Kërko

2021.03.01 Intervista Parolin Viaggio IRAQ 2021.03.01 Intervista Parolin Viaggio IRAQ 

Kard. Parolin: Papa Françesku çon në Irak shpresën e dialogut e të rindërtimit

Iraku përgatitet të presë pasardhësin e Pjetrit. “Papa dëshiron të nisë një mesazh drejt së ardhmes”, nënvizon Sekretari i Shetit të Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin, duke u ndaluar tek çastet kryesore të këtij shtegtimi të jashtëzakonshëm, historik!

R. SH. - Vatikan

Iraku pret Françeskun, që rifillon shtegtimet, duke u nisur për t’i çuar ngushëllim një populli, që vuajti shumë këto vite për shkak të persektimeve, të luftës e të dhunës nga ana e Isis, por edhe për të vijuar  ndërtimin e udhës së vëllazërimit si dhe të urës së madhe të dialogut. Është hera e parë që një Papë viziton Irakun. Vendi, ku pa së pari dritën Abrahami e ku banoi një nga bashkësitë më të lashta të krishtera, i ka akoma të dukshme plagët e luftës, ndërsa i duhet të përballojë plagë të reja, ato të varfërisë, të terrorizmit e tani, edhe të Covid-19. Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, vë në dukje rëndësinë e shtegtimit, duke theksuar urgjencën e bashkëpunimit për rindërtimin e Irakut dhe për shërimin e “ të gjitha plagëve, që  në vend të nisë një etapë e re”:

“Papa i rifillon shtegtimet apostolike pas një ndërprerjeje mjaft të gjatë, nga shkaku i emergjencës shëndetësore të Covid-19. I rifillon, me vëmendjen drejtuar kah një vend posaçërisht i vuajtur, vend që ka në trup plagë të thella lufte, terrorizmi, dhune, ndeshjesh të përgjakshme. Prandaj,   gjatë gjithë kohës së vizitës, dëshiron të tregojë vëmendje të veçantë, afërsi të veçantë, për këtë vend. Shtegtimi ka si qëllim e domethënie, pikërisht të tregojë afërsinë e Papës ndaj Irakut e irakianëve. E edhe për të nisur një mesazh tejet të rëndësishëm: mesazhin, që u kujton të gjithëve se duhet bashkëpunuar, duhet punuar krah për krah për ta rindërtuar vendin, për t’i shëruar të gjitha plagët, për të rifilluar një etapë të re”.

Tri vjet më parë, duke vizituar Irakun, ju patët thënë: “Të krishterë e myslimanë janë të thirrur ta ndriçojnë errësirën e frikës e të absurdes”. Ç’kuptim kanë këto fjalë në prag të shtegtimit të Papës?

“Besoj se këto fjalë vijojnë ta ruajnë gjithë aktualitetin e tyre. Më kujtohet se i pata shqiptuar në një rrethanë gazmore, Natën e Krishtlindjes e cila kremtohej në Bagdad, në katedralen kaldease, përplot me njerëz, që tundej  nga këngët e vetëtinte nga dritat. Ishte një kontrast i fortë me errësirën përjashta. Besoj, prandaj, se e ruajnë aktualitetin e tyre. Posaçërisht, janë në përkim me moton e shtegtimit të Atit të Shenjtë: “Jeni të gjithë vëllezër!”. Tani, kjo vëllazëri, lind nga fakti se të gjithë janë bij të të njëjtit atë. Të kujton edhe Abrahamin, që lindi pikërisht në Irak. Prej aty nisi aventura e tij pas thirrjes së Zotit: prej Abrahamit, atit të përbashkët të të krishterëve e myslimanëve. Pastaj duhet të shprehet edhe në angazhimin e përbashkët. Ja, prandaj thosha se janë të thirrur së bashku të jenë dritë në errësirë e ta davarisin gjithë atë terr, që dyndet akoma mbi vendin”.

Do të jetë një vizitë e ngarkuar me veprimtari: katër ditë me takime të panumërta. Papa do të përqafojë Kishën vendase e do të marrë pjesë në takimin ndërfetar, pikërisht në Ur, qytet i Abrahamit, për të vizituar, pastaj, edhe vendet e persekutimit, të martirizimit, por edhe të rindërtimit. Cila është qendra e këtij shtegtimi?

