Kërko

Vatican News

Imzot Urbańczyk: vaksinat, vëllazërimi dhe shpresa, të nevojshme për të kapërcyer pandeminë

Vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë në OSBE (Organizata për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë, me seli në Vjenë), imzot Janusz Urbańczyk, duke folur në takimin kushtuar rimëkëmbjes post-Covid, sfidave dhe mundësive që hap pandemia, nënvizoi: “Vëllazërimi dhe shpresa janë si ilaçet për të cilat ka nevojë sot bota, njëlloj si për vaksinat”

R.SH. - Vatikan

Për të kapërcyer pandeminë e Covid-19, është e nevojshme që vaksinat t’i kenë të gjithë, por duhen edhe vëllazërimi e shpresa për të ndërtuar një botë më të mirë, më të drejtë e më gjithëpërfshirëse: këtë theksoi Vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë në OSBE (Organizata për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë, me seli në Vjenë), imzot Janusz Urbańczyk, duke folur në takimin kushtuar rimëkëmbjes post-Covid, sfidave dhe mundësive që hap pandemia.

Emergjenca globale, pohoi prelati, po shkakton një krizë shumëpërmasore, e cila prek sektorët shëndetësorë, ekonomikë dhe shoqërorë “njëkohësisht e në ndërlidhje, duke ndikuar seriozisht në modelet tona të bashkëjetesës në nivelin lokal, rajonal dhe ndërkombëtar”. Ky “virus pa kufij” i ka përkeqësuar edhe emergjencat ekzistuese “në fushën e ushqimit, të ekonomisë dhe të migrimit”, por gjithashtu, është kthyer në “terren pjellor”, për shkak të përhapjes së “armosferës së izolimit e të mosbesimit”, e cila “copëzon gjithnjë e më shumë indin shoqëror dhe marrëdhëniet ndërmjet shteteve”.

Në këto kohë të vështira, - theksoi kryeipeshkvi Urbańczyk - ekziston vetëm një alternativë: “Ta pranojmë brishtësinë e përbashkët dhe të kërkojmë zgjidhje të tjera” për ta “shndërruar dhe për ta rimenduar stilin e jetës dhe sistemin aktual ekonomik dhe shoqëror, që e thellojnë hendekun ndërmjet të pasurve dhe të varfërve, përmes shpërndarjes së padrejtë të pasurive”. Kemi nevojë, nënvizoi Vëzhguesi i përhershëm i Vatikanit, për “një kuadër etik më të qëndrueshëm”, bazuar në solidaritetin global dhe në mbrojtjen e gjithësisë.

Që këtej, thirrja për “të garantuar shpërndarjen e drejtë të vaksinave”, megjithëse ato “nuk shërojnë sëmundje shoqërore të tilla si pabarazia dhe indiferenca”. Atëherë, për të dalë nga pandemia e Covid-19, duhen “rishikuar marrëdhëniet ndërmjet individëve dhe ekonomisë drejt një modeli më gjithëpërfshirës dhe më njerëzor, që inkurajon subsidiaritetin, mbështet zhvillimin ekonomik në nivelin lokal dhe investon në arsim dhe infrastrukturë për të mirën e gjithë bashkësive”.

Në fakt, theksoi prelati, kur ekonomia është “me të vërtetë në shërbim të zhvillimit të gjithanshëm njerëzor integral”, bëhet i mundur “dialogu më efektiv, që synon forcimin e sigurisë dhe bashkëpunimin ndërmjet shteteve”. Së fundi, duke përmendur fjalët e Papës Françesku për Trupin Diplomatik të akredituar në Selinë e Shenjtë, në audiencën e 8 shkurtit, imzot Urbańczyk nënvizoi: “Vëllazërimi dhe shpresa janë si ilaçet për të cilat ka nevojë sot bota, njëlloj si për vaksinat”.

16 mars 2021, 13:47