Kërko

Vatican News

Ayuso: duhet të punojmë për kulturën e paqes dhe të përfshirjes

Duke folur për Ditën e parë Botërore të Vëllazërimit Njerëzor, kryetari i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar pohon se duhet t’i kushtohet vëmendje nevojtarëve dhe uron që Çmimi Zayed 2021 për vëllazërimin njerëzor të jetë shenjë e bashkëpunimit të frytshëm ndërmjet njerëzve të feve të ndryshme, në shërbim të mbarë njerëzimit

R. SH. - Vatikan

Më 4 shkurt do të kremtohet, për herë të parë, Dita Botërore e Vëllazërimit Njerëzor. Nisma, promovuar nga Kombet e Bashkuara, organizohet dy vjet pas nënshkrimit të Dokumentit mbi Vllazërimin Njerëzor nga ana e Papës Françesku dhe Imamit të madh të Al-Azhar, Ahmad Al-Tayyeb. Kjo datë, nënvizon kardinali Miguel Angel Ayuso Guixot, kryetar i Këshillit Papnor për dialogun ndërfetar, duhet të ngjallë dëshirën për të punuar në shërbim të kulturës së paqes sepse, shpjegon, kur të përfundojë kriza, pasojë e pandemisë së Covid-19, “do të na duhet të rikrijojmë e të popullojmë hapësirat e vëllazërimit e të solidarietit”. Për Hirësinë e Tij,  është themelore të udhëhiqemi nga Enciklika Fratelli tutti, sepse pasi të kemi lexuar tekstin, ftohemi të marrim mbi vete “përgjegjësitë individuale e kolektive, përballë prirjeve dhe kërkesave të reja, që vërehen në skenën ndërkombëtare”:

“Më 21 dhjetorin e kaluar Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, gjatë seancës plenare, vendosi që 4 shkurti i çdo viti t’i kushtohet  Ditës ndërkombëtare  të Vëllazërimit Njerëzor. Duke adoptuar një rezolutë të tillë, Asambleja - lexohet në Komunikatën e OKB-së - i fton  Shtetet anëtare ta kremtojnë këtë Ditë “për të promovuar dialogun ndërfetar e ndërkulturor”. Në tekstin e rezolutës urohet edhe që, përballë një situate, në të cilën bota përballon krizën e pashembullt të shkaktuar nga sëmundja e Koronavirusit, të kërkohet “përgjigjja globale, e bazuar mbi unitetin, solidaritetin dhe bashkëpunimin shumëpalësh”. Është ftesë për të bërë çdo përpjekje të mundshme që, të vetëdijshëm se të vetëm nuk shpëtojmë dot,  të nxisim dialogun ndërfetar e ndërkulturor, siç urohet në “Dokumentin mbi vëllazërimin njerëzor për paqen dhe bashkëjetesën botërore”, nënshkruar në vitin 2019. OKB-ja e caktoi datën 4 shkurt pikërisht për kujtim të nënshkrimit të Dokumentit. E prandaj kjo datë  duhet t’u ngjallë njerëzve dëshirën të punojnë për kulturën e paqes e t’i mbështesin përpjekjet e të gjithë atyre, që punojnë për tolerancën, përfshirjen, mirëkuptimin e solidaritetin, akoma më shumë në këto çaste tragjike, kur nëpër botë vijon të endet fantazma e pandemisë.

E kur të marrë fund kjo krizë, do të jemi të thirrur të rikrijojmë e të popullojmë hapësira vëllazërie, solidariteti e paqeje. Nga kjo pandemi duhet të rilindemi më të rinj e më të mirë se ishim. E jo vetëm në nivel personal”.

Më se një herë, duke kujtuar fjalët e Papës,  keni pohuar se jeta jonë, jeta e bashkësive tona, nuk mund të ndahet nga ajo e të tjerave. Mendoni se varemi nga njëri-tjetri? Ç’rol kanë fetë?

“Rol themelor. Të gjithë e dinë se që në fillim të Papnisë së tij, Ati i Shenjtë vuri theksin mbi marrëdhëniet ndërmjet përfaqësuesve të feve të ndryshme, duke nënvizuar rëndësinë e miqësisë e të respektit. Besimtarët e traditave të ndryshme fetare, që ecin së bashku në rrugën e dialogut ndërfetar, mund t’i japin vërtet ndihmesën e tyre vëllazërimit universal në shoqëritë ku jetojnë. E kjo, sepse besimtari është dëshmitar e mbartës vlerash, që mund të japin ndihmesën e tyre të madhe për ndërtimin e shoqërive më të drejta e më të ndershme. Drejtësia, besnikëria, dashuria për pasurinë e përbashkët, vëmendja për të tjerët e mëshira, janë armë që bëjnë pjesë në arsenalet shpirtërore të feve të ndryshme. Është fjala për të bërë hapa konkrete së bashku me besimtarët e feve të tjera dhe me njerëzit vullnetmirë, me besimin se të gjithë janë të thirrur, posaçërisht në kohën tonë, të bëhen lajmëtarë të paqes e mjeshtra të bashkimit, për të shpallur, në ndryshim nga ata, që ushqejnë ndeshjet, përçarjet e mbylljet, lajmin e madh: “Sot është koha e vëllazërimit ndërmjet njerëzve e popujve!”.

Zoti është krijues i të gjithëve e prandaj të gjithë janë anëtarë të së njëjtës familje. Ky është kriteri themelor, që ofron feja, për të kaluar nga toleranca, tek bashkëjetesa vëllazërore, duke i dhënë fund dhunës e duke jetuar si vëllezër e motra”.

Më 4 shkurt do të dorëzohet çmimi Zayed 2021 për Vëllazërimin Njerëzor. Ç’kuptim ka ky çmim, që jepet për herë të parë?

“Çmimi Zayed për Vëllazërimin Njerëzor, krijuar në vitin 2019, është homazh për Shehun Zayed bin Sultan al Nahuan, themelues i Emirateve të Bashkuara Arabe. Për herë të parë iu dorëzua Papës Françesku dhe Imamit të Madh të Al-Azhar, Ahmad al Tayyeb për nënshkrimin e Dokumentit mbi vëllazërimin, më 2019-tën, në Abu Dabi. Tani do të jetë juria e krijuar për këtë vlerësim, që  do të vendosë çdo vit për dorëzimin e çmimit!”.

01 shkurt 2021, 16:15