Kërko

Vatican News

E Mërkura e Përhime

E Mërkura e përhimë shënon fillimin e kohës së Kreshmëve. Kjo është kohë pendese, kohë e cila zgjon ndjenja përmirësimi por edhe kthimi të rrënjësishëm shpirtërorë. Qysh kah fundi i shek. të V, agjërimi i të mërkurës së përhime bashkë me të premten e po asaj jave bëhet pjesë e Pesëdhjetores si përgatitje për festën e Pashkëve.

R.SH. - Vatikan

Sot, me tё Mërkurёn e Përhime, me ritin e bekimit dhe të përhimjes, fillon koha liturgjike e Krezhmëve, gjatё sё cilёs Kisha i fton gjithë të krishterët të luten, të agjërojnë e sidomos, të pendohen e tё kthehen nё udhёn e Zotit. Krezhmët, pra, janë kohë e përshtashme për shtegtimin shpirtëror drejt Atij, që është burim i mëshirës.

Periudha krezhmore duhet të jetë rast i përshtatshëm për t’u kthyer në rrugën e Zotit e për të shkuar kundër rrymës. Në këtë periudhë të fortë të vitit kishtar, i krishteri është i thirrur të lutet e të pendohet me gjithë zemër, duke u shndërruar, kështu, nga misteri i Pashkëve të Krishtit. Kisha i përshkruan Krezhmët si ‘shtegtim’ në të cilin Jezusi na shoqëron përmes shkretëtirës së varfërisë sonë, duke na ndihmuar të ecim në udhën drejt gëzimit të thellë të Pashkëve. Krezhmët janë stinë shpirtërore e përshtatshme, që na krijon kushtet të ushtrohemi për ta kërkuar më me ngulm Zotin, duke i lënë mënjanë planet kalimtare të suksesit personal, për të zbuluar forcën e dashurisë së Hyjit dhe të mëshirës së Tij për njerëzit e ligësht.

Origjina dhe rëndësia e kësaj dite në jetën e krishterë

Qysh kah fundi i shek. të V, agjërimi i të mërkurës së përhime bashkë me të premten e po asaj jave bëhet pjesë e Pesëdhjetores si përgatitje për festën e Pashkëve. Mirëpo, kjo ditë nuk është konsideruar në asnjë mënyrë si fillim i kohës së Kreshmëve, por vetëm si një përgatitje për të. Sakramentari Gelazian e titullon In ieiunio prima statione. Në antifonarët dhe në Sakramentarët e shekullit VIII do të quhet caput ieiuni (Krhs. La celebrazione nella Chiesa, 3, D. Borobio, Leumann (Torino), 1994, fq. 167-168).

Teologjia biblike paraqet kuptim të dyfishtë të përdorimit të hirit. Mbi të gjitha është jeta fizike e cila shpesh identifikohet me hirin apo pluhurin për të theksuar kështu një përulje të thellë para Zotit. Por, në anën tjetër, hiri është edhe një lloj simbolike e paraqitjes së gjendjes së zbehur shpirtërore e cila ka nevojë për agjërim, kthim në jetë të virtytshme.

Abrahami i drejtohet Zotit me këto fjalë: “Ja, unë po marr guximin të flas me Zotin tim, unë që jam hi e pluhur...” (Zan 18,27). Poashtu edhe në librin e Jobit, i cili ishte në kufirin e ekzistencës së vet, mundë te lexojmë: “Në baltë më përplasi pa farë mëshire e jam bërë krejt blozë e pluhur” (Jb 30,19). Edhe në shumë vende tjera në Shkrimin Shenjt mund të hasim në këso dëshmi, në të cilat përmendet hiri si shenjë me të cilën shpeshherë njerëzit e identifikojnë gjendjen e mjeruar në të cilën gjinden (Ur 2,3; Sir 10,10 etj.).

Por, hiri është edhe shenjë e jashtme e atij që pendohet dhe kthehet prej veprave të veta të këqija dhe vendosë të niset në udhën e kthimit kah jeta me Zotin. Posaçërisht vlen të theksohet teksti biblik i kthimit të banorëve të Ninivës me rastin e predikimit të Jonës: “Ninivasit besuan në Hyjin. Shpallën agjërim e u veshën me grathore prej më të madhit e deri në më të voglin. I arriti lajmi edhe mbretit të Ninivës. U çua nga froni i vet, i hoqi petkat e veta, e u vesh me thes e u ul në pluhur” (Jn 3,5-9).

Edhe Judita thërret gjithë popullin të bëj pendesë derisa të intervenoj Hyji e t’i liroj: “Çdo burrë izraelit, gra e fëmijë, që banonin në Jerusalem, ranë me fytyrë për dhe para Tempullit, e përhinë kryet me hi dhe i shtrinë grathoret para tempullit të Zotit” (Jd 4,11).

Përhimja në traditën kishtare

Sa i përket zbatimit të këtij riti në botën e krishterë, ky rit merret nga praksa hebraike dhe vazhdon te kryhet me po të njëjtin kuptim apo porosi.

