Kërko

Vatican News

Gallagher në OKB: të drejtat njerëzore janë të patjetërsueshme, të gjitha për t’u mbrojtur

Sekretari i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet, imzot Paul Richard Gallagher, u dërgoi një videomesazh pjesëmarrësve të sesionit të 46-të të Këshillit të të drejtave të njeriut në OKB. Kësaj radhe, takimi u mbajt virtualisht, për shkak të pandemisë së koronavirusit.

R.SH. - Vatikan

E drejta për jetën, respektimi i të gjitha të drejtave edhe në kohë pandemie, si edhe e drejta e ushtrimit të lirë të fesë, ishin në qendër të vëmendjes së videomesazhit, që Sekretari i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet, imzot Paul Richard Gallagher, u drejtoi sot pjesëmarrësve të sesionit të 46-të të Këshillit të të drejtave të njeriut në OKB. Takimi u mbajt virtualisht, për shkak të masave kundër koronavirusit.

 “Për më se një vit, pandemia e Covid-19 ka ndikuar në çdo aspekt të jetës, duke sjellë humbjen e shumë njerëzve dhe duke hedhur dyshime mbi sistemin tonë ekonomik, shoqëror dhe shëndetësor – nënvizoi imzot Gallagher. - Gjithashtu, ajo e sfidoi impenjimin tonë për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave universale të njeriut, por, njëkohësisht, pohoi edhe rëndësinë e tyre. Si bashkësi globale, ne duhet t’i rizbulojmë themelet e të drejtave të njeriut, në mënyrë që t’i zbatojmë ato me të vërtetë”.

Të drejtat e njeriut rrjedhin nga vlera universale

Pavarësisht nga Deklarata e nga Karta e OKB-së për këtë qëllim, respektimi i të drejtave të njeriut nuk është i lehtë për t’u zbatuar, pranoi imzot Gallgher. Për ta bërë këtë, Sekretari vatikanas për Marrëdhëniet me Shtetet kërkoi që të drejtat e njeriut të mos trajtohen të ndara nga vlerat e mëparshme dhe universale njerëzore, përndryshe bëhen pre e modës së çastit, ose e ideologjive mbizotëruese. Madje, ka rrezik të konsiderohen të drejta edhe ato, të cilave u mungon baza objektive, duke u larguar kështu nga qëllimi për t’i shërbyer dinjitetit njerëzor. Imzot Gallagher e shpjegoi mendimin e tij me një shembull:

“Jeta, - theksoi ai - para se të jetë e drejtë e njeriut, është para së gjithash një vlerë për t’u dashur dhe për t’u mbrojtur. Kuptimi i së drejtës për jetën është zgjeruar gradualisht, duke iu kundërvënë akteve të torturës, zhdukjeve me forcë dhe dënimit me vdekje; si edhe duke mbrojtur të moshuarit, migrantët, fëmijët dhe amësinë. Këto zhvillime – vijoi shpjegimin imzot Gallagher - janë zgjerime të arsyeshme të së drejtës për jetën, sepse e ruajnë bazën e tyre themelore në vlerën e natyrshme të jetës. Por, kur kjo e drejtë ndahet nga baza e saj themelore, kemi rrezikun real të minimit të vlerës, që synojmë ta mbrojmë”.

Përfaqësuesi i Vatikanit përmendi një nga komentet e Komitetit të përgjithshëm për të drejtat e njeriut, që e konsideron të drejtë edhe ndihmën për ta përfunduar jetën para kohe, ose atë për t’i dhënë fund jetës së fëmijëve të palindur.

Të drejtat e njeriut në kohë pandemie

Gjithashtu, imzot Gallagher denoncoi kufizimin e të drejtave të njeriut në kohë pandemie, sidomos përsa u përket të moshuarve, migrantëve, refugjatëve, të zhvendosurve dhe fëmijëve. Në rastin kur këto kufizime janë të nevojshme, kërkoi ai, ato duhet të jenë në përpjestim të drejtë me situatën, të zbatueshme vetëm kur nuk ka rrugë të tjera, pa krijuar diskriminime të kota.

Urgjente, mbrojtja e lirisë së fesë

Në këtë kuadër, Selia e Shenjtë vë në dukje urgjencën e mbrojtjes së lirisë së mendimit, të ndërgjegjes e të fesë. Sidomos kjo e fundit, cënohet shpesh në këtë gjendje pandemie, kur njerëzit janë të detyruar të mbyllen nëpër shtëpi, në pamundësi për të frekuentuar vendet e kultit. Imzot Gallagher vuri theksin në lirinë e fesë, thelbi i dinjitetit të njeriut, që kërkon impenjimin e politikanëve, të shoqërisë civile e të krerëve fetarë kudo në botë.

Të forcohet bashkëpunimi shumëpalësh

Së fundi, duke cituar enciklikën e Papës Françesku “Fratelli tutti”, imzot Gallagher i kërkoi bashkësisë ndërkombëtare ta shfrytëzojë pandeminë e koronavirusit për të forcuar bashkëpunimin shumëpalësh në zgjidhjen e problemeve dhe ndjenjën e përgjegjësisë globale e të solidaritetit, bazuar në drejtësinë dhe në impenjimin për paqe e bashkim brenda familjes njerëzore. “Ky është plani i Zotit për botën tonë”, nënvizoi Sekretari i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet.

23 shkurt 2021, 13:20