Kërko

Vatican News

Imzot Gallagher: drejtësia penale nuk është dënim, por riedukim

Shteti i së drejtës, parandalimi i krimit dhe drejtësia penale “duhet të ecin dorë për dore”: kështu imzot Paul Richard Gallagher, Sekretar i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet, në një videmesazh për Kongresin e 14-të të Kombeve të Bashkuara mbi parandalimin e krimit dhe mbi drejtësinë penale

R.SH. - Vatikan

“Selia e Shenjtë është plotësisht e bindur se Shteti i së drejtës, parandalimi i krimit dhe drejtësia penale duhet të ecin dorë për dore”: kështu pohoi imzot Paul Richard Gallagher, Sekretar i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet, në një videomesazh për Kongresin e 14-të të Kombeve të Bashkuara kushtuar parandalimit të Krimit dhe Drejtësisë Penale, mbajtur në Kioto të Japonisë nga data 7 mars e përfunduar sot, më 9 mars.

Në veçanti, prelati kujtoi se “zbatimi i shtetit të së drejtës është thelbësor për arritjen e zhvillimit të vërtetë të gjithanshëm njerëzor”, prandaj, ai ka nevojë “jo vetëm për përpjekjet e autoriteteve policore, por edhe për impenjimin e shoqërisë në përgjithësi”. Për këtë, nënvizoi imzot Gallagher, “parandalimi dhe përgjigjja kundër veprimtarive kriminale lidhet ngushtë me respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave universale të njeriut, si në shkallë kombëtare, ashtu edhe në atë ndërkombëtare”.

Pabarazia, korrupsioni dhe pandemia ushqejnë krimin

 Imzot Gallagher theksoi se krimi ushqehet nga “pabarazitë ekonomike dhe shoqërore e nga korrupsioni, duke mbjellë viktima” kudo. Gjendje, që është keqësuar edhe më tej nga pandemia e koronavirusit. E megjithatë, Sekretari vatikanas për Marrëdhëniet me Shtetet është i bindur se “parandalimi i krimit nuk duhet të reduktohet në aspektet e tij ndëshkuese”, siç nënvizon shpesh Papa Françesku. Drejtësia nuk duhet, thjesht, të ndëshkojë, por duhet të shkojë më tej, të korrigjojë, të përmirësojë dhe ta edukojë njeriun.

Parimi i kujdesit e ai “pro homine”

Imzot Gallagher kujtoi dy parime themelore, që duhen zbatuar nga sistemet e së drejtës penale: i pari është “parimi i kujdesit, për të shmangur çdo cënim të të drejtave dhe të lirive themelore të njeriut”, ndërsa i dyti është “parimi ‘pro homine’, që synon gjithnjë mbrojtjen e dinjitetit të njeriut”. Kjo do të thotë që çdo autoritet gjyqësor, legjislativ, ose ekzekutiv duhet të zbatojë normën, ose interpretimin më të favorshëm për individin ose bashkësinë. Në fund të videomesazhit, prelati përmendi thirrjen e Atit të Shenjtë për “një drejtësi, që humanizon, që pajton vërtet, një drejtësi që e çon edhe atë, që ka kryer krime, drejt rehabilitimit dhe integrimit të plotë në shoqëri, përmes një rruge edukative dhe pendimi”.

09 mars 2021, 11:40