Kërko

Vatican News

Fjala e Zotit e dielës së 5-të gjatë vitit kishtar “B”

Fjala e Zotit e Dielës sё V gjatë vitit na fton të reflektojmë mbi dhimbjem dhe vuajtjen njerëzore në dritën e fesё e besimit nё Zotit. Edhe pse është pjesë e përvojës njerëzore, ne nuk pajtohemi pa vështirësi me sëmunmdjen, sepse jemi tё “krijuar për jetën”. Ungjilli i dielës nga Marku na paraqet Jezusin të imepnjuar në misionin e shërimit tё të sëmurëve. Krishti, përveç se është mjek i shpirtit, është edhe mjek i trupit: ky është mesazhi i pjesës së Ungjillit (Mk 1, 29-39) të kësaj së diele.

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj here dëgjojmë e meditojmë së bashku Fjalën e Zotit të dielës së 5-të gjatë vitit kishtar, ciklit të dytë 'B'.

Fjala e Zotit e dielës së 5-të gjatë vitit kishtar “B”

Fjala e Zotit e së Dieles na fton të reflektojmë mbi dhimbjen dhe vuajtjen njerëzore në dritën e fesё e tё besimit nё Zotit. Pra, leximet biblike tё kësaj e sё diele na flasin mbi vuajtjen, ndaj së cilës Jezusi përgjigjet me njё mrekulli (Ungjilli na tregon pёr shërimin e vjehrrës sё Pjetrit); mbi ungjillëzimin, për çka Pali apostull ndjehet i thirrur, dhe në Jezusin e ka modelin e përsosur. Së fundi lutjen: Jezusi i rrethuar nga turma tërhiqet mënjanë për t'u takuar ballë për ballë me Atin Hyjnor. Lutja është thelbësore, si për të pranuar e po kёshtu edhe për të kuptuar domethënien e vuajtjes, si dhe për t’u përforcuar për misionin e predikimit tё Lajmit tё Mirë.

Edhe pse është pjesë e përvojës njerëzore, ne nuk pajtohemi pa vështirësi me sëmunmdjen, sepse jemi tё “krijuar për jetën”. Ungjilli i dielës nga Marku na paraqet Jezusin të imepnjuar në misionin e shërimit tё të sëmurëve. Krishti, përveç se është mjek i shpirtit, është edhe mjek i trupit: ky është mesazhi i pjesës së Ungjillit (Mk 1, 29-39) të kësaj së diele.

Një qytet i tërë, Kafarnaumi, grumbullohet tek pragu i shtëpisë së Simon Pjetrit, ku Jezusi posa ka shëruar vjehrrën e tij. Eksperienca e shërimit të të sëmurëve zë një pjesë të mirë të misionit publik të Jezusit, e na fton të reflektojmë mbi kuptimin e mbi vlerën e sëmundjes, në çdo situatë në të cilën njeriu mund të gjendet. Megjithëse sëmundja ështё pjesë e përvojës njerëzore, ne nuk mësohemi dot me të dhe nuk e pranojmë, jo vetëm pse nganjëherë bëhet vërtet e rëndë dhe e rrezikshme, por sepse  Zoit na krijuar për jetën.

Me të drejtë, ‘instinki ynë i brendshëm’ na bën të mendojmë se jeta plotësohet në Zotin, madje si Jetë e amshuar dhe e përsosur. Këtë përgjigje e gjejmë në Ungjill. Jezusi nuk lë asnjë dyshim: Hyji – fytyrën e të cilit Ai vetë na e ka dëftuar – është Hyji i jetës, që na liron nga çdo e keqe. Shenjat e kësaj fuqie të dashurisë janë shërimet. E këto janë shenja që na udhëheqin drejt mesazhit të Krishtit, na udhëheqin drejt Zotit e na bëjnë të kuptojmë se sëmundja e thellë dhe e vèrtetë e njeriut është mungesa e Zotit, burim i së vërtetë dhe i dashurisë. E vetëm pajtimi me Zotin mund të na dhurojë shërimin e vërtetë, jetën e vërtetë, sepse jeta pa dashuri e pa të vërtetën nuk do të ishte jetë e plotë. Prandaj, kuptohet se pse predikimi i Jezusit dhe shërimet që Ai bën, janë përherë të lidhura: në të vërtetë formojnë një mesazh të vetëm shprese e shpëtimi.

Jobi është një njeri qё u bë pothuajse simbol i njeriut që vuan, i njeriut të munduar, tё shtypur nga dhimbja. Ai ankohet me Zotin për atë që i ndodh nё jetё. Nuk mund t’i durojё më netët pa gjumë, ditët që kalojnë pa shpresë dhe luten që Zoti i jetës tё ketë mëshirë pёr tё dhe ta ndihmoj (Libri Jobit 7, 1-4.6.7. ).

