Kërko

Vatican News

Imzot Jurkovič: fetë të kujdesen për shëndetin shpirtëror, në kohë pandemie

Vëzhguesi i Përhershëm i Selisë së Shenjtë në OKB-në e Gjenevës foli në Takimin vjetor mbi dialogun ndërfetar, duke shprehur shqetësimin për pasojat e përhapjes së koronavirusit, për ato që janë më të dukshme dhe për ato që nuk shihen menjëherë, por janë njëlloj serioze

R.SH. - Vatikan

Dialogu i sinqertë si mjet për të pasur ndikim pozitiv në botë: Vëzhguesi i Përhershëm i Selisë së Shenjtë në Kombet e Bashkuara në Gjenevë, imzot Ivan Jurkovič, e filloi kështu fjalën e tij në Takimin e gjashtë vjetor mbi Dialogun Ndërfetar, me temë “Roli i fesë në kohën e koronavirusit”, mbajtur këto ditë në qytetin zviceran.

Pasojat e pandemisë

 “Të gjithë e dimë – vuri në dukje ai - sa shkatërrimtare është pandemia e koronavirusit. Tronditemi kur reflektojmë për faktin se pak më shumë se një vit më parë, askush nuk dinte gjë për këtë sëmundje, së cilës as që mund t’ia imagjinonim pasojat. Çdo aspekt i jetës është pështjelluar: qindra mijëra njerëz kanë vdekur; shumë të tjerë vuajnë nga kriza të rënda shëndetësore; shumë ndërmarrje janë mbyllur në gjithë botën e disa prej tyre nuk do të jenë në gjendje të rihapin dyert; ekonomitë kombëtare janë shkatërruar; prodhimi është ndalur; në shumë vende, arsimi është reduktuar në mësimdhënien virtuale, ose është pezulluar krejtësisht dhe varfëria është përkeqësuar deri ku s’mban më”. Problemet më të mëdha, vërejti imzot Jurkovič, i kanë migrantët, refugjatët, fëmijët, nënat, njerëzit më të brishtë e më të varfër. Janë njëlloj viktima, si të sëmurët nga Covid-19.

Të mos mendojmë veç për vete

Më pas, prelati vuri në dukje edhe pasojat psikologjike e shpirtërore të izolimit në shtëpi, të detyrimit për të mbajtur maskë, të pamundësisë për t’u takuar me familjarët, të afërmit e miqtë. Sipas kryeipeshkvit, pandemia i ka acaruar më tej edhe tensionet ekzistuese dhe vijon të kërcënojë bashkimin ndërmjet njerëzve e popujve, duke rritur pabarazitë. “Kur burimet dhe kujdesi mjekësor janë të kufizuara, kuptohet se çdo njeri dhe çdo komb përpiqet të sigurojë dhe të grumbullojë ç’mundet për të dashurit e vet - pohoi ai në Takimin e Gjenevës - megjithatë, kjo qasje dritëshkurtër dhe egoiste është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me bashkimin, që e mbush plot zemrën e njeriut.

Grumbullimi i vaksinave, këmbëngulja xheloze për të drejtat e patentës, mbyllja e kufijve dhe mbyllja e përgjithshme në vetvete janë reagime të kuptueshme para krizës universale me të cilën po përballemi, por këto përgjigje, në vend që të na ndihmojnë për t’i mbijetuar stuhisë së pandemisë, do të na hapin një plagë shumë më të thellë sesa vetë koronavirusi: mund të na ndajnë nga çka na bën vërtet njerëzorë, pra, nga aftësia dhe nga dëshira jonë për të jetuar në bashkim vëllazëror”.

Feja na mëson dashurinë pa interes

Feja na mëson të shohim përtej vetes dhe nevojave tona të çastit. Imzot Jurkoviç nënvizoi: “Nuk është rastësi që shumica e traditave kryesore të fesë e theksojnë me forcë dashurinë vetëmohuese, duke i dhënë secilit prej nesh përgjegjësinë e madhe që të kujdesemi për vëllezërit dhe motrat tona”. Kryeipeshkvi përmendi Komisionin e posaçëm për pandeminë, krijuar nga Papa Françesku në kuadrin e Dikasterit vatikanas për Nxitjen e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor, me objektivin për të promovuar përkujdesjen e vërtetë, 360-gradëshe, për të gjithë njerëzit e goditur nga koronavirusi, duke ndjekur parimet e Dokumentit mbi Vëllazërimin Njerëzor, nënshkruar më 4 shkurtin e vitit 2019, në Abu Dabi, nga vetë Ati i Shenjtë dhe nga Imami i Madh i Al-Azharit, Ahmad al-Tayyeb.

Rëndësinë e besimeve fetare në këtë fushë, Papa e nënvizon edhe në enciklikën “Fratelli tutti”, ku shkruan se “fetë e ndryshme, mbi bazën e respektit të tyre për çdo njeri, i thirrur për të qenë bir i Zotit, kontribuojnë dukshëm në arritjen e vëllazërimit e në mbrojtjen e drejtësisë në shoqëri”. Ashtu siç përmendi Françesku edhe në fjalën e tij para Trupit Diplomatik të akredituar në Selinë e Shenjtë, fetë e kanë për detyrë, sidomos në këtë kohë pandemie, të kujdesen për shëndetin shpirtëror të njerëzve, duke promovuar vëllazërimin e shpresën, si udhë për të shëruar botën.

26 shkurt 2021, 11:07