Kërko

Vatican News

Thirrje për OKB-në: askush të mos përjashtohet nga vaksinimi anti-Covid

Në një deklaratë të përbashkët, kardinajtë Tagle dhe Turkson kërkojnë që, në këtë pandemi, të gjithë të kenë të drejtën e vaksinës. Ata i bëjnë thirrje Këshillit të Sigurimit të OKB-së të organizojë një mbledhje të jashtëzakonshme

R.SH. - Vatikan

Caritas Internationalis dhe Dikasteri i Vatikanit për Nxitjen e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor, me një deklaratë të nënshkruar nga kard. Luis Antonio Tagle, president i Karitasit Ndërkombëtar dhe nga kard. Peter Turkson, prefekt i Dikasterit, së bashku me Aloysius John, sekretar i përgjithshëm i Caritas Internationalis, kërkojnë që të gjitha vendet, sidomos ato më pak të zhvilluara, të furnizohen me vaksina kundër koronavirusit.

Në veçanti, ata i bëjnë thirrje OKB-së të organizojë për këtë qëllim një takim të posaçëm të Këshillit të Sigurimit. Pandemia ka nxjerrë në dritë “brishtësinë e ekzistencës njerëzore”, lexohet në notë. Për të luftuar kundër përhapjes së këtij virusi, familja njerëzore është përpjekur të veprojë në mënyrë solidare, duke u detyruar të vendosë distanca, të mbyllë kufij dhe të komunikojë virtualisht. Shpesh, Papa Françesku ka nënvizuar se vetëm të bashkuar mund të dalim nga kjo pandemi.

Asnjë ndryshim ndërmjet vendeve të pasura e të varfra

Këtë vit, vaksinat u kanë dhënë njerëzve shpresë të re për përballimin e Covid-19. Por kombet e pasura kanë investuar në blerjen e tyre, duke e lënë jashtë Jugun e botës, që nuk i ka ato mundësi. Dokumenti përmend nxitjen e Atit të Shenjtë për vaksinimin e të gjithëve, sepse kjo është mënyrë për të marrë përsipër përgjegjësinë e luftës kundër koronavirusit, jo vetëm për vete, por edhe për të tjerët. Në tekst, shprehet shqetësimi për bashkësitë afrikane dhe për vendet më të varfra të Amerikës Latine e të Azisë.

Jeta, nënvizohet më tej, është dhuratë e çmuar e Zotit, prandaj, askush nuk duhet përjashtuar nga vaksinimi. Kujdesi për të varfërit, pakicat, refugjatët dhe të mënjanuarit e shoqërisë, është përparësi morale, theksojnë kardinajtë, sepse janë më të ekspozuarit ndaj koronavirusit e shëndeti i tyre ndikon globalisht në shëndetin kolektiv. Dokumenti i fton politikanët e gjithë botës ta shohin strategjinë e vaksinimit jo si çështje kombëtare, por si problem sigurie për gjithë familjen njerëzore.

Të rishikohet borxhi i vendeve më të varfra

Karitasi Ndërkombëtar dhe Dikasteri vatikanas për Zhvillimin e Gjithanshëm Njerëzor vënë në dukje se në shumë vende mungojnë infrastrukturat mjekësore bazë dhe disa bashkësi – sidomos nëpër fshatra të largëta – nuk janë sensibilizuar për rëndësinë e vaksinimit. Nëse pandemia del jashtë kontrollit në jugun e botës, vërejnë ata, kjo do të sillte një krizë të re humanitare globale.

Dokumenti i nënshkruar nga krerët e dy organizmave kishtare kërkon rishikimin e borxhit të jashtëm për këto vende, pasi fondet e kursyera mund të përdoren për shëndetësinë. Kërkohet edhe të shqyrtohet çështja e patentës për vaksinat, në mënyrë që të fillojë prodhimi edhe në Afrikë, Amerikë Latine e Azi. Kisha Katolike vë në dispozicion për këtë strukturat e saj, që janë të përhapura në gjithë vendin dhe e njohin mirë gjendjen e të varfërve, të migrantëve apo të të shpërngulurve.

Për vaksinat, të ndërhyjë OKB-ja

Në përputhje me udhëzimet e Dikasterit për Nxitjen e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor në notën “Vaksinat për të gjithë: 20 pika për një botë të drejtë dhe të shëndetshme”, Caritas Internationalis u kërkon politikanëve dhe Kombeve të Bashkuara të veprojnë sipas disa përparësive:

- Të organizojnë një takim të Këshillit të Sigurimit për të diskutuar çështjen e vaksinave, duke pasur parasysh sigurinë globale e duke marrë vendime politike shumëpalëshe.

- Të rishikojnë borxhin e vendeve më të varfra dhe të përdoren fondet e përftuara në përmirësimin e sistemit shëndetësor të këtyre vendeve.

- Të promovojnë prodhimin vendor të vaksinave në qendra të ndryshme të Afrikës, Amerikës Latine dhe Azisë, brenda 6 muajve të ardhshëm, duke zgjidhur çështjen e patentave dhe bashkëpunimin teknik me to.

- Të mbështesin financiarisht dhe teknikisht organizatat lokale të shoqërisë civile, sidomos ato me bazë fenë, për të siguruar përgatitjen e bashkësive lokale përmes vetëdijësimit dhe shtimit të kapaciteteve.

05 shkurt 2021, 13:29