Pali apostull pohon se ёshtё mbi të gjitha një predikues, një kumtues i ungjillit, por kjo nuk e bën atë krenar, sepse e ndjen se e ka pёr detyrë. E me të vërtetë kjo është detyra që i është besuar atij nga Zoti. Dhe ai shpall se e predikon ungjillin falas, me gatishmërinë maksimale, duke u bërë shërbëtor i të gjithëve, vetëm për të "shpëtuar me çdo kusht ndokёnd (1 Korintasve 9,16-19.22-23.).

Marku ungjilltar përshkruan një ditë të Jezusit. Së pari Jezusi shkon në sinagogë, pastaj rri si mik në shtëpinë e Pjetrit e tё Andreut. Këtu e shëron vjehrrën e Pjetrit dhe kalon pasditen me ta. Në mbrëmje ka shumë njerëz të sëmurë për t’i shëruar. Në agim të nesërmes, kur akoma është errësirë, Jezusi kërkon një vend të shkretë për t'u lutur. I kërkuar nga apostujt, niset me ta për të shpallur Ungjillin - Lajmin e Mirë në vende tjera (Marku 1,29-39). Pra, Jezusi është në fillim të jetës së tij publike. Nuk ka kaluar shumё kohё qё kur ёshtё larguar nga familja dhe shtëpia e Nazaretit, e tani ecën nëpër Galile dhe turmave ua kumton lajmin e mirë të Mbretërisë së Hyjit.

                                                Liturgjia e Fjalës së Zotit

Leximi i parë Jb 7, 1-4.6-7
Jobi reflekton mbi situatën njerëzore plot me zhgënjime dhe vuajtje dhe gjen lehtësim në besimin e plotë që ka ndaj Zotit. Edhe pse Jobi proteston, reagimi i tij është i kuptueshëm dhe jo i dëshpëruar. Dinjiteti ynë njerëzor qëndron në të luftuarit për jetën dhe në mospranimin e dëshpërimit.

Lexim prej Librit të Jobit
Jobi foli dhe tha: “Vallë, s’është luftë mbi tokë jeta e njeriut? Ditët e tija si ditët e mëditësit? Porsi të skllavit që e dëshiron hijen, si të mëditësit të varur nga mëditja? Kështu më takuan mua muaj zhgënjimi, net plot dhimbje për pjesë më qëlluan! Nëse shkoj të bie, pyetem: Kur do të agojë drita? E përsëri mezi e pres mbrëmjen, plot me dhimbje mezi e pres muzgun! Më kaluan ditët më shpejt se drugza e vektarit, u sosën, mbetën pa pe. Mos harro: avull është kjo jeta ime, sytë e mi fat të mirë s’do të shohin.” Fjala e Zotit! Falënderojmë Hyjin!

Psalmi 147 
Na shëro, o Zot, Hyj i jetës sonë


Lavdërojeni Zotin, sepse është i mirë,
është bukur t’i këndosh Hyjit tonë,
është kënaqësi ta lavdërosh si i ka hije!
Zoti e rindërton Jerusalemin, 
i bashkon izraelitët e mërguar.

Ai e shëron zemrat e copëtuara,
i lidh plagët e tyre!
Ai e njeh numrin e yjeve
dhe e thërret secilin me emër.

I madh është Zoti ynë, i gjithëpushtetshëm,
e pakufishme është dija e tij.
Zoti e lartëson të përvujtët,
kurse përdhe i shtron bakëqijtë.

Leximi dytë nga Letra e Korintianëve 9,16-19.22-23
Çdo njeri ka të drejtë të dëgjojë Ungjillin. Për këtë Pali është gati të kryejë çdo sforcim për ta shpallur. Përballë kësaj urgjence të shpalljes është e nevojshme të braktisim çdo pengese e çdo privilegj. Pali predikon Ungjillin pa kërkuar interesat e tij. Bëhet gjithçka për të gjithë për të dërguar te Krishti numrin më të madh të besimtarëve.

Lexim prej Letrës së parë të shën Palit apostull drejtuar Korintasve
Vëllezër, të shpall Ungjillin nuk është një arsye krenie për mua; është detyrë që më duhet ta kryej. I mjeri unë nëse nuk e predikoj Ungjillin! Nëse e bëj këtë me nisiativën time, atëherë më takon paga; por nëse jo prej nisiativës sime, është detyrë që më është besuar. Cila atëherë është paga ime? Që, duke predikuar Ungjillin, ta jap falas pa i përdorur të drejtat që m’i jep Ungjilli.
Sepse, edhe pse unë jam i lirë prej të gjithëve, vetveten e bëra skllavin e të gjithëve që të fitojë për fe sa më shumë njerëz. U bëra i ligshtë për të ligshtët. Për të gjithë u bëra gjithçka, që, të kushtojë sa të kushtojë, por ta shpëtoj ndonjërin. E të gjitha këto i bëj për dashuri të Ungjillit, kështu që të kem pjesë në të. Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin!

