Kërko

Vatican News

Vatikani: asnjë formë detyrimi për ata, që refuzojnë vaksinën

Një notë e Guvernatoratit të Vatikanit shpjegon arsyet për dekretin e fundit, ku theksohet nevoja e vaksinimit të punonjësve, që shërbejnë në sektorë të veçantë, në kontakt me publikun: të përkojë mbrojtja e bashkësisë me lirinë e vendimmarrjes individuale

R.SH. - Vatikan

Njoftim për shtyp i Guvernatoratit vatikanas për çështjen e vaksinimeve kundër koronavirusit, pas Dekretit të kreut të Komisionit Papnor për Shtetin e Vatikanit nr. CCCXCVIII (398) mbi emergjencën shëndetësore, botuar më 8 shkurt. Ky dekret, thuhet në notë, i jep “përgjigje normative urgjente nevojës kryesore për të mbrojtur dhe garantuar shëndetin dhe mirëqenien e bashkësisë së punonjësve, të qytetarëve dhe të banorëve të Shtetit të Vatikanit. Prandaj, premisa ishte ajo e mbrojtjes individuale të punonjësit dhe ajo e mbrojtjes kolektive të ambientit të punës, në rastin e ndonjë ngjarjeje, që mund të kthehet në emergjencë për shëndetin publik. Në veçanti - vazhdon nota - dispozita ka të bëjë me të gjitha masat e duhura për të parandaluar, kontrolluar dhe luftuar gjendjet e jashtëzakonshme të emergjencës në fushën e shëndetit publik. Në të përcaktohen të gjitha mjetet për t’u përgjigjur si duhet, në përpjestim me rrezikun shëndetësor”.

Duhet pasur parasysh rreziku, që vjen nga refuzimi i vaksinimit

Në tekst shpjegohet se “ndër këto masa, sipas udhëzimeve të Autoritetit Shtetëror Shëndetësor, mund të konsiderohet i domosdoshëm vaksinimi në disa kontekste: në veprimtari, që lidhen me shërbimin publik, në marrëdhëniet me palë të treta, ose në raporte të rrezikshme për sigurinë e bashkësisë së punonjësve. Pjesëmarrja vullnetare në programin e vaksinimit duhet, pra, të marrë parasysh rrezikun, që mund të sjellë çdo refuzim nga personi i interesuar, si për veten, ashtu edhe për të tjerët e për ambientin e punës. Për këtë arsye – lexohet më tej në notë – për ata që refuzojnë vaksinimin pa ndonjë motiv shëndetësor, detyra e mbrojtjes së bashkësisë mund të parashikojë miratimin e masave, të cilat, nga njëra anë, e minimizojnë rrezikun në fjalë dhe, nga ana tjetër, lejojnë gjetjen e zgjidhjeve alternative për vijimin e punës nga ana e të interesuarit”.

Asnjë detyrim, por kujdes për të gjithë

Nota e Guvernatoratit kujton se “Normat e mëparshme për mbrojtjen e dinjitetit të njeriut dhe të të drejtave të tij themelore, që duhet të respektohen gjatë kontrolleve shëndetësore kur punësohet personeli vatikanas dhe kur është në marrëdhënie pune, si edhe Normat për mbrojtjen e punonjësve me patologji të veçanta e serioze, ose në kushte të caktuara psikofizike, miratuar më 18 nëntor 2011, duhet të konsiderohen mjete juridike, që në asnjë rast, nuk kanë natyrë sanksionuese a ndëshkuese, por synojnë të japin një përgjigje elastike dhe proporcionale, për të ekuilibruar kujdesin për shëndetin e kolektivit me lirinë e vendimmarrjes individuale, pa ushtruar ndonjë formë shtrëngimi ndaj punonjësve”.

19 shkurt 2021, 12:26