“Qendra do të jetë pikërisht në faktin se Papa dëshiron të nisë një mesazh drejt së ardhmes: kjo, qendra. Ka situata e realitete, që vijojnë të vuajnë, pikërisht aty ku pati persekutim, martirizim. Vetë Kisha jeton një situatë të vështirë, sidomos lidhur me dialogun ndërfetar, që duhet çuar përpara. Por vështirësitë mund edhe të kapërcehen, nëse do të ketë vullnet të mirë e angazhim të të gjitha palëve për t’u aktivizuar, për të bashkëpunuar, për të rindërtuar. Besoj se mesazhi qëndror do të jetë ky: nuk duhet të bllokohemi nga gjithë çka ndodhi, sado e keqe të ketë qenë - dhe ishte e keqe sa më s’bëhet - por  duhet të shikojmë përpara me shpresë e guxim për ta rindërtuar këtë realitet në Irak”.

Çfarë kuptimi ka takimi me Ajatollahun e Madh Al-Sistani? Është një shtyllë tjetër për urën e vëllazërimit?

“Po, natyrisht besoj se do të jetë, edhe duke  pasur parasysh se Al-Sistani është një nga personalitetet simbolike më kuptimplote në botën shiite; e duke menduar edhe se Al-Sistani ka folur gjithnjë në favor të bashkëjetesës paqësore brenda Irakut, duke theksuar se grupet etnike, grupet fetare, janë pjesë e Vendit. Kjo është shumë e rëndësishme, sepse shkon pikërisht në drejtim të krijmit të vëllazërimit ndërmjet të krishterëve e myslimanëve, që duhet ta karakterizojë vendin. Prej këndej, është vërtet çast i rëndësishëm e besoj se do jetë edhe më i rëndësishmi i vizitës së Papës”.

Në këto vitet e fundit, për shkak të dhunës, më se një milionë të krishterë u dëbuan nga Iraku. Udhëtimi i Papës ngjall edhe shpresat për ndryshime në këtë drejtim, apo jo?

“Sigurisht Kisha - të krishterët, katolikët në Irak - po e presin me dëshirë të madhe Papën. Edhe pse kanë nevojë të inkurajohen për ta jetuar thirrjen e tyre të krishterë brenda një realiteti kaq të vështirë, si ky i Irakut. Do të thosha se është thirrje brenda thirrjes së krishterë, kjo e të krishterëve të Lindjes së Mesme, për të jetuar në realitetin e tyre, në mjediset e tyre, nën strehët e tyre, në vendet e tyre! E, prej këndej, është e natyrshme që Papa  t’i japë zemër kësaj Kishe që të jetë guximtare, e aftë për të dëshmuar, e do t’u bëjë të krishterëve edhe ftesën për të mbetur në vendin e tyre e për të dhënë dëshminë e pranisë”.

Qeveria irakiane e quajti këtë shtegtim  “mesazh paqeje”. Si mund të rivendoset stabiliteti, dialogu, bashkëjetesa, pas kaq vjet rrënimesh e dhune?

“Sfidë e madhe kjo, sfidë së cilës qeveria dhe e gjithë shoqëria përpiqen t’i japin përgjigje. Të rikthehemi tek çka thamë më sipër, domethënë tek uniteti. Duhet të bashkohen të gjithë. Të bashkëpunojnë. Por për ta bërë këtë, natyrisht ka nevojë për falje e pajtim. Nuk duhet kujtuar vetëm e kaluara, por duhet shikuar përpara, në kuptimin më pozitiv të kësaj fjale. Njëkohësisht, pastaj, duhen marrë edhe masa, për shembull, kundër sektarizmit që, për fat të keq, vërehet ende në disa shtresa të shoqërisë, e doemos, edhe kundër korrupsionit, pabarazive e diskriminimeve, që secili të ketë vendin e vet e secili të ndjehet qytetar i vendit, me të njëjtat të drejta, me të njëjtat detyra e me të njëjtin angazhim e përgjgjësi në ndërtimin e vendit. Më duket se këto duhet të jenë rrugët kryesore në përpjekjen për ta rindërtuar vendin”.

Hirësi,  cili është urimi Juaj për këtë shtegtim?

“Urimi im është që ky çast, kjo prani e Atit të Shenjtë, aq e pritur, e shpresuar aq gjatë, e dëshiruar me gjithë shpirt, të mund të jetë çast rilindjeje: rilindjeje materiale e shpirtërore për mbarë popullin irakian, e që kjo të ketë ndikim edhe në të gjithë rajonin, i cili ka shumë nevojë për shembuj të mirë. E edhe që kjo të realizohet në frymën  e vëllazërimit: 'Jeni të gjithë vëllezër' është motoja me të cilën shtegton Papa në këto vise, që e pritën aq shumë!”.

02 mars 2021, 14:38