Kërko

Jurkoviç: varfëria në rritje në vendet më pak të zhvilluara

Vëzhguesi i Përhershëm i Selisë së Shenjtë në Kombet e Bashkuara, në selinë e Gjenevës, foli në sesionin e 70-të ekzekutiv të Unctad-it, duke dhënë alarmin për ndikimin e pandemisë në vendet më pak të zhvilluara dhe duke i kërkuar bashkësisë ndërkombëtare të mos lërë askënd mbrapa

R.SH. - Vatikan

“Pandemia e Covid-19 ka pasur një ndikim të fortë në vendet më pak të zhvilluara të cilat, bashkërisht, përfaqësojnë ekonomitë më të ligështa të botës”: ky është denoncimi i kryeipeshkvit Ivan Jurkoviç në fjalën e mbajtur në sesionin e 70-të ekzekutiv të Unctad-it (Konferenca e OKB-së për tregtinë dhe zhvillimin). “Më se 1 miliard njerëz jetojnë në 47 kombe më pak të zhvilluara, të cilat nuk arrijnë as 1,3% të Prodhimit të Brendshëm Brut global”, nënvizoi prelati, duke vënë në dukje se këto shtete kanë vështirësi ekonomike dhe institucionale, që i pengojnë të reagojnë si duhet përballë krizave si pandemia aktuale.

Vlerësohet se gjatë vitit 2020, ato kanë arritur “nivelin më të ulët të zhvillimit ekonomik në 30 vitet e fundit, me të ardhura më të pakta, papunësi të përhapur dhe rritje të deficitit fiskal”. E, jo vetëm kaq. Imzot Jurkoviç theksoi se në këto vende, “numri i njerëzve, që jetojnë në varfëri të skajshme, mund të rritet me 32 milion”, duke e shtuar varfërinë globale e duke penguar seriozisht arritjen e Objektivave të OKB-së për Zhvillimin e qëndrueshëm.

Zhvillimi të mos jetë vetëm ekonomik, por edhe njerëzor

 Kryeipeshkvi bëri thirrje që zhvillimi të mos kuptohet vetëm si “ekonomik”, pasi shtimi i pasurisë, shpesh, ecën bashkë me rritjen e pabarazive dhe me shfaqjen e formave të reja të varfërisë. Zhvillimi, nënvizoi imzot Jurkoviç, duhet të jetë i gjithanshëm, duke vënë njeriun në qendër të masave ekonomike. Për Selinë e Shenjtë, disa fusha janë thelbësore, si “infrastruktura, energjia, shkenca, teknologjia dhe zhvillimi i sektorit privat”, në mënyrë që të përdoret plotësisht kapaciteti prodhues i vendeve më pak të zhvilluara.

Imzot Jurkoviç kërkoi një politikë monetare të ekuilibruar, që financon globalisht ndërmarrjet e këtyre shteteve, duke nxitur rritjen e kërkesës së brendshme për punë e konsum, duke respektuar kulturën dhe veçoritë e secilit, pa imponuar “një model të vetëm strukturor”. Gjithashtu, përfaqësuesi i Selisë së Shenjtë e ngriti zërin për integrimin e vendeve më pak të zhvilluara në ekonominë globale. “Të mos lëmë kënd pas - përfundoi imzot Jurkoviç - do të thotë të ndërmarrim masa të frytshme, që mund t’i ndihmojnë këto kombe të realizohen”, duke vepruar “me solidaritet dhe vëllazërim për arritjen e së mirës së përbashkët”.

05 shkurt 2021, 10:53