Kërko

Vatican News

Predikimi i Cantalamessa-s: Jezusi është person jo personazh

“Duke u ringjallur, Jezusi nuk u kthye në jetën e tij të mëparshme si Lazri, por në një jetë më të mirë, të lirë nga mundimet. Shpresojmë që kështu të jetë edhe për ne. Nga varri në të cilin pandemia na mbajti mbyllur për një vit, bota daltë me e mirë, jo njëlloj si më parë - siç na përsërit vazhdimisht Ati i Shenjtë”. Predikimi i katërt e i fundit i Kreshmëve i kardinalit Raniero Cantalamessa-s, predikatar i Shtëpisë Papnore

R.SH. - Vatikan

“Jezusi i Nazaretit është gjallë! Nuk është kujtim i së kaluarës; nuk është thjesht personazh, por Vetje. Ai jeton “në Shpirtin Shenjt”, natyrisht, por kjo mënyrë të jetuari është më e fuqishme se ajo “sipas mishit”, sepse i jep mundësinë të jetë i gjallë brenda nesh, jo jashtë, ose pranë nesh”. Nga ky reflektim e filloi predikimin e katërt e të fundit të Kreshmëve, atë Raniero Cantalamessa, predikatari i Shtëpisë Papnore, që çdo të premte shoqëron me meditimet e tij udhën kreshmore të Kuries Romake, në praninë e Papës Françesku.

Jezusi i Nazaretit është Vetje ku shkrihen në një natyra njerëzore e ajo hyjnore. Kardinali Cantalamessa shpjegoi këtë dogmë të Kishës, duke e aktualizuar më tej, pasi Kisha, nënvizoi ai, “është në gjendje ta lexojë Shkrimin Shenjt e dogmën, në një mënyrë gjithnjë të re, sepse mbahet dhe bëhet gjithnjë e re nga Shpirti Shenjt!”. Siç thoshte historiani i madh i Traditës së krishterë, Jaroslav Pelikan, “Tradita është feja e gjallë e të vdekurve” (pra, feja e Etërve, që vijon të jetojë), ndërsa, “Tradicionalizmi është feja e vdekur e të gjallëve”.

“Kjo do të thotë – nënvizoi kardinali Cantalamessa - të zbulosh e të shpallësh se Jezu Krishti nuk është një ide, një problem historik apo edhe thjesht një personazh, por një Vetje, një person i gjallë! Në fakt, kjo mungon e na duhet shumë për të mos lejuar që krishterimi të reduktohet në ideologji, ose thjesht në teologji”.

Të jesh Person (Vetje) do të thotë të jesh në marrëdhënie

 Të jesh Person (Vetje), shpjegoi më tej atë Cantalamessa, duke u ndihmuar nga mendimi i Shën Palit apostull, që u takua me Krishtin në udhën e Damaskut, do të thotë “të jesh-në-marrëdhënie”. Kjo është e vërtetë për Vetjet hyjnore të Trinisë Shenjte, të cilat janë “krejtësisht marrëdhënie”, ose siç thotë teologjia “marrëdhënie të qenësishme”; por vlen edhe për çdo person në përgjithësi. Personi nuk njihet në realitetin e tij, përveçse duke hyrë në “marrëdhënie” me të. Kjo është arsyeja pse s’mund të njihet Jezusi si person, përveçse duke hyrë në marrëdhënie personale me të. Ne kemi nevojë të arrijmë tek kjo Vetje përmes fesë e lutjes, duke “e prekur” me të vërtetë. Kardinali Cantalamessa i ftoi besimtarët ta pyesin veten nëse e konsiderojnë Jezu Krishtin vërtet Vetje, pra, Person, ose është thjesht “personazh”. Nganjëherë, Jezu Krishti është një bashkësi dogmash, doktrinash e herezish, ose dikush që e kujtojmë në liturgji, që besojmë se është i pranishëm në Eukaristi, por nuk kemi me Të marrëdhënie personale, nga ato që ta ngrohin zemrën.

 “Jeta e çdo njeriu – theksoi kardinali Cantalamessa – ndahet saktësisht siç ndahet edhe historia universale: ‘para Krishtit’ e ‘pas Krishtit’, para takimit personal me Krishtin e pas tij”.

