Kërko

Shën Agia, virgjër e martire Shën Agia, virgjër e martire 

Me 5 shkurt kalendari kishtar përkujton Shën Agen, martire

Shën Agia, një ditë u takua rastësisht me prokonsullin Kuinxiano, i cili sa e pa, e kërkoi për grua. Me që ajo nuk pranoi, prokonsulli, i tërbuar nga refuzimi, përfitoi nga vala e martirizimit të të krishterëve, urdhëroi ta torturonin mizorisht. E rrahën për vdekje.

R.SH. - Vatikan

Shën Agia, apo Agata, virgjër e martire, lindi në Katania të Italisë në dhjetëvjeçarët e parë të shekullit III.  Agata, që do të thotë "e mirë", u martirizua kur ishte vetëm 13 vjeç, në vitin 250 nga Kosulli Kuinciano, sepse nuk pranoi të bëhej gruaja e tij. 

Bijë e një familjeje fisnike, me një bukuri të rrallë fizike e shpirtërore, ajo nuk u tremb nga torturat e shërbëtorëve të Kuincianit, që arritën deri atje, sa t'ia copëtonin trupin, duke i prerë edhe gjirin, siç paraqitet në ikonografi. Ashtu, të copëtuar, e sollën para Kuincianit i cili, si e pa se vijonte të përflakej vetëm nga dashuria hyjnore, e hodhi mbi thëngjij të ndezur, ku buzët e saj të shkrumbuara, pëshpëriten lutjen e fundit, para se t'ia dorëzonte shpirtin Zotit. Prandaj Shenjtorja paraqitet kështu edhe në ikonografi. Në vitin 250, kur u martirizua, ishte vetëm 13 vjeçe. 

Shën Agia kujtohet nga Kanuni i lashtë i Meshës si shembull virtyti heroik, e është Pajtore e Katanies, ku banorët vijojnë t’i drejtohen për ndërmjetësim sa herë rrezikohen nga shpërthimi i vullkanit Etna. Shenjta është shumë e nderuar ndër shqiptarët. Emrin e saj e mbajnë shumë vajza e gra shqiptare në trajtën Age, Agetinë, Tinë, Agi. Age quhej edhe motra e Shën Nënë Terezës.

05 shkurt 2021, 11:49