Kërko

Editorial
Vatican News

Papa në Irak: duhet të rinisemi nga Abrahami, për të pranuar se jemi vëllezër

Papa Françesku niset për shtegtimin më të vështirë e më të rëndësishëm të Papnisë së tij, që t’u dëshmojë afërsinë të krishterëve, t’i mbështesë për rindërtimin e vendit të shkretuar nga luftërat dhe terrorismi e t’u shtrijë dorën vëllezërve myslimanë. Realizon, kështu. ëndrrën e Gjon Palit II

R.SH. - Vatikan

Të krishterët irakianë e prisnin Papën që prej 22 vjetësh. Ishte viti 1999 kur Shën Gjon Pali II projektoi një shtegtim të shkurtër, por domethënës, në Ur të Kaldejve, etapa e parë e udhës jubilare në viset e shëlbimit. Donte të nisej nga Abrahami, nga ati i përbashkët, i njohur nga hebrenjtë, të krishterët e myslimanët. Shumë e çkëshilluan Papën e motnuar polak, duke  e bindur se mund të krijonte rrezikun e fuqizimit të Saddam Husseinit, ende në fuqi pas Luftës I të Gjirit. Po Papa polak nuk ndërroi mendim, pavarësisht nga përpjekjet për ta bërë të hiqte dorë, që i vinin nga të katër anët, posaçërisht nga SHBA-të. Por me gjithë këto, shtegtimi i parë i rrufeshëm, me natyrë thjeshtë fetare, nuk mundi të realizohej për shkak të kundërshtimit të presidentit irakian.

Më 1999 Vendi ishte në gjunjë pas luftës gjakatare kundër Iranit (1980-1988) dhe masave ndëshkimore ndërkombëtare, që pasuan pushtimin e Kuwaitit dhe Luftën I të Gjirit. Numri i të krishterëve në Irak  asokohe ishte tri herë më i madh se ky aktual. Shtegtimi i munguar i Gjon Palit II mbeti plagë e hapur për vendin e ngarkuar edhe me plagë të tjera të përgjakura. Papa Wojtyla ngriti zërin kundër sulmit ushtarak perëndimor  në vend, luftës-rrufe të 2003-it, që përfundoi me përmbysjen e qeverisë së Saddamit.

Në lutjen e Engjëllit të Tënzot të 16 marsit, Papa pati thënë: “Dëshiroj t’u kujtoj anëtarëve të Kombeve të Bashkuara, e posaçërisht atyre, që përbëjnë Këshillin e Sigurimit, se përdorimi i forcës është mjeti i fundit, që mund të përdoret, pasi të jetë shfrytëzuar çdo rrugëzgjidhje tjetër paqësore, sipas parimeve të njohura  të vetë Kartës së OKB-së. Më tej, pas përfundimit të Engjëllit të Tënzot, u lut: “Unë i përkas breznisë që jetoi Luftën II Botërore dhe mbijetoi. E kam për detyrë t’u them gjithë të rinjve, atyre që janë më të rinj se unë e që nuk e kanë provuar këtë përvojë: “Kurrë më luftë!” - siç pati thënë Pali VI në vizitën e tij të parë në Kombet e Bashkuara. Duhet të bëjmë të pamundurën!”.

Mbeti i padëgjuar nga ata “të rinj”, që bënin  luftën e qenë të paaaftë të ndërtonin paqen. Iraku u sulmua nga terrorizmi, atentatet, bombat, rrënimi. Indi shoqëror u shthur. E, më 2014-tën, vendi pa duke lindur Shtetin e vetëquajtur Islamik, shpallur nga Isis. E rinisën rrënimet, persekutimet, dhuna, me shtytjet rajonale e ato ndërkombëtare, të impenjuara për të luftuar në tokën irakiane. E me shumëfishimin e milicive jashtë çdo kontrolli. Edhe këtë herë, kush do ta paguante haraçin më të lartë, do të ishte populli i pambrojtur, i përçarë për shkak të përkatësive të ndryshme fetare.

Duke e parë situatën irakiane, preket me dorë konkretësia dhe  realizmi i fjalëve që Françesku deshi t’i skalisë në enciklikën e tij të fundit “Fratelli tutti”: “Nuk mund të mendojmë më për luftën si rrugëzgjidhje, duke pasur parasysh se rreziqet mund të jenë shumë më të mëdha se dobia,  që mendohet se mund të ketë”. Përballë një realiteti të tillë, sot është shumë vështirë të mbështetesh mbi kriteret e shekujve të kaluar, që të flasësh për një “luftë të drejtë” të mundshme. Kurrë më luftë! … Çdo luftë lë pas një botë më të keqe, se ajo që ishte më parë. Lufta është dështim i politikës dhe i njerëzimit, dorëzim i turpshëm, humbje përballë forcave të së keqes.

Qindra mijëra të krishterë gjatë këtyre viteve u detyruan t’i braktisin shtëpitë e të kërkojnë strehë të tjera jashtë vendeve të tyre. Në trojet e ungjllëzimit të parë, Kisha tejet e lashtë e të cilave nis me predikimin apostolik, sot të krishterët e presin vizitën e Françeskut si shkulm oksigjeni. Papa prej kohe e pati shprehur dëshirën të shkonte në Irak për të ngushëlluar, duke ndjekur të vetmen “gjeopolitikë”, që e vë në lëvizje, domethënë, për t’u treguar afërsinë njerëzve që vuajnë e për të favorizuar, me praninë e tij, proceset e pajtimit e të paqes.

Prej këndej, pavarësisht nga rreziqet e lidhura me pandeminë dhe sigurinë, e pavarësisht edhe nga atentatet e kohëve të fundit, Françesku e mbajti deri më sot në agjendën e tij këtë takim, i vendosur për të mos i zhgënjyer irakianët që e presin. Zemra e shtegtimit të parë ndërkombëtar, pas pesëmbëdhjetë muajsh bllokimi të detyruar nga shkaku i pasojave të Covid-19, do të jetë takimi i Ur, në qytetin  prej ku u nis patriarku Abraham. Rast, ky, për t’u lutur së bashku me besimtarët e besimeve të tjera fetare, posaçërisht me myslimanët, për të gjetur arsyet e bashkëjetesës me vëllezërit, për të ndërtuar, kështu, një ind shoqëror përtej fraksioneve dhe etnive e për të nisur një mesazh drejt Lindjes së Mesme e mbarë botës!

02 mars 2021, 12:30