Kërko

Jean Luc Moens Jean Luc Moens

Jep dorëheqjen Jean-Luc Moens, moderator i Charis

Për të qenë më pranë familjes në një çast të vështirë, profesori belg dha dorëheqjen nga detyra e moderatorit të Charis, shërbimit unik ndërkombëtar për Rinovimin Karizmatik Katolik, lindur me dëshirën e Papës Françesku

R.SH. - Vatikan

Me një letër, Jean-Luc Moens, baba i shtatë fëmijëve, jep dorëheqjen nga detyra e moderatorit të Charis, shërbimit unik ndërkombëtar për Rinovimin Karizmatik Katolik. Ai shpjegon se e mori këtë vendim për të qenë më pranë familjes, që ndodhet në një situatë të vështirë. Në vitin 2018, vajza e madhe, nënë e dy fëmijëve, pati probleme serioze shëndetësore, që e lanë me paralizë të dyfishtë.

“Gjatë takimit tim me Papën Françesku, 19 shkurtin e kaluar, - kujton profesori belg në letër – Ati i Shenjtë më pyeti për gjendjen time familjare dhe tregoi dhembshuri të madhe për sprovën e rëndë që po kalojmë”. “Më inkurajoi të lutem dhe të kuptoj ç’duhet të bëj në këtë situatë të paparashikuar, duke më lënë plotësisht të lirë të marr vendimin më të mirë për familjen”. Pas “shumë lutjesh”, shton Jean-Luc Moens, mora vendim të jap dorëheqjen, për t’i qëndruar më pranë familjes. Tani ka ardhur koha për një rrugë të re. “Ndërsa isha duke menduar, gjatë lutjeve të mëngjesit me bashkëpunëtorët e Romës - shpjegon Jean-Luc Moens - kënduam himnin e Don Moen “Zoti do ta hapë një rrugë”. Ishte shndritje e vërtetë për mua, që më dha paqe e gëzim të thellë në shpirt. Ndjeva që Zoti më foli drejtpërdrejt përmes fjalëve të këngës. Po thoshte: do të hap një udhë të re aty ku duket sikur nuk ka”.

Cantalamessa: nuk do ta harrojmë shembullin e Jean-Luc Moens

 Asistenti kishtar i Charis, kardinali Raniero Cantalamessa, nënvizon në një letër të tij se Jean-Luc Moens “la një shembull prekës përkushtimi”, duke i shpenzuar “gjithë energjinë e tij për këtë situatë kaq delikate familjare”. “Me dorëheqjen e tij të dhimbshme, i la Charis një shembull, që nuk do ta harrojmë. Ne do ta shoqërojmë me dashuri”. “Në këtë çast tranzicioni - shton kardinali për anëtarët e organizatës – dëshiroj ta dini se jam pranë jush, veçanërisht me lutje”. “Ju nxis të ecni përpara, të sigurt në besnikërinë e Zotit. Ne e dimë se kemi në duar një thesar të destinuar për gjithë Kishën dhe duhet të vazhdojmë ta propozojmë atë me përvujtëri e guxim, duke e ditur që Hiri i Shpirtit Shenjt e hap rrugën në zemra me forcën e vet dhe arrin aty ku s’e presim”.

Ç’është Charis?

Shërbimi unik ndërkombëtar për Rinovimin Karizmatik Katolik, Charis, u themelua më  8 dhjetor 2018 nga Dikasteri për Laikët, Familjen dhe Jetën. Statutet e tij hynë në fuqi në Rrëshajët e dy viteve më parë. Më 8 qershor 2019, gjatë takimit me pjesëmarrësit në Konferencën Ndërkombëtare të krerëve të Rinovimit Karizmatik Katolik, promovuar nga Charis, Papa Françesku nënvizoi lindjen e “një shërbimi për të gjitha realitetet karizmatike, që Shpirti Shenjt ka frymëzuar në botë”.

Jo një organizatë, “që i shërben disa realiteteve”, por një shërbim i vetëm. Me atë rast, Françesku shpjegoi edhe ç’pret Kisha nga ky shërbim i ri, nga Charis dhe nga i gjithë Rinovimi Karizmatik. “Kjo lëvizje – u lut ai - ndaftë Pagëzimin në Shpirtin Shenjt me të gjithë në Kishë. Ky është hiri, që keni marrë. Ndajeni me të tjerët”. “I shërbeftë unitetit të korpit të Krishtit, që është Kisha, bashkësi besimtarësh në Jezu Krishtin”. “U shërbeftë edhe të varfërve, më nevojtarëve për çdo lloj nevoje, fizike e shpirtërore”.

30 mars 2021, 15:13