Aleluja. Aleluja.
Fjalët e tua, o Zot, janë shpirt dhe jetë. Ti ke fjalët e jetës së pasosur.
Aleluja. Aleluja.

Ungjilli Mk 1, 29-39
Jezusi fillon aktivitetin e tij duke kryer planin e Atit. Ai tërhiqej shpesh në një vend të vetmuar për tu lutur që mësimi i tij, jeta e tij dhe veprat e tij të jenë me të vërtetë sipas planit të Atit. Bashkimi iJezusit me njerëzit është shenja e bashkimit të tij të thellë me Atin. Indiferenca jonë ndaj të tjerëve ndoshta është një shenjë e një largimi nga Hyji. 

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Markut
Në atë kohë, Jezusi posa doli nga sinagoga, shkoi me Jakobin e me Gjonin në shtëpinë e Simonit e të Andreut. Vjehrra e Simonit ishte në shtrat ndër ethe. Menjëherë i treguan për të. Jezusi u afrua, e kapi për dore dhe e ngriti. E lëshuan ethet dhe u shërbeu. Në mbrëmje, me të perënduar të diellit, ia sollën para të gjithë të sëmurit dhe të djallosurit. Mbarë qyteti u mblodh para derës. Ai i shëroi të sëmurët – ishin shumë dhe me sëmundje të ndryshme. Dëboi edhe shumë djaj. Por nuk i lejoi djajtë të flasin sepse e njihnin.
Herët në mëngjes, kur ende ishte natë, Jezusi u çua e shkoi në një vend të pabanuar e atje thoshte uratë. Simoni me shokët e vet u vunë ta kërkojnë. Kur e gjetën i thanë: “Të gjithë po të kërkojnë.” Ai u tha: “Ejani të shkojmë gjetiu, në fshatrat e afërme, që të predikoj edhe atje. Prandaj edhe erdha.” Dhe i ra kryq e tërthor Galilesë duke predikuar nëpër sinagogët e tyre dhe duke dëbuar djajtë. Fjala e Zotit. Lavdi të qoftë ty, o Krisht!

Homelia nga dom Dritan Ndoci, e diela 5 gjate vitit kishtar 'B'

Homelia nga Dom Dritan Ndoci, famullitar në Rranxa-Bushat,  krydioqeza e Shkodër-Pultit: E DIELA V GJATË VITIT 'B' 

I MJERI UNË NËSE NUK E PREDIKOJ UNGJILLIN! (Job 7, 1-4. 6-7; Ps 146 (143); 1 Kor 9, 16-19. 22-23; Mk 1, 29-39)

Sot leximet e shenjta dëshirojnë, në një mënyrë shumë ndryshe nga sa jemi mësuar, të na vënë përballë realitetit të vuajtjes. Është e vërtetë se vuajtja nuk është gjithnjë e pranishme në jetën e njeriut dhe jo çdo herë është me të njëjtën dendësi, por deri diku secilit i duhet, herët a vonë, ta pijë kelkun e hidhur të vuajtjes.

Jobi është personazhi më i famshëm i Besëlidhjes së Vjetër për përballjen e tmerrshme që atij i takoi të ketë me vuajtjen. Bibla thotë se djalli kërkoi lejen prej Zotit që ta tundonte këtë njeri i cili kishte një fe vërtet të madhe. Ai Lutej, ofronte fli rregullisht, u mësonte fëmijëve të kishin besim në Hyjin e gjallë, por prapëseprapë arriti çasti kur edhe atij iu desh të përballej me misterin e vuajtjes: i humbi pasuritë e shumta që kishte, i vdiqën të gjithë fëmijët e, në fund, në mishin e tij u shfaq sëmundja e tmerrshme e gërbulës, sëmundje e cila shkakton në njeriun dhimbje shumë të forta e që është ngjitëse.

Në atë kohë, kurim tjetër nuk kishte për këta njerëz, veçse t’i veçonin diku larg qendrave të banuara e atje të prisnin vdekjen. Për më tepër kjo sëmundje shihej edhe si ndëshkim i Hyjit për ndonjë mëkat. Pra, jo vetëm që për së gjalli njeriu e shihte mishin e tij tek i kalbej përditë, por i duhej gjithashtu që me shumë turp të ndahej edhe nga pjesa tjetër e shoqërisë.