Të krishterët që bënin mëkate të rënda duhej të bënin pendesë publike. Të Mërkurën e përhime, ipeshkvi bekonte shamitë dhe i përhinte ato me hi. Pendestarët duhej t’i bartnin ato për dyzetë ditë pendese. Riti përbëhej edhe nga nxjerrja jashtë prej kishe e pendestarëve për shkak të mëkateve të tyre (simbolika e dëbimit të Adamit e Evës nga kopshti i Edenit). Atëherë ata nuk hynin më në kishë deri të Enjten e madhe, kur do të meritojnë pajtimin e plotë që e fitojnë përmes zgjidhjes sakramentale.

Arsyeja kryesore e përhimjes ishte kremtimi publik i pendesës; kjo përbënte në fakt ritin i cili u hapë rrugën pendestare besimtarëve të cilët do të zgjidhen prej mëkateve të tyre në mëngjesin e të Enjtes së madhe.

Me kohë, ky gjest i përhitjes do të bëhet për të gjithë besimtarët, sepse janë vet ata që do të kërkojnë të përhihen në shenjë pendese. Kështu, reforma liturgjike e sheh si të nevojshme ruajtjen e këtij riti. Tani, e Mërkura e përhimë shënon fillimin e kohës së Kreshmëve. Kjo është kohë pendese, kohë e cila zgjon ndjenja përmirësimi por edhe kthimi të rrënjësishëm shpirtërorë.

Përse përhihemi?

Edhe sot nëse shtrohet pyetja përse përhihemi përgjigjja ka po të njëjtin kuptim si edhe më parë: Hiri është shenjë pendese dhe na ndihmon të rritemi në përvujtëri dhe flijim. Përhihemi që edhe përmes këtij riti ta kuptojmë se kjo jetë është e kalueshme.

Liturgjia e të Mërkurës së përhime përmban në vete kuptim të dyfishtë. E gjithë kjo vjen në shprehje më së mirë në formulat e përhirjes: “Të bie në mend, o njeri, se je pluhur dhe se në pluhur ke për tu kthyer” (Zan 3,19), dhe tjetra: “Kthehuni dhe besoni Ungjillit” (Mk 1,15).

Hiri

Hi është ajo që mbetet pasi të djegur diçka. Në fillim të kreshmëve, të mërkurën e përhime bekohet një sasi hiri, me të cilën besimtarët do të shënohen në ballë. Përmes shenjës së kryqit që na bëhet me hi në ballë, shënohet fillimi i kohës së kreshmëve që është kohë pendese dhe agjërimi. Ky rit ka tri kuptime: a) kur trupi i njeriut vdes, shndërrohet në hi; b) jemi bërë prej hiri dhe në hi do të kthehemi; c) së fundit, hiri është një simbolikë antike e pendesës dhe kthimit (Jona 3).

Hiri që bekohet të mërkurën e përhime, bëhet prej djegies së rremave të cilët përdoren të Dielën e Luleve (e diela e Larit) të vitit kaluar. Hiri na përkujton se Zoti është i dhimbshëm ndaj atyre që i drejtohen me zemër të penduar. “Ta shndërrojmë jetën, të përhihemi dhe të bëjmë pendesë. Të agjërojmë dhe të qajmë para Zotit, sepse Hyji ynë ka mëshirë të madhe për të na i falur mëkatet tona” (Jl 2, 13).

Fjala hyrëse

„Pluhur je dhe në pluhur do të kthehesh!“ Ky lajm i Zotit tingëlloi në të Mërkurën e përhime. Këtë fjalë do ta dëgjojmë edhe ne sot. A thua ky lajm është i gëzueshëm? A thua nuk është ky një lajm që na prish gëzimin? Unë mendoj se jo. Me këtë lajm unë e kujtoj një të vërtetë të fesë sime: jam i krijuar. Un nuk jetoj pa kufij në këtë tokë. Kjo është e vërteta dhe kjo është ashtu. Mirëpo nëse unë kthehem në pluhur, në të njëjtën kohë kthehem te shtëpia e Atit, unë kthehem në shtëpi. „Po shkoj që t`ju përgatis banesën“, na ka thënë dhe  na ka premtuar Jezu Krishti.

Njëkohësisht lajmi se jam pluhur dhe se në pluhur do të kthehem ma përkujton dhe më bën të vetëdijshëm për kohën e kufizuar të jetës sime, se sa e çmueshme është koha. Gjithë ajo që nuk kam për së tepërmi, që më është dhënë në një sasi të kufizuar, është shumë e çmueshme. Për këtë arsye do të duhej ta pyesim sot veten: Si e përdori unë kohën time të çmueshme? Ç`është ajo gjë e rëndësishme që unë po ia kushtoj kohën time? Ç`është ajo gjë e parëndësishme që nuk ia kushtoj kohën time. Kjo mund të më ndihmojë për një thellim më të më madh të jetës sime.

17 shkurt 2021, 10:58