Kërko

Vatican News

Turkson: patentat e ilaçeve pengojnë përhapjen e vaksinave

R. SH. - Vatikan

Me rastin e Ditës Botërore të të Sëmurit, kardinali Peter Turkson komenton fushatën e vaksinimit, në vijim. Prefekti i dikasterit për Zhvillimin e Gjithanshëm Njerëzor reflekton për situatat që krijohen në vendet më pak të zhvilluara: “Jugu i botës - kujton - jeton me kokën e kthyer gjithnjë nga veriu, prej nga shpreson t’i vijnë vaksinat, duke harruar se mund t’i prodhojë edhe në vendet e veta”.

Problem, që lidhet me sigurinë globale

Ky sistem nuk mund të pranohet më - shton Hirësia e Tij -  që, në vijim kërkon ndërhyrjen e organizmave ndërkombëtare, duke nisur nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së, e duke kujtuar thirrjen e bërë së bashku me kryetarin e Caritas Internationalis, kardinalin Luis Antonio Tagle:

 “Ka ardhur koha që Pallati i Qelqit të merret me këtë problem, duke pasur parasysh se tashmë është çështje që ka të bëjë me sigurinë globale. Por edhe Organizata Botërore e Tregtisë mund të luajë rolin e saj për të lehtësuar hallkat e pronësisë intelektuale lidhur me ilaçet. Kjo praktikë - nënvizon - përbën një pengesë serioze për prodhimin e vaksinave në vende të ndryshme nga ata, që aktualisht i kanë patentat”.

Virusi dhe ilaçet natyrore

Kardinali beson në aftësitë e “Afrikës së tij”. Në disa vende të Kontinentit - tregon -  ka laboratore të afta  për ta vënë në qarkullim vaksinën, duke lehtësuar përdorimin e saj universal, të dëshiruar nga Papa. Po ka edhe më! Ka realitete aktive në frontin e përdorimit të ilaçeve natyrore, që mund të ndihmojnë shumë në mjekimin - e mundjen e virusit. Turkson kujton posaçërisht rastin e Senegalit, ku një ilaç i tillë u përdor me sukses, duke shpëtuar mijëra jetë njerëzore. “Asnjë vdekje!” - saktëson, duke kujtuar se edhe në Gjermani ka struktura që punojnë në këtë drejtim. Prej këndej, pohimi: “Po shikojmë nëse është e mundur t’i porosisim këto prodhime për t’i çuar në vende ku vaksina nuk mund të arrijë në kohën e duhur”.

Një dokument për shëndetin mendor

Ndërkaq Komisioni vatikanas Covid-19, i ngritur sipas dëshirës së Papës, nën udhëheqjen e kardinalit Turkson, po shikon me shqetësim ndikimet e pandemisë mbi shëndetin e mendor të njerëzve. E shqetësimi është aq i madh, sa të hartohet një dokument i përqendruar tërësisht mbi bashkëjetesën në hapësirat shtëpijake, në kohën e emergjencës shëndetësore. “Është dokument baritor, me qëllim shoqërimi - saktëson Hirësia e Tij -  që synon t’i inkurajojë njerëzit, të cilët vuajnë psikisht për shkak të pandemisë, si dhe ata, që i kujdesin”. Çka pason sëmundjen është se pamundësia për të dalë, posaçërisht kur familja nuk ka shumë burime kulturore e materiale, krijon shpesh tensione, agresivitet e, nganjëherë, edhe forma të dhunës”.  

10 shkurt 2021, 15:03