Kërko

Vatican News

Kardinali Sandri: mbledhja e fondeve për Tokën Shenjte, më e nevojshme, për shkak të pandemisë

Në një letër, prefekti i Kongregatës për Kishat Lindore flet për mbledhjen tradicionale të fondeve në favor të të krishterëve në Tokën Shenjte, që bëhet çdo vit, të Premten e madhe të Pashkëve: emergjenca shëndetësore, shkruan ai, e ka rënduar izolimin e të krishterëve

R.SH. - Vatikan

Rast për të kundruar nga afër misterin e Jezu Krishtit të vdekur e të ringjallur, por edhe mënyrë për t’u bërë idealisht shtegtarë në Jeruzalem: kjo është mbledhja e fondeve për Tokën Shenjte, që organizohet çdo vit, të Premten e Madhe të Pashkëve, sipas kardinalit Leonardo Sandri, prefekt i Kongregatës për Kishat Lindore, i cili shkruan një letër, që bëhet e njohur sot, pak kohë para ditës së caktuar për këtë qëllim.

Në qendër të mesazhit të kardinalit, vëllazërimi njerëzor, mbi bazën e të cilit duhen interpretuar të gjitha marrëdhëniet e jetës, ato “fetare, ekonomike, ekologjike, politike, komunikative. Themelin e të qenit vëllezër e motra e gjejmë pikërisht në Kalvar”. Ky është edhe koncepti i shprehur nga Papa Françesku në enciklikën “Fratelli tutti”, me të cilën, komenton kardinali Sandri, “deshi të na kujtonte pasojat e kësaj dhurate për pajtim”.

Vështirësitë e Tokës Shenjte, përkeqësuar nga koronavirusi

Me vetëdijen se viti 2020 ishte vit sprove për të gjithë, prefekti nënvizon vështirësitë e veçanta me të cilat janë përballur Qyteti i Shenjtë i Jeruzalemit dhe bashkësia e vogël e krishterë, që jeton në Lindjen e Mesme. “Në vitin 2020, të krishterët e atyre trojeve vuajtën nga izolimi, që i bëri të ndiheshin edhe më të largët, të shkëputur nga vëllezërit e tyre në vende të ndryshme të botës” shpjegon ai. Kanë humbur vendet e punës, për shkak të mungesës së shtegtarëve e në disa vende, kjo i është shtuar pasojave të luftës dhe sanksioneve. “Për më tepër - vazhdon ai – mungon edhe një pjesë e ndihmës ekonomike, që mbledhja e fondeve garanton çdo vit, për shkak të vështirësive për organizimin e saj në qytete të ndryshme, gjatë vitit 2020”.

Të bëjmë si Samaritani i Mirë

Duke i inkurajuar të gjithë të marrin pjesë në mbledhjen e fondeve të këtij viti, kardinali Sandri kujton se Papa Françesku u propozon gjithë të krishterëve “figurën e Samaritanit të Mirë si model bamirësie aktive, model dashurie që vepron me solidaritet”. Gjithnjë Ati i Shenjtë inkurajon shpesh ta “kapërcejmë indiferencën e atyre, që e shohin vëllain, ose motrën në vështirësi e, kalojnë më tej”. Siç shpjegon më tej prefekti i Vatikanit, mbledhja e fondeve është për të gjithë “mundësi për të mos e kthyer kokën nga ana tjetër, për të mos i injoruar nevojat dhe vështirësitë e vëllezërve dhe motrave tona, që jetojnë në Tokën Shenjte”. Vetëm në këtë mënyrë, sipas kardinalit, ato bashkësi do të jenë në gjendje “t’i rezistojnë tundimit për t’u larguar nga vendi, famullitë do të vazhdojnë misionin e tyre baritor, veprën edukative dhe impenjimin në favor të të varfërve”.

Kujdesi për Vendet e Shenjta na takon të gjithëve

Së fundi, thirrja e kardinalit Sandri prek çështjen e mbrojtjes së Vendeve të Shenjta, të cilat financohen pjesërisht nga mbledhja e fondeve: “Nuk mund të heqim dorë nga kujdesi për to - pohon ai - janë dëshmia konkrete e misterit të Mishërimit të Birit të Zotit dhe e ofertës së jetës së tij për hir të dashurisë për ne e për shëlbimin tonë”. Në përfundim të letrës, kardinali përmend fjalët që Shën Pali u drejtoi Korintasve dy mijë vjet më parë: “Kush mbjell pak, korr pak e kush mbjell shumë, korr shumë. Zoti i do ata që dhurojnë me gëzim”.

Pak histori për mbledhjen e fondeve të Premten e Madhe

Filluar me dëshirën e Papëve për të ruajtur lidhjen e fuqishme ndërmjet gjithë të krishterëve të botës dhe Vendeve të Shenjta, mbledhjes së fondeve të Premten e Madhe i dha nxitjen përfundimtare Papa Pali VI, përmes Nxitjes Apostolike “Nobis in Animo” të 25 marsit 1974. Rojtaria Françeskane, së cilës i është besuar Toka Shenjte, e kryen misionin e saj edhe me ndihmën e këtyre fondeve, me të cilat përveç kujdesit për Vendet e Shenjta, mbështetet edhe zhvillimi i pakicës vendase të krishterë, liturgjia, veprat apostolike, ndihma për shtegtarët. Në vitin 2020, me kërkesë të Kongregatës për Kishat Lindore, mbledhja e fondeve u shty për 13 shtator, për shkak të pandemisë. Megjithatë, falë fondit të emergjencës, krijuar nga Kongregata dhe falë bashkëpunimit të agjencive të ndryshme të Roaco-s (Bashkimi i Veprave të Nidhmës për Kishat Lindore), u financuan 303 projekte në 24 vende, përveç mbështetjes për meshtarët dhe rregulltarët.

12 mars 2021, 09:37