Kërko

Shën Gregori i Narek Shën Gregori i Narek  

Shën Gregori i Narek, “doktor i paqes”, për botën e sotme

Në ditën e kujtimit të tij të parë liturgjik, Shën Gregori i Narek kujtohet me një Meshë e një lutje ekumenike, në Vatikan. Shenjti ka vlerë të madhe si në historinë armene, ashtu edhe në atë të Kishës universale, me mesazhin e tij të paqes, të lutjes e të faljes.

R. SH. - Vatikan

Në ditën e kujtimit të tij të parë liturgjik, Shën Gregori i Narek kujtohet me një Meshë e një lutje ekumenike, në Vatikan. Shenjti ka vlerë të madhe si në historinë armene, ashtu edhe në atë të Kishës universale, me mesazhin e tij të paqes, të lutjes e të faljes.

Shën Gregori i Narek, “doktor i paqes”, për botën e sotme

Një Doktor i Kishës, të cilin mund ta quajmë edhe “Doktor i Paqes”. Kështu qe shprehur Papa Françesku kur, gjatë shtegtimit të tij apostolik në Armeni, më 2016-tën, pati marrë pjesë në takimin ekumenik të lutjes për paqe. Në  “Librin e Vajtimeve”, Shën Gregori i Narek i pati drejtuar Zotit një lutje, përmes së cilës i kërkonte falje e mëshirë për të gjithë armiqtë. Tejet aktuale për ne të gjithë, kjo lutje:

“Mos i shfaros, o Zot, ata që më kafshojnë: shndërroji! Shkule sjelljen e tyre veskeqe tokësore e mbille sjelljen mirë në shpirtin tim e në shpirtin e tyre”. (Libri i Vajtimeve, 83,1-2).

Ky murg teolog, mistik e poet armen, që jetoi ndërmjet viteve 951 e 1010, u bë ‘lutje” për mbarë botën, duke përhapur kudo mesazhin e solidaritetit universal me njerëzimin. “Lutja e tij ishte britmë, që lartohej - e lartohet - drejt qiellit, duke kërkuar mëshirë për të gjithë”, pati kujtuar Papa, duke i nxitur armenët “të bëhen lajmëtarë të kësaj fryme, që fal e bashkon”.

Shenjt i solidaritetit e i paqes

Një vit para vizitës në Armeni, më 2015-tën, Papa Françesku e pati deklaruar Shën Gregorin e Narek, tashmë të nderuar nga Kisha apostolike armene e edhe nga Kisha katolike, me titullin “Doktor i Kishës universale”. Me këtë rast u pati drejtuar armenëve një mesazh, duke kujtuar, në shenjë solidariteti, fjalët profetike të Shën Gregorit të Narek, “këtij interpretuesi të pashoq të shpirtit njerëzor”, i cili u bë ‘britmë që kërkon mëshirë për të gjithë” e “lutje për mbarë botën”, duke na ftuar të ecim në gjurmët e tij!

“Unë - shkruante Shenjti në 'Librin e Vajtimeve' -  i mora mbi vete të gjitha mëkatet e botës, që nga mëkatet e atit të parë, e deri tek ato të trashëgimtarit të tij më të fundit, dhe e quaj veten përgjegjës për to”. Ndërmjet veprave të tij, kujtojmë  komentin e Këngës së Këngëve dhe një mori panegjirikësh.

I fortë, devocioni i Shën Gregorit për Marinë, e gjithëpranishme në reflektimet tij teologjike. Ndërmjet këtyre elementeve të rëndësishme, paralajmërimi i dogmës së Zojës së Papërlyer, shpallur tetëqind vjet më pas.

I shkruar në Kalendarin romak

Shkurtin e kaluar Papa Françesku dekretoi që në Kalendarin e Përgjithshëm romak të shkruheshin kujtimet fakultative të disa Doktorëve të Kishës. Ndërmjet tyre, Shën Gregori i Narek, më 27 shkurt. Pak më parë, në vitin 2018, Papa pati bekuar shtatoren prej bronzi, kushtuar Shenjtit, vendosur në Kopshtet e Vatikanit.

27 shkurt 2021, 12:00