Kërko

Armë bërthamore Armë bërthamore

Imzot Gallagher: çarmatimi është detyrë etike

Në qendër të videomesazhit të kryeipeshkvit Paul Richard Gallgher, në sesionin 2021 të Konferencës së OKB-së për çarmatimin, shqetësimi i Selisë së Shenjtë për hapat drejt zhdukjes së plotë jo vetëm të armëve bërthamore, por edhe të atyre konvencionale. Kërkesa e Sekretarit të Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet që të kontrollohet zbatimi i traktateve ndërkombëtare

R.SH. - Vatikan

Shqetësimi i Selisë së Shenjtë për procesin e çarmatimit, konsideruar “detyrë etike”, për t’u vënë në jetë menjëherë, pa pritur të nesërmen, pasi mund të jetë tepër vonë, në qendër të videomesazhit të kryeipeshkvit Paul Richard Gallgher, në takimin e sotëm të nivelit të lartë të Konferencës së OKB-së për çarmatimin, që u mbajt në Gjenevë, në formë virtuale. Sekretari i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet kërkoi që kjo temë të trajtohet larg nga interesat e ngushta vetjake të shteteve, pasi ka rëndësi të jashtëzakonshme për të mirën e përbashkët të gjithë njerëzimit.

Të shkohet drejt zhdukjes së armëve konvencionale

          Imzot Gallagher denoncoi atmosferën e mosbesimit të ndërsjellë dhe të mungesës së bashkëpunimit shumëpalësh në botë, gjë që bëhet tejet serioze kur është fjala për çarmatimin, sidomos për zvogëlimin e zhdukjen e armëve konvencionale, për ndikimin e të cilave edhe vetë politikanët janë më pak të vetëdijshëm se për atë të armëve bërthamore, kimike, ose biologjike. Ai vuri në dukje shqetësimin e Papës dhe të Vatikanit “për trafikun e paligjshëm të armëve të vogla dhe të lehta, si dhe për atë të minave e bombave, veçanërisht në zona të populluara”. Këto armë, theksoi imzot Gallagher në videomesazh, “janë bërë gjithnjë e më pak ‘konvencionale’ dhe gjithnjë e më shumë ‘armë të shkatërrimit në masë’, që bëjnë kërdinë mbi qytete, shkolla, spitale, vende kulti e mbi infrastruktura themelore për popullsitë civile, duke ndikuar në perspektivat e zhvillimit të tyre të gjithanshëm njerëzor”.

Armatosja nuk është masë për rritjen e sigurisë

          Çarmatimi, zhvillimi dhe paqja, vërejti Sekretari i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet, janë tri tema të ndërvarura. Ai denoncoi paraqitjen e armatosjes së një vendi si masë për të rritur sigurinë e tij, duke nënvizuar se buxheti i përdorur për këtë qëllim zvogëlon fondet e luftës kundër varfërisë, pabarazisë, padrejtësisë, si edhe mundësitë për të investuar në edukim e shëndetësi. Gjithsesi, imzot Gallagher pranoi se janë bërë hapa përpara, sidomos në fushën e çarmatimit bërthamor, me hyrjen në fuqi të Traktatit për Ndalimin e Armëve Bërthamore (TPNW) dhe me zgjatjen për një 5-vjeçar të Traktatit të Ri Strategjik për Reduktimin e Armëve (New START) ndërmjet Federatës Ruse dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Dy propozime

          Megjithatë, pikërisht për të ndihmuar hapat e tjera drejt çarmatimit e duke pasur parasysh Konferencën e ardhshme për Rishikimin e pjesëmarrjes së shteteve në Traktatin e Mospërhapjes së Armëve Bërthamore (MT), Selia e Shenjtë bën dy propozime. Së pari, kërkon që të krijohet një grup studimor ekspertësh për të verifikuar zbatimin e traktateve ndërkombëtare. Kjo, siç theksoi imzot Gallagher, është veçanërisht e rëndësishme për armët bërthamore, por mund të bëhet për të gjitha llojet e armëve, sipas parimit “beso dhe verifiko”. Së dyti, nënvizon se rifillimi i diskutimit formal për kufizimin e armatimeve dhe, në përgjithësi, për çarmatimin e plotë, në kuadrin e sistemeve të frytshme të kontrollit e të verfikimit, mund ta përmirësojë dukshëm punën e Konferencës. Kërcënimet e pranishme sot në botë, si terrorizmi, konfliktet, krimi teknologjik, problemet e ambientit, varfëria e, jo më pak, edhe pandemia e Covid-19, kërkojnë një bashkëpunim më të përgjegjshëm, pohoi imzot Gallagher.

Nesër mund të jetë tepër vonë

          Selia e Shenjtë, përfundoi kryeipeshkvi, e inkurajon Konferencën e çarmatimit të bindet për urgjencën e angazhimit në arritjen e marrëveshjeve konkrete dhe të qëndrueshme për paqen dhe vëllazërimin. Disa çështje duhen trajtuar duke kapërcyer interesat dhe përparësitë individuale. Nesër, mund të jetë tepër vonë.

24 shkurt 2021, 11:13