Kërko

Editorial
Vatican News

90-vjetori i Radio Vatikanit, arsyet e një misioni

Në shërbim të Papës dhe të vëllazërimit ndërmjet popujve. Kështu e rimendon vetveten, në kohën e pandemisë, emitentja e dëshiruar fuqimisht nga Papa Piu XI, në kohën e pandemisë. Pikërisht nesër, më 12 shkurt, Radio Vatikani kremton 90-vjetorin e saj. Në prag të kësaj feste të rëndësishme për ne, ju propozojmë, editorialin e drejtorit tonë, Andrea Tornielli…

R.SH. - Vatikan

ANDREA TORNIELLI

“Radio Vatikani, themeluar me urti largpamëse, është në shërbim të mendimit dhe të zërit të Papës, për t’i bërë atij jehonë me shpejtësi dhe frytshmëri; e, njëkohësisht, është afirmim i qartë i pavarësisë së Selisë Apostolike, mjet për përhapjen e magjisterit papnor. Që nga fillimi, ky fryt i teknologjisë moderne ishte edhe në shërbim të bashkimit të ndërsjellë ndërmjet popujve, pikërisht për natyrën e tij universale të vëllazërimit”. Fjalët e thëna më 12 shkurt 1961 nga shën Gjoni XXIII e ruajnë aktualitetin e tyre edhe në ditët kur Radio Vatikani kremton nëntëdhjetë vitet e saj dhe kur Kisha po e bën të vetin mesazhin e enciklikës së Papës Françesku, “Fratelli tutti”.

Kjo datëlindje e veçantë e emitentes së dëshiruar nga Papa Piu XI, ndërtuar nga Guglielmo Marconi dhe besuar etërve jezuitë, bie në një kohë të vështirë në historinë e njerëzimit, për shkak të pandemisë. Lufta kundër koronavirusit, që infekton mushkëritë dhe kundër virusit indiferencë, që shpesh na pengon ta shohim njëri-tjetrin si vëllezër, i ka ndryshuar programet, transmetimet dhe kuptimin e misionit të saj. Në vitin e Covid-19, emitentja e Papës u përpoq të shërbente si rrjet dhe të lidhte njerëzit e izoluar, për shkak të bllokimit në shtëpi. Ajo tregoi përvojat e shumta krijuese të së mirës, që lindën kudo në botë.

Ka një episod, që më shumë se gjithçka tjetër, shënoi historinë e Radio Vatikanit, vitin e fundit. Është dëshmia e atë Luigi Maccalli-t, për dy vite me radhë peng i xhihadistëve ndërmjet Nigerit dhe Malit. Misionari mundi të gjejë një radio gjysëm të prishur, që ia lanë rojet e burgut: “Arrita të dëgjoj çdo të shtunë komentin e Ungjillit të së dielës në Radio Vatikan. Një herë, edhe meshën drejtpërdrejt… ishte pikërisht Mesha e Papës e Rrëshajëve 2020”.

Në këto fjalë, gjejmë arsyet për shërbimin e kryer nga emitentja, nga teknikët dhe redaktorët e saj prej 69 vendeve të ndryshme, të cilët transmetojnë çdo ditë mesazhin e Pasardhësit të shën Pjetrit dhe ngjarje nga jeta e Kishës në botë, duke i interpretuar në gjuhë dhe kultura të ndryshme, pa maninë për numrin e dëgjuesve, të pëlqimeve në rrjetet shoqërore, ose të protagonizmit autoreferencial. Rreziqe, të cilat Papa Françesku i pati vënë në dukje në shtator 2019, duke pritur në audiencë Dikasterin për Komunikimin: “Si duhet të jetë komunikimi? Një nga gjërat, që nuk duhet të bëni, është reklama... Nuk duhet të bëni siç bëjnë ato firma, që përpiqen të të kenë sa më shumë njerëz... Unë do të doja që komunikimi ynë të ishte i krishterë dhe jo faktor prozelitizmi”.

 Duke ndjekur këtë këshillë, Radio Vatikani vazhdon t’u çojë mesazhin e Papës shumë të tjerëve si atë Maccalli, të cilët, në anët më të humbura të tokës “e shuajnë” jetën e tyre si qiriri për Ungjillin. E ia tregon botës historitë e tyre, duke u tërhequr vëmendjen të gjithëve.

11 shkurt 2021, 11:47