që u kujtuan…! Pamje urrejtjeje e dhune! Në dukje pa shpresë! Por të krishterët e dinë mirë se shpresa është më e fortë se vdekja; paqja, më e fortë se lufta. Kjo bindje flet me zë më të fuqishëm se urrejtja e dhuna, e kurrë nuk do të mund të mbytet në gjakun e derdhur nga ata, që e fyejnë emrin e Zotit, duke ecur në udhët e shkatërrimit”.

Refugjatët dhe ëndrra për të parë lulëzimin e shpresave

Don Kuriacose përfundon me një nga kujtimet më të gjalla e më të dashura: kujton vizitën me rastin e 50-vjetorit  të Roaco, në qendër të Bar Elias, në Liban, me përfaqësuesit e Agjencive, e sidomos, shkollat e  drejtuara nga Jesuit Refugee Service, në kontejnerët prej druri, ku studiojnë më se 1.600 nxënës, besuar meshtarëve e vullnetarëve. “Drita në sytë e këtyre fëmijëve - tregon - më bën të shpresoj se një ditë do të jenë pikërisht këta, që do ta ndërtojnë të ardhmen e Sirisë. Nëse një ditë do të rikthehem përsëri atje, shpresoj se nuk do të gjejë më kampe të tilla, por vetëm gjurmët e këmbëve të këtyre vogëlushëve, që jetojnë një përvojë të vështirë, por që mund të konsiderohet si trampolin prej nga u hodhën drejt ardhmërisë së lumtur. Sot jetojnë ndër kufij, por jam i sigurt  se do të rikthehen, se do ta ngrenë përsëri në këmbë Sirinë, me duart e tyre”.

15 mars 2021, 15:20