Kërko

Vatican News

Java Madhe e Pashkëve, në këtë javë Zoti Jezus kreu gjestet më të larta

Liturgjia e Kishës romake e Javës së Madhe të Pashkëve duke u kremtuar në shekuj, bëri të vetat shumë rite me zanafillë të ndryshme, por edhe ruajti me kujdesin më të madh ritet e lashtësisë së vet.

R.SH. - Vatikan

Ditë  të pashembullta për dendësinë e takimeve dhe thellësinë shpirtërore. Kështu i jetojnë të krishterët ditët në prag të Pashkëve, kur viti liturgjik kishtar i fton ta përjetojnë e ndjejnë thellësisht Javën e Madhe e, në veçanti, Treditshin e Solemnitetit.

Java e Shenjtë e Pashkëve që shekullin IV

Java, që i paraprin Pashkëve, qysh nga kohët më të lashta quhet Javë e Shenjtë. E vërtetojnë këtë shkrimet e Shën Atanazit, që jetoi në shekullin IV. Në Lindje kjo javë quhej “e Madhe”. E kështu quhet prej shekujsh edhe në Shqipëri. Quhej e vijon të quhet ‘e Madhe’ – na shpjegon Shën Gjon Gojarti – jo pse ka më shumë ditë sesa javët e tjera, as pse i ka ditët më të gjata, por pse në këtë javë Zoti kreu gjestet më të larta”.

Duhet sqaruar se në zanafillë, e ndoshta që nga kohët apostolike, kremtoheshin vetëm e Premtja dhe e Shtuna” ‘ditë në të cilat – siç vëren Tertuliani – Kishës ia morën dhëndrrin”. Gjatë këtyre dy ditëve besimtarët agjëronin më shumë se ditëve të tjera e, në shenjë zije, nuk shkëmbehej puthja e paqes. Kremtimi përfundonte me të Dielën e Pashkëve. Kremtohej kështu Treditëshja e Pashkëve, nga e premtja, tek e diela.

Në shekullin IV nisën të kremtohen në formë historike ngjarjet e Ungjillit, posaçërisht themelimi i Eukaristisë, të enjten. Ky kremtim shënoi një risi në Treditëshen e Pashkëve, që nuk zgjatej më nga e premtja tek e diela, por nga e enjtja, tek e shtuna. Më pas u shtua edhe një ditë tjetër, e mërkura, në kujtim të vendimit që morën judenjtë për ta mbytur Krishtin. Më pas, herë pas here, u shtuan edhe e hëna dhe e marta, aq sa tek Shën Atanazi gjejmë porosinë për të agjëruar në mënyrë të posaçme në këto gjashtë ditë shenjte e të mëdha.

Kjo nuk do të thotë se që në shekullin IV të gjitha ditët e Javës së Madhe patën, në këndvështrimin liturgjik, rëndësinë që morën më pas e që e kanë edhe sot e kësaj dite. Në Lindje ndiqeshin nga populli e nderoheshin shumë më tepër se gjetiu. Kemi dëshmi të lashta për kremtimet e veçanta të Kishës së Jeruzalemit. Në Viset e Shenjta, përplot me kujtime tronditëse, nisin të kremtohen liturgji të posaçme, të cilat më pas, pak nga pak, përhapen në perëndim, duke arritur edhe në Romë.

Java e Shenjtë e Pashkëve në Romë

Në Qytetin e Amshuar, Romë, përveç kremtimit të Eukaristisë, të Enjten e Madhe u shtua edhe rrëfimi i pendestarëve si dhe bekimi i Vajrave shenjte. Gjithnjë në Romë, të hënën e të martën, nisi të kremtohej një liturgji e posaçme, e porositur nga Papa Hilari, në shekullin V. Të premten e të shtunën, në Romë e në vise tjera, nuk u lejua asnjëherë kremtimi eukaristik. Ritet që kremtohen sot të Premten e Madhe – adhurimi i Kryqit e Mesha e të parashenjtëruarve - hynë në liturgjinë romake rreth shekullit VII; e ata të së Shtunës së Madhe, dhe më vonë.

Mund të themi se Liturgjia romake e Javës së Madhe të Pashkëve duke u kremtuar në shekuj, bëri të vetat shumë rite me zanafillë të ndryshme, por edhe ruajti me kujdesin më të madh ritet e lashtësisë së vet. Nga dokumentet që vijnë deri në ditët tona prej lashtësisë së krishterë, përveç përshkrimit të mirëfilltë të kremtimit liturgjik, gjejmë edhe frymën e fesë që gjallëronte bashkësinë, e cila i jetonte ngjarjet liturgjike si pjesë përbërëse të jetës shoqërore. Perandorët e krishterë, që nga shekulli IV, për të lehtësuar mbajtjen e agjërimit dhe ndjekjen e funksioneve liturgjike të kësaj Jave, siguruan me ligj mundësinë e pushimit për shërbëtorët si dhe ndërprerjen e gjyqeve civile e penale. E një praktikë e tillë vijoi për disa shekuj, si në Lindje, ashtu edhe në Perëndim.

Kremtimi i Javёs sё Pashkёve është mister, prani

Neve, që jetojmë në epokën e shekullarizuar, nuk na vjen keq vetëm për humbjen e disa dokeve e zakoneve njerëzore, të cilat mund të shlyhen lehtësisht. Për ne e për njerëzit e të gjitha epokave rëndësi ka nderimi i thellë e përshpirtëria, që na bëjnë ta jetojmë, në lutje e pendesë, misterin e shëblimit tonë që u realizua nga Jezu Krishti. Prandaj, të kremtosh ngjarjet e mishërimit, tё jetёs, tё mundimeve, vdekjes mbi kryq dhe Ngjalljes së Birit të Hyjit – Jezu Krishtit nuk do të thotë thjesht të kujtosh fakte të së kaluarës, por t’i bësh të pranishme këto mistere, mbartëse të shëlbimit tonё. Kremtimi liturgjik i Javёs sё Madhe tё Shenjtё tё Pashkёve, nuk është vetëm një kujtim, por, mbi të gjitha, është mister, është prani.

30 mars 2021, 12:19