Kërko

Vatican News

Papa Françesku në Ditën e parë Botërore të Vëllazërimit Njerëzor

Ati i Shenjtë do të kremtojë Ditën Ndërkombëtare të Vëllazërimit Njerëzor, së bashku me Imamin e Madh të Al-Azharit, Ahmad Al-Tayyeb, në një takim virtual, më 4 shkurt, data e caktuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara për këtë qëllim. Lidhja do të bëhet nga Abu Dabi, në praninë e shehut Mohammed Bin Zayed, siç nënvizon në një komunikatë Këshilli Papnor për Dialogun Ndërfetar.

R.SH. - Vatikan

Në një komunikatë të Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar jepen hollësitë e takimit të nesërm virtual të Papës Françesku me Imamin e Madh të Al-Azharit, Ahmad Al-Tayyeb, në Ditën Ndërkombëtare të Vëllazërimit Njerëzor, caktuar nga OKB-ja më 4 shkurt. Ngjarja, sqarohet në komunikatë, organizohet nga shehu Mohammed Bin Zayed e do të transmetohet drejtpërdrejt në internet, në gjuhë të ndryshme, nga Vatican News, portali i informacionit të Selisë së Shenjtë, duke filluar nga ora 14.30 (sipas orës evropiane). Së bashku me të edhe dhënia e çmimit Zayed, themeluar enkas për ata, që dallohen në promovimin e vëllazërimit njerëzor.

 “Ky kremtim i përgjigjet ftesës së qartë të Papës Françesku drejtuar gjithë njerëzimit për ndërtimin e së tashmes në paqe, përmes takimit me njëri-tjetrin”, nënvizon kryetari i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar, kardinali Miguel Ángel Ayuso Guixot, MCCJ. “Në tetor 2020, kjo ftesë u bë edhe më e pashmangshme me Enciklikën ‘Fratelli tutti’. Këto takime janë një mënyrë për të krijuar miqësi të mirëfilltë shoqërore, siç kërkon Ati i Shenjtë”, shton kardinali.

Përkujtimi i firmës së Dokumentit mbi Vëllazërimin Njerëzor

 Data nuk është rastësi, shpjegohet në komunikatën e Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar. Më 4 shkurt 2019, gjatë udhëtimit apostolik të Atit të Shenjtë në Emiratet e Bashkuara Arabe, Papa dhe Imami i Madh i Al-Azharit (Kajro), Ahmad Al-Tayyeb, nënshkruan Dokumentin për Vëllazërimin Njerëzor, për Paqen botërore dhe për Bashkëjetesën. Ky dokument u mendua dhe u hartua gjatë një viti e gjysmë, deri në ditën e nënshkrimit, që tashmë, ka hyrë në histori. Disa muaj më vonë u formua Komiteti i Lartë për Vëllazërimin Njerëzor, që synon zbatimin konkret të aspiratave të Dokumentit, duke promovuar vëllazërimin, solidaritetin, respektin dhe mirëkuptimin e ndërsjellë.

Puna e Komitetit të Lartë për Vëllazërimin Njerëzor

Komiteti i Lartë ka në plan të krijojë një Shtëpi Familje Abrahamite, me një sinagogë, një kishë dhe një xhami, në ishullin Saadiyat në Abu Dabi. Ai ka formuar një juri të pavarur, që shqyrton kandidatët e Çmimit Zayed për Vëllazërimin Njerëzor. Çmimi 2021 do të jepet pikërisht nesër, më 4 shkurt, datë e caktuar më 21 dhjetor 2020, nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara si Ditë Ndërkombëtare e Vëllazërimit Njerëzor. “Në këtë fazë vendimtare të historisë së njerëzimit, jemi në udhëkryq: nga njëra anë, vëllazërimi universal në të cilin njerëzimi gëzohet e, nga ana tjetër, një varfëri e skajshme, që do t’i shtojë vuajtjet dhe mundimet e njerëzve”, nënvizoi gjykatësi Mohamed Mahmoud Abdel Salam, Sekretar i Përgjithshëm i Komitetit të Lartë për Vëllazërimin Njerëzor, në paraqitjen e Enciklikës “Fratelli tutti”, më 4 tetor 2020.

Papa: në shërbim të vëllazërimit njerëzor

Papa Françesku e nxit Selinë e Shenjtë të marrë pjesë në kremtimin e Ditës Ndërkombëtare të Vëllazërimit Njerëzor, nën udhëheqjen e Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar. Në ndjetin e lutjes së Papës për muajin janar, me temë “Në shërbim të vëllazërimit njerëzor”, Ati i Shenjtë thekson rëndësinë e përqendrimit në atë çka është thelbësore për të gjitha fetë: në adhurimin e Zotit dhe në dashurinë për të afërmin. “Vëllazërimi na bën t’ia hapim zemrën Atit Qiellor të të gjithëve dhe të shohim tek tjetri vëllain e motrën, me të cilën ndajmë jetën, për ta mbështetur reciprokisht njëri-tjetrin, për t’u dashur, për t’u njohur”, nënvizon Papa Françesku në videon e ndjetit të lutjes.

Këshilli Papnor për Dialogun Ndërfetar

Kujtojmë se Këshilli Papnor për Dialogun Ndërfetar, nën kryesinë e të cilit Kisha Katolike përkujton Ditën e nesërme të Vëllazërimit Njerëzor, u themelua më 1964 nga Papa Pali VI, për promovimin e marrëdhënieve ndërmjet Kishës Katolike dhe besimtarëve të feve të tjera. Kryetari i tij aktual është kardinali Miguel Ángel Ayuso Guixot. Ndër veprimtarirë e tij, Këshilli Papnor bashkëpunon me ipeshkvijtë dhe me Konferencat Ipeshkvnore për çështje, që lidhen me dialogun ndërfetar: organizon takime, vizita dhe konferenca me krerë të feve të tjera dhe realizon botime për të promovuar dialogun ndërmjet feve të ndryshme.

Komiteti i Lartë për Vëllazërimin Njerëzor

Komiteti i Lartë për Vëllazërimin Njerëzor përbëhet nga udhëheqës të ndryshëm fetarë, studiues dhe eksponentë të kulturës, të cilët, duke u frymëzuar nga Dokumenti 2019 mbi Vëllazërimin Njerëzor për Paqen botërore dhe Bashkëjetesën, bëjnë të gjitha përpjekjet për vënien në jetë të mesazhit të tij të paqes dhe të mirëkuptimit të ndërsjellë. Aktualisht, Sekretari i Përgjithshëm është gjykatësi egjiptian Mohamed Mahmoud Abdel Salam.

03 shkurt 2021, 11:01