Kërko

Vatican News
Imzot Jurkovič Imzot Jurkovič 

Imzot Jurkovič: të shmangen pengesat për përdorimin e vaksinave

Imzot Jurkovič: të kufizohet marrëveshja mbi të drejtat e pronësisë intelektuale, për të garantuar përdorimin universal të vaksinave kundër Covid-19.

R. SH. - Vatikan

Të kapërcehen disa pengesa, të krijuara nga ligji mbi pronësinë intelektuale, që e vështirësojnë përdorimin universal të vaksinave kundër Covid-19. Këtë kërkoi imzot Ivan Jurkovič, Vëzhgues i Përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Kombeve të Bashkuara të Gjenevës, duke folur sot  para Këshillit për të drejtat dhe pronësinë intelektuale lidhur me tregtinë (TRIPs), pranë Organizatës Botërore të Tregtisë (Omc).

“Javët e fundit - vërejti imzot Jurkovič - pamë sesi disa vende dhe sipërmarrje vijojnë të privilegjojnë marrëdhëniet dypalëshe, duke i rritur çmimet e duke u përpjekur ta prishin radhën”. E kjo ndodh pa marrë parasysh paralajmërimin e  Papës për t’u ruajtur nga rreziku që vaksinat të vihen së pari në shërbim  të më të pasurve”.

Veç kësaj, Vëzhguesi i përhershëm vuri në dukje edhe një paradoks tjetër. Nga njëra anë, në shumicën e vendeve të  botës po vërehen vonesa në programet e vaksinimit për shkak të prodhimit të pamjaftueshëm, ndërsa nga ana tjetër, në  shumë vende të tjera të botës ekzistojnë impiante të afta për të prodhuar vaksina të sigurta e të efektshme, gjë që nuk mund të bëhet thjesht për shkak të kufizimeve mbi pronësinë intelektuale.

Sipas Selisë së Shenjtë, duke pasur parasysh urgjencën e këtyre vaksinave në situatën e sotme shëndetësore, por edhe shumat e mëdha, të investuara nga shtetet për prodhimin e tyre, ato do të duhej të konsideroheshin “pasuri publike” për përdorim të përgjithshëm, pa asnjë dallim, sipas parimit të  pronësisë universale të pasurive” -  për të cilin bën vazhdimisht thirrje Papa.

Gjithsesi -  vuri në dukje Nunci Apostolik - mekanizmat e  ndërlikuara të sotme për mbrojtjen e ligjshme të të drejtave të pronës intelektuale, përfaqësojnë një pengesë në këtë drejtim. “Edhe në kohë normale mekanizmi i nenit  31bis i marrëveshjes Trips, i krijuar për t’i ndihmuar vendet që kanë aftësi të pamjaftueshme prodhimi farmaceutik ose që nuk e kanë fare këtë mundësi – vërejti – u kritikua ashpër, duke nënvizuar  se “politikat dhe ligjet duhet  të kenë parasysh edhe respektimin dhe promovimin e dinjitetit njerëzor, me frymë solidariteti brenda e ndërmjet kombeve.

Prej këtu niset edhe kërkesa e Selisë së Shenjtë për përjashtimin e zbatimit të  seksioneve 1,4,5 të pjesës së dytë të marrëveshjes lidhur me parandalimin,  frenimin a mjekimin e Covid-19. Vendimi për ta bërë këtë përjashtim, do të ishte një sinjal  i fortë, që do të tregonte impenjimin e vërtetë në këtë drejtim”, e prej këndej, edhe dëshirën për të kaluar “nga fjalët, tek faktet, në interes të mbarë familjes njerëzore.

24 shkurt 2021, 13:24