Krishti, Vetje “hyjnore”

 E këtë takim mund ta provojmë vetëm përmes Shpirtit Shenjt, i cili na ndihmon të kuptojmë se Jezu Krishti është Vetje hyjnore, pra në Të bashkohen Personi njerëzor e Personi hyjnor, se Ai është një nga Vetjet e Trinisë Shenjte. Kardinali Canatalamessa përmendi kontributin e shën Augustinit, për të cilin themeli i dogmës mbi Trininë Shenjte gjendet në pohimin e shën Gjonit ungjilltar: “Zoti është dashuri”. “Çdo dashuri – shkruan shën Augustini - nënkupton një person që dashuron, një që dashurohet dhe një dashuri, e cila i bashkon”. Kështu i përcakton ai tri Vetjet hyjnore: Ati është ai që do, Biri është i dashuri dhe Shpirti Shenjt është dashuria, që i bashkon.

“Zoti është gjithmonë dashuri, ab aeterno, sepse edhe para se të kishte një objekt jashtë vetes për të dashur, ai kishte brenda vetes Fjalën, Birin, të cilin e donte me dashuri të pafund, domethënë ‘në Shpirtin Shenjt’… Një Zot, që është veç njohuri, ose veç ligj, ose veç pushtet, sigurisht që nuk do të kishte nevojë të ishte trini (përkundrazi, kjo do t’i ndërlikonte gjërat); por një Zot që është mbi të gjitha dashuri po, pasi më pak se ndërmjet dy Vetjeve, nuk mund të ketë dashuri”.

 Koncepti i dinjitetit njerëzor, që njerëzit modernë e shpallin pa pushim, rrjedh pikërisht nga kjo dashuri e Trinisë Shenjte, shpjegoi kardinali Cantalamessa. Marrëdhëniet tona personale me Krishtin janë, në thelb, marrëdhënie dashurie, pasi Ai na deshi e dha jetën për ne, prandaj Krishti na do dhe ne e duam. Kjo vlen për të gjithë, por sidomos për barinjtë e Kishës. Krishti ia besoi Kishën shën Pjetrit, por e pyeti edhe nëse donte me gjithë zemër e vetëm atëherë i tha: “Kullote grigjën time”. Detyra e meshtarit, nënvizoi kardinali Cantalamessa, e ka forcën e saj të fshehtë në dashurinë për Krishtin. Jo më pak se feja, dashuria e bën meshtarin një gjë të vetme me Shkëmbin, që është Krishti.

Zoti është dashuri

 E si ta kuptojë njeriu se Zoti është dashuri? Kardinali Cantalamessa thërret sërish në ndihmë shën Palin apostull e takimin e tij personal më Krishtin. Kush do të na ndajë prej Tij, pyet apostulli, duke numëruar të gjitha rreziqet e problemet, që ka hasur personalisht në jetë, por që i kaloi pikërisht sepse kishte afër Atë, që e deshi me gjithë zemër.

“Apostulli, – vërejti predikatari papnor – heshtazi, e fton secilin prej nesh të bëjë të njëjtën gjë. Ai sugjeron një metodë shërimi shpirtëror, bazuar në dashurinë. Na fton të nxjerrim në sipërfaqe ankthet, që fshihen në zemrat tona, trishtimet, frikën, komplekset, atë mungesë fizike a morale, që nuk na lë ta pranojmë pa probleme vetveten, atë kujtim të dhimbshëm e poshtërues, atë gabim të vuajtur, kundërshtimin e shurdhër nga dikush... Ta zbulojmë gjithçka para dritës së mendimit se Zoti më do dhe ta zhdukim çdo mendim të keq, duke thënë me vete, si Apostulli: ‘Nëse Zoti është me ne, kush do të jetë kundër nesh?’ (Rom 8,31)”.

Pikërisht ky qëndrim duhet të na ndihmojë edhe në kohën e sotme, për të kapërcyer pandeminë e koronavirusit. Pas një jave, do të kremtojmë të Premten e Madhe e më pas, të Dielën e Ringjalljes së Krishtit. “Duke u ringjallur, - ky reflektimi i fundit i kardinalit Cantalamessa - Jezusi nuk u kthye në jetën e tij të mëparshme si Lazri, por në një jetë më të mirë, të lirë nga mundimet. Shpresojmë që kështu të jetë edhe për ne. Nga varri në të cilin pandemia na mbajti mbyllur për një vit, bota daltë me e mirë, jo njëlloj si më parë - siç na përsërit vazhdimisht Ati i Shenjtë”.

26 mars 2021, 11:58