Kërko

Vatican News

Parolin: “Gur pas guri po ndërtoni paqen”

Takimi i Sekretarit të Shtetit të Vatikanit me të rinjtë e World House, në Qytezën e Paqes, dhe projekti “Mesdheu: kufiri i paqes”, nismë e ipeshkvijve italianë

R.SH. - Vatikan

“Duke folur me ju zbuloj se vini nga zona plot tensione dhe konflikte e është diçka e bukur që këtu bëhen përpjekje për të ndërtuar paqen. Unë do t’i them Papës për këtë takim të sotëm e do t’i çoj përshëndetjet tuaja, por sidomos, do t’i raportoj për angazhimin tuaj”. Ky është mesazhi i sotëm i kardinalit Pietro Parolin për të rinjtë e World House (Shtëpisë së Botës) në Rondine të Italisë, organizata e themeluar më 1988 nga Franco Vaccari, që impenjohet për zhdukjen e konflikteve të armatosura në botë. Në takim morën pjesë djem dhe vajza nga vende në konflikt, si edhe 11 të rinjtë e përzgjedhur për projektin “Mesdheu: kufiri i paqes, edukimit dhe pajtimit”, nismë e Konferencës Ipeshkvnore Italiane, nisur që vitin e kaluar, me rastin e Ditëve të Barit.

Këtu po ndërtohet paqja

Gjatë një vizite të shkurtër në Qytezën e Paqes, pranë Arezzo-s, Sekretari i Shtetit të Vatikanit inkurajoi punën e të rinjve, që kanë ndjekur një vit formimi sipas metodës Rondine, e cila synon të edukojë udhëheqës për paqen. Në këtë vend, shprehu vlerësimin e tij kardinali Parolin, “paqja ndërtohet pak nga pak, gur pas guri”. Të rinjtë do të kthehen më pas në bashkësitë e tyre të origjinës e do të ndërhyjnë si paqeruajtës së bashku me Kishat lokale, në pellgun e Mesdheut, nga Ballkani në Turqi e deri në Lindjen e Mesme dhe në Afrikën e Veriut.

Programi i ditës

Takimi me Sekretarin e Shtetit, në prani të kryeipeshkvit të Arezzo-Cortona-Sansepolcro, imzot Riccardo Fontana dhe të Domenico Giani-t, president i Fondacionit Enel, u zhvillua në ambientet e Arenës Janine, përuruar më 9 tetor si paralajmërim kundër indiferencës. Në fund të takimit, kardinali vizitoi kantierin e shkollës, që në shtator do të hapë klasën e re të vitit të katërt të Shkollës së Mesme të Ekselencës në Rondine. 27 nxënës nga e gjithë Italia do të formohen gjatë një viti në ambientin ndërkombëtar të organizatës aretine.

Rondine Cittadella della Pace

Rondine Cittadella della Pace – që fjalë për fjalë, do të thotë “Dallëndyshja – Qyteza e Paqes” -  është një organizatë e impenjuar në zhdukjen e konflikteve të armatosura në botë dhe në përhapjen e metodologjisë së saj për shndërrimin krijues të konflikteve, në çdo kontekst. Qëllimi është të kontribuohet për një planet të lirë nga luftrat, ku çdo njeri të zotërojë mjetet për t’i trajtuar konfliktet në mënyrë krijuese e pozitive. Rondine lindi në një fshat toskan, disa kilometra nga Arezzo, në Itali. Ka Studentatin Ndërkombëtar – World House, ku vijnë të rinj nga vendet në konflikt. Aty formohen për t’u njohur personalisht me armikun, përmes një pune të vështirë, që fillon nga bashkëjetesa e përditshme me të. Ky formim tashmë, është i njohur botërisht me emrin “Metoda Rondine”.

16 shkurt 2021, 15:14