Kërko

Vatican News

Me 8 shkurt kalendari kujton shenjtorët Jeronim Emilianin dhe Jozefina Bakhitën, virgjër

Shën Jeronim Emilianin, themelues i Etërve Somaskë, pajtor qiellor i jetimëve dhe i të rinjve të braktisur, dhe shën Jozefina Bakhitën, virgjër, rritur nën një skllavëri të tmerrshme, tani pajtore qiellore e viktimave të trafikut.

R.SH. - Vatikan

Me 8 shkurt kalendari përkujton Shën Jeronim Emilianin, themelues i Etërve Somaskë, pajtor qiellor i jetimëve dhe i të rinjve të braktisur, dhe Shën Jozefina Bakhitën, virgjër, skllave sudaneze e liruar e, më pas, murgeshë kanosiane, shpallur shenjte në vitin 2000, tani pajtore qiellore e viktimave të trafikut.

Jeronim Emiliani

Fisnik venecian, që jetoi në shekullin XVI, Jeronim Emiliani ëndërronte një karrierë që do t’i dhuronte lavdi. Nisi, prandaj jetën ushtarake, por si u zu rob gjatë një beteje, e mbyllën në qelitë e nëndheshme të një kështjelle, lidhur këmbë e kokë me zinxhirë. S’mund të bënte tjetër, veç të kujtonte jetën e tij të shkurtër, të mendonte për kotësinë e pushtetit njerëzor, të sillte ndër mend t’ ëmën, që e kishte mësuar të lutej e t’ia besonte veten Zojës së Bekuar, Nënës së Krishtit e Nënës shpirtërore të gjithë të krishterëve.

E kështu, falë lutjes, nisi ta ndjejë veten të lirë. Takimi personal me Zotin, përmes Virgjërës Mari, i la gjurmë të thella në jetë. Kur rifitoi lirinë, jeta e tij mori një kthesë rrënjësore: ndërroi miqësitë, nisi të lexojë çdo ditë Fjalën e Zotit, ndjeu thirrjen për impenjim misionar në shërbim të të varfërve, të sëmurëve, të rinjve të braktisur e grave të penduara. 

Pas një periudhe të shkurtër noviciati si pendestar me Gjampietro Karafën, papën e ardhshëm Pali IV, Jeronimi ia kushtoi gjithë jetën Zotit. Tërhoqi me shembullin e vet shumë meshtarë e laikë të cilët, ashtu si ai, dëshironin t’i shërbenin Krishtit ndër të varfërit. Lindën kështu “Shërbëtorët e të varfërve” e pastaj edhe “Urdhëri i Klerikëve Rregulltarë të Somaskës”, ose Etërit Somaskë, që e morën emrin nga qyteti lombard në Itali, ku bashkëpunëtorët e shenjtit shkonin për t’u lutur. 

Shën Emiliani përsëriste gjithnjë fjalët: “Në se Zoti gjen në shpirtin tuaj fe të çiltër e shpresë, do të bëjë me ju gjëra të mëdha, sepse ai i larton të përvujtit. Në se e ruani veten në mes të tundimeve, Zoti do t’ju ngushëllojë në këtë botë; do t’ju japë përkohësisht paqe e qetësi këtu poshtë e pastaj, përjetësisht, në botën tjetër”. Vdiq gjatë epidemisë të një sëmundjeje ngjitëse më 8 shkurt 1537.

Gjyzepina Bakita

Gjyzepina Bakita lindi në Sudan në vitin 1869. Iu desh të provonte ankthin e rrëmbimit e të skllavërisë. Si u shit disa herë në tregjet e skllevërve në El Obeid e në Kartum, u blé, më në fund, nga konsulli italian. Me të shkoi në Venedik, ku u njoh me motrat kanoziane. Gjyzepina iu lut atyre ta ndihmonin për të njohur atë Zot, të cilin e kishte ndjerë në zemër pa e ditur akoma se kush ishte. E u tregonte motrave rregulltare: “Duke parë diellin, hënën e yjet, thosha me vete: “Kush do të jetë zotëria i këtyre sendeve?  E ndjeja një dëshirë të zjarrtë për ta parë, për ta njohur e për ta nderuar”.

Jetoi pesëdhjetë vjet me radhë duke shërbyer në shtëpinë e simotrave, të cilat e nderonin për ëmbëlsinë e saj të përhershme, për mirësinë e saj e për dëshirën që të njihte Zotin.  U la trashëgim fjalët: “Të jeni të mira, duajeni Zotin, lutuni për ata që nuk e njohin! Sikur ta dinin ç’hir i madh është ta njohësh Zotin!”. Në pleqëri kaloi një sëmundje të rëndë e të dhimbshme. Dha shpirt më 8 shkurt të vitit 1947 rrethuar nga simotrat dhe nga një turmë e madhe njerëzish, që u mblodh për t’i dhënë lamtumirën e fundit “Nënës së shenjtë zeshkane” e për t’i kërkuar ndërmjetësim nga qielli.

Kisha katolike i lutet pajtores qiellore të viktimave të trafikut, shën Jozefina Bakitës, skllavëruar që e vogël, shitur e blerë, por pastaj, liruar e ‘lulëzuar’ plotësisht si bijë e Zotit, e kujton 'viktimat e pafajshme të trafikut', që kthehen në mall, dhe inkurajon të gjithe ata që ndihmojnë viktimat e trafikut ta vijojnë misionin e tyre, shpesh të rrezikshëm e anonim, por të nevojshëm për t’i dhënë fund kësaj plage të tmerrshme.

08 shkurt 2021, 09:16