Parolin: Radio Vatikani, gur kilometrik e zë universal
R. SH. - Vatikan
Në Meshën kremtuar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin sot paradite, në altarin e Katedrës të Bazilikës Shën Pjetrit, në 90-vjetorin e Radio Vatikanit, mori pjesë një përfaqësi punonjësish të emitentes. Bashkëkremtuan kardinali Marcello Semeraro, prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve dhe anëtar i Dikasterit për komunikimin; sekretari i dikasterit, imzot Lucio Adrian Ruiz, atë Federico Lombardi, ish-drejtor i Radios dhe shumë meshtarë të bashkësisë së emitentes papnore.
Në homelinë e mbajtur me këtë rast, kardinali Parolin u mbështet mbi tri fjalë, që përmblodhën gjithë veprimtarinë pothuajse shekullore të Radios së Papës, emër me të cilin njihet Radio Vatikani.
Fjala e parë: Hapu!
Sot më shumë se kurrë - kujtoi, në krye të homelisë, kardinali Parolin - njerëzimi ka nevojë për lajme të mira, në rrethana komunikative që shpesh duket se merren më shumë me sende të kota, sesa me ato jetike, ndaj duhen shëruar. Vetëm shërimi mund t’u krijojë kushte të komunikojnë përsëri, të flasin e të dëgjojnë rishtas. Na e kujton edhe shprehja kryesore, që përdoret në Ungjillin e sotëm: “Effatà! Hapu!”, fjalë të shqiptuara në gjuhën që fliste Jezusi, në aramajke, për t’ia theksuar rëndësinë. E që Krishti ia thotë shurdhmemecit. Duke na kujtuara se edhe ne rrezikohemi të bëhemi të tillë, në kuptimin metaforik të fjalës. E Radio Vatikani, që në çastet e para të jetës pati prirjen të hapej për gjithë botën, e jo vetëm në këndvështrimin gjeografik, por edhe në atë historik, duke u bërë gur kilometrik i risimit komunikativ. Papa na kujton gjithnjë se feja e vërtetë të nxit ta hapësh zemrën, t’i kundërvihesh mbylljeve që e paralizojnë njeriun dhe e ngujojnë brenda shprehjes “epo, kështu është bërë gjithnjë”.
Fjala e dytë: univesalitet
Radio Vatikani krijoi një rrjet të përhapur në të katër skajet e botës, si shprehje e universalitetit të Kishës katolike dhe shërbesës së Papës. Bëri- e bën - të luten në kor njerëz, që ishin e janë mijëra kilometra larg njëri tjetrit. Mesazhi i saj i ngjet atij të Rrëshajve të lashta, bazohet mbi gjuhë të ndryshme e u drejtohet popujve të largët, nën shenjën e Shpirtit Shenjt, që i arrin e i bashkon të gjithë e gjithçka.
Fjala e tretë, komunikim
Radio Vatikani, gjatë Luftës II Botërore ishte “krahu operativ i Zyrës së Informacionit të Sekretarisë së Shtetit”, lindur për t’i gjetur e për t’i lidhur me familjet të humburit dhe të burgosurit e luftës. Krijoi, kështu, një rrjet solidar, që arriti të japë një milion mesazhe e të lidhë një mori njerëzish me të afërmit e tyre.
Komunikimi - theksoi kardinali Parolin gjatë homelisë - duhet të jetë i gjallë e i drejpërdrejtë. Fjala ka fryt vetëm në se shikohet, nëse të bën pjesëmarrës në një përvojë, nëse të bën ta prekësh me dorë vetë jetën”.
E këto ishin e janë tiparet kryesore të Radio Vatikanit, në udhën e saj shekullore, ndërmjet njerëzve e popujve, që jetojnë në mbarë globin tokësor, ku dëgjohet zëri i saj - e tani - përmes saj, edhe shikohet veprimtaria e Papës dhe e Kishës katolike!