Kërko

Vatican News

Dita Botërore e të Sëmurit themeluar mё 1992 nga Gjon Pali II

Papa Gjon Pali II themeloi një ditë të veçantë kushtuar të sëmurëve, që ta sensibilizonte popullin e Zotit e, si pasojë, edhe institucionet e shumta shëndetësore katolike dhe vetë shoqërinë civile, për t’u siguruar të sëmurëve një ndihmë më të mirë shëndetësore. Domethënë, për ta ndihmuar njeriun e sëmurë që ta vlerësojë, në planin njerëzor, e posaçërisht, në atë shpirtëror, vuajtjen.

R.SH. - Vatikan

Sot më 11 shkurtin, në kujtimin liturgjik të Zojës Lurdë, Kisha katolike kremton Ditën e XXIX Botërore të të Sëmurit, që ka si temë: "Vetëm një është Mjeshtri juaj dhe ju të gjithë jeni vëllezër"(Mt 23,8). Marrëdhënia e besimit në bazë të kujdesit për të sëmurët.

“Duke mirëpritur me kënaqësi kërkesën e bërë nga Ju, dëshiroj t’ju komunikoj se vendosa të themeloj Ditën Botërore të të Sëmurit, që do të kremtohet më 11 shkurt të çdo viti,  në ditën e kujtimit liturgjik  të së Lumes Mari, Virgjër e Lurdës. Besoj se është e nevojshme që kjo nismë, e cila tashmë ka filluar në vende e zona të ndryshme, duke dhënë fryte të çmueshme, të shtrihet në mbarë Bashkësinë kishtare”.

Kjo është fjala e parë e letrës, datuar 13 maj 1992, dërguar kardinalit Fiorenzo Angelini, asokohe kryetar i Këshillit për Baritorinë e Punonjësve të Shëndetësisë, me të cilën Papa Gjon Pali II themeloi një ditë të veçantë, që ta sensibilizonte popullin e Zotit e, si pasojë, edhe institucionet e shumta shëndetësore katolike si dhe vetë shoqërinë civile, për t’u siguruar të sëmurëve një ndihmë më të mirë shëndetësore. Domethënë, për ta ndihmuar njeriun e sëmurë që ta vlerësojë, në planin njerëzor, e posaçërisht, në atë shpirtëror, vuajtjen; për t’i aktivizuar posaçërisht dioqezat, bashkësitë e krishtera e familjet rregulltare në bartitorinë shëndetësore, për të favorizuar angazhimin gjithnjë më të çmuar të vullnetariatit e për të kujtuar rëndësinë e formimit shpirtëror e moral të punonjësve të shëndetësisë.

Sensibilizim i ri

“Dita - shkruante Papa Wojtyla - synon t’i bëjë të gjithë ta kuptojnë sesa rëndësi ka që të sëmurëve t’u jipet ndihmesë fetare nga priftërinjtë dioqezanë e rregulltarët, si dhe nga njerëzit që jetojnë e punojnë pranë të sëmurit”. Duke kujtuar se Kisha “e ka pasur në rrjedhë shekujsh detyrën për t’u shërbyer të sëmurëve e të vuajturve”, Gjon Pali II shpjegon se zgjodhi 11 shkurtin si datë të kremtimit të Ditës, e Shenjtëroren e Lurdës, “sepse Lurda, shenjtërorja mariane ndër më të dashurat e popullit të krishterë, është vend-simbol i shpresës dhe i hirit, nën shenjën e pranimit  e të dhurimit të vuajtjes shëlbuese”.

 Kisha gjithnjë pranë të sëmurëve

Papa polak, duke mos e menduar vetëm si ditë lutjesh e manifestimesh fetare, por edhe si shprehje të fortë të kujdesit të Kishës për të sëmurët e mbarë botës, iu drejtua edhe autoriteteve politike e civile, duke u kujtuar  se e kanë për detyrë  t’i mbrojnë të drejtat e çdo të sëmuri.

Në këtë drejtim Gjon Pali II vuri në dukje tre kushte themelore lidhur me risimin e mirëfilltë të kujdesit për shëndetin, duke nisur nga shtresat më të ligshta  të popullsisë së mbarë botës; qendërsinë e njeriut, për të cilin duhet vëmendje e kujdes edhe më i madh, kur vuan; nevojën e humanizimit  të mjediseve shëndetësore dhe angazhimin e Kishave të veçanta për përmirësimin e mjekimit të njerëzve të sëmurë.

Duke themeluar Ditën Botërore të të Sëmurit, Papa ftoi edhe për një sërë reflektimesh mbi disa tema themelore, duke nisur nga “misteri i vuajtjes”. E kjo është nevojshme për të njohur burimin e dritës e të shpresës si dhe për të gjetur forcën e të jetuarit në kushte vuajtjeje e, nga ana tjetër, për t’i njohur më mirë mënyrat, me të cilat mund t’i ndihmojmë njerëzit që sëmuren e vuajnë.

Misteri dhimbje-dashuri

Por mesazhin më të rëndësishëm Papa ua drejtonte vetë të sëmurëve, duke i nxitur të mos bien në tundimin, që i shtyn ta shikojnë dhimbjen si përvojë vetëm negative deri në atë pikë, sa të dyshojnë në mirësinë e Zotit, sepse në Krishtin e vuajtur çdo i sëmurë mund të gjejë domethënien e dhimbjes së tij. Sëmundja e vuajtja bëjnë pjesë në jetën e njeriut, por në Krishtin e vdekur e të ngjallur njerëzimi zbulon përmasën e vuajtjes së vet: në vend që të jetë  dështim, sëmundja shndërrohet në rast për të dhënë dëshmi feje e dashurie!

Dita e parë Botërore e të Sëmurit u kremtua më 11 shkurt 1993. Me atë rast mijëra qirinj të ndezur në Sheshin e Shën Pjetrit e shoqëruan  Meshën,  kremtuar nga kardinali Camillo Ruini, mëkëmbës i përgjithshëm i Papës për Romën. E Papa Gjon Pali II kujtoi njerëzit e prekur nga sëmundjet e rënda, posaçërisht nga Sida, me të cilët qe takuar në shtegtimin e sapopërfunduar në Afrikë.    

11 shkurt 2021, 09:59