Kërko

Vatican News
Crocifisso, preghiera Crocifisso, preghiera  

Papa, gjatё Kreshmёve, na drejton ftesën: “Ndalu, shiko e ktheju

Ndalu, shiko, ktheju! Koha e Kreshmëve - kujton Papa Françesku - është kohë e përshtatshme për të korrigjuar akordet, që nuk përkojnë me jetën tonë të krishterë e për ta pranuar lajmin gjithnjë të ri, gazmor e shpresëplotë të Pashkëve të Zotit tonё Jezu Krisht. Kisha, në urtinë e saj amtare, na propozon t’i kushtojmë vëmendje gjithçkaje që mund ta ftohë e ta ndryshkë zemrën tonë besimtare.

R.SH. - Vatikan

“Ndalu, shiko e ktheju!”. Tri fjalë, për të ngrohur zemrat, në një kohë si kjo e Kreshmëve. Ua drejtoi Papa Françesku besimtarëve tё Mёrkurёn e Përhime tё 14 shkurtit 2018 , ditën e fillimit të Kreshmëve, duke kryesuar bashkësinë e lutjes, në formën e “Stacioneve” romake, më orën 17.30, në Kishën romake të  Shën Anselmit, në Aventin, pasuar nga procesioni pendestar drejt Bazilikës së Shën Sabinës, ku në përfundim të procesionit, kryesoi kremtimin e Eukaristisë, me ritin e bekimit të hirit dhe të përhimjes.

Tri, fjalët mbi të cilat u mbështet homelia e Papës tё Mёrkurёn e Përhime tё 14 shkurtit 2018 , ditën e fillimit të Kreshmëve. Tri folje, në mënyrën urdhërore: Ndalu, shiko, ktheju!

Koha e Kreshmëve - kujtoi Papa Françesku - është kohë e përshtatshme për të korrigjuar akordet, që nuk përkojnë me jetën tonë të krishterë e për ta pranuar lajmin gjithnjë të ri, gazmor e shpresëplotë të Pashkëve të Zotit. Kisha, në urtinë e saj amtare, na propozon t’i kushtojmë vëmendje gjithçkaje që mund ta ftohë e ta ndryshkë zemrën tonë besimtare.

Kohë e përshtatshme, Kreshmët, për t’i çjerrë maskën tundimeve të panumërta, zërave që mbjellin mosbesim. Kohë për t’u ndaluar disa çaste, e Papa Françesku na bën thirrje: ndalu, shiko e ktheju!

Ndalu pak, lërë këtë ngacmim e këtë vrap pa kuptim, që ta mbush shpirtin me hidhërim, ngaqë e ndjen se vrapon pa arritur kurrë në një cak.

Ndalu! Lëre mënjanë detyrimin, që të shtyn të jetosh ngutshëm, që të  hallakat, që përçan e që ta rrënon kohën, që duhet t’ia kushtoje familjes, kohën që të duhej për miqësinë, kohën për fëmijët, kohën për gjyshat, kohën për të dhuruar, pa kërkuar shpërblim… kohën për Zotin!

Ndalu, pakëz! E mos shiko të dukesh nga të gjithë, të pozosh vazhdimisht “në vitrinë”, gjë që të bën ta harrosh vlerën e intimitetit e të lutjes.

Ndale pak shikimin krenar, komentin kalimtar e përbuzës, i cili lind nga që e ke harruar dhembshurinë, mëshirën e respektin për takimin me të tjerët, posaçërisht me më të ligshtit, më të plagosurit e edhe me ata, që janë zhytur në mëkat e në gabim.

Ndalu pakëz, përballë  dëshirës së shfrenuar për të kontrolluar gjithçka, për të ditur gjithçka, për të rrënuar gjithçka, që të lind në shpirt, ngaqë e harrove mirënjohjen për dhuratën e jetës e për gjithë ato të mira, që more

Ndalu pak përballë zhurmës shurdhuese, që i mpin e i dërmon veshët tanë e na bën ta harrojmë forcën fekonduese e krijuese të heshtjes.

Ndalu pak para prirjes për të ngacmuar ndjenja shterpe, që rrjedhin nga mbyllja e vetëmëshirimi e të  bëjnë ta harrosh takimin me të tjerët, për të ndarë bashkë barrët e rënda e vuajtjet e jetës.

Ndalu, përballë boshllëkut të asaj, që kalon në çast, që zgjat një të imtë,  që zhduket pa u ndjerë, që të lë pa rrënjë, pa lidhje, pa  vlerën e udhëve, pa vetëdijen e ecjes.

Ndalu për të shkuar e për të kundruar!

Shikoji shenjat, që e pengojnë shuarjen e dashurisë, që e mbajnë gjallë flakën e fesë e të shpresës. Fytyrat  plot jetë, në të cilat shndrit mirësia e Zotit, që vepron mes  nesh!

Shiko fytyrën e familjeve tona, fytyrat e fëmijëve e të rinjve, ngarkuar me shpresë. E edhe të pleqve, që mbartin kujtesën e gjallë të njerëzve tanë e shprehin urtinë vepruese të Zotit.

Shiko fytyrat e të sëmurëve e të atyre, që u rrinë pranë! E fytyrat e penduara të njerëzve, që kërkojnë t’i  ndreqin gabimet.

Shih e kundro fytyrën e Dashurisë së Kryqëzuar, që sot, nga Kryqi, vijon të jetë mbartës i shpresës: dorë e shtrirë për ata, që ndjehen të kryqëzuar, që provojnë në jetën e tyre barrën e dështimeve e  të zhgënjimeve!

Shiko e kundro fytyrën konkrete të Krishtit të kryqëzuar nga dashuria për të gjithë, pa asnjë përjashtim. Për të gjithë? Po, për të gjithë. Të shikosh fytyrën e tij është ftesa plot shpresë e kësaj kohe Kreshmësh, për të fituar mbi demonët e mosbesimin, apatinë e nënshtrimin. Fytyrë, që na fton të brohorasim: “Mbretëria e Zotit është e arritshme!

Ndalu, shiko përreth! Ktheju në shtëpinë e Atit tënd! Ktheju pa frikë në krahët  e Atit, të pasur me mëshirë, që po të pret.

Ktheju! Pa frikë: kjo është koha e përshtatshme për t’u kthyer në shtëpi, në shtëpinë e Atit tim, Atit tuaj. Koha për ta lënë të na i prekë zemrat… Vijimi i udhës të së keqes është burim iluzionesh e trishtimi. Jeta e vërtetë është gjë tjetër; e zemra jonë e di mirë këtë: Zoti nuk lodhet as nuk do të lodhet kurrë duke na shtrirë dorën!

Ktheju! Pa frikë. Për të provuar dhembshurinë shëruese e pajtuese të Zotit! Lëre Zotin të t’i shërojë plagët e mëkatit e ta realizojë profecinë që u bëri etërve tanë: “Do t’ju jap një zemër të re, do të vë brenda jush një shpirt të ri, do ta nxjerr nga kraharori juaj zemrën prej guri e do t’ju jap një zemër mishi” (Ez 36,26).

Ndalu, shiko e ktheju!

 

11 mars 2021, 09:16