Në kulmin e kësaj dhimbjeje që tashmë, pra, po e përvëlonte trup e shpirt, Jobi nuk duron dot më dhe fillon të bërtasë kah Hyji e t’i kërkojë Atij llogari.

Pikërisht në këtë ankim të Jobit lindin edhe fjalët që sot dëgjuam në leximin e parë të cilat shprehin një gjendje të tmerrshme: «Vallë, s’është luftë mbi tokë jeta e njeriut?» Kam përshtypjen se, duke i dëgjuar këto fjalë, secilit tani po i vjen spontane që ta pohojë me kokë se është dakord.

Jobi vazhdon edhe më tmerrshëm: «Nëse bie të fle, pyes veten: kur do të ngrihem?» Është e tmerrshme të biesh në shtrojë e të mos arrish të flesh. Është e tmerrshme jo edhe aq kur thjesht njeriu nuk ndjen gjumë, por kur e ndjen se është i lodhur sa më s’ka e megjithatë brenda vetes ndien se i ka shpërthyer një luftë e vërtetë mendimesh, ndjenjash, ankthesh, dhimbjesh.

Edhe më keq: Jobi thotë se as gjatë ditës nuk gjen paqe. Ai, me ankth, pohon se pret mbrëmjen, me shpresën që atëherë të gjejë paqe. Jobi i mjerë ka rënë në një rreth i tmerrshëm vicioz, nga i cili i duket se nuk gjen dalje. E gjendja rëndohet edhe më shumë kur, në gjithë këtë dhimbje, i duhet të përballet edhe me heshtjen e mistershme të Zotit.

Por cila është lidhja që kjo pjesë e Besëlidhjes së Vjetër që flet mbi këtë dhimbje të madhe të Jobit, mund të ketë me Ungjillin e sotëm?

Në fakt, në Ungjill shohim se Jezusi përballet me vuajtjen, por duke e mundur atë. Megjithatë, kam përshtypjen se pjesa e sotme ungjillore nuk dëshiron të na e përqendrojë këtu vëmendjen tonë! Është diçka tjetër që duhet të vëmë re! Duhet të shohim se si është e mbushur një ditë e Jezusit?!...

Pjesa e Ungjillit fillon duke na thënë se Jezusi doli nga sinagoga dhe, menjëherë, shkoi tek shtëpia e Simonit dhe e Andreut. Aty shëroi vjehrrën e Simonit. Edhe më: mbarë qyteti u mblodh para derës së shtëpisë ku gjendej. Pra Jezusi në këtë fazë të jetës së Tij nuk kishte më edhe aq shumë kohë për vete.

Po të nesërmen? Edhe aty veprimtaria e Jezusit është tejet e dendur: duke e parë se turmat nuk i linin kohë të lutej, Jezusi vendosi t’i hiqte orë gjumit e të zgjohej më herët për t’u lutur. E, kur nxënësit e gjejnë në lutje, u thotë: «Ejani të shkojmë gjetiu, në fshatrat e afërme, që të predikoj edhe atje. Prandaj edhe erdha.».

Agjenda” e Jezusit ishte plot e përplot. Një rresht tjetër i Ungjillit të Markut thotë se Jezusi me apostujt, në një fare pike, «s’kishin kohë as të hanin, aq shumë njerëz vinin e shkonin aty ku ishin».

E, siç ndodh shpesh, ne replikojmë duke thënë se Jezusi tek e fundit është Hyj, pra e kishte kollaj.

Po njeri, a e besojmë se ishte? Ishte në «gjithçka i ngjashëm me ne», na e kujton Shkrimi Shenjt. Si rrjedhojë atëherë e kuptojmë se edhe ai, siç mund të ndiente gëzimin, ashtu edhe mund të binte pré e lodhjes, e sëmundjeve, e stresit, e hidhërimit, e trishtimit, e betejës që mund të shpërthejë brenda mendjes njerëzore kur gjendet përballë pyetjeve që s’të lënë të gjesh paqe.

Por shohim se, edhe pse Jezusi është i rrethuar me kaq shumë lodhje fizike përreth vetes, brenda mendjes së Tij ka edhe diçka tjetër: dëshira që të kryente atë për të cilën kishte ardhur në botë, dëshira të kryente vullnetin e Atit te vet.

Kur ne vendosim të kryejmë vullnesën e Zotit, vuajtjet nuk zhduken, por, përkundrazi, mund të na shtohen edhe më shumë. Hyji nuk na i heq streset. Ah, sa lehtë do të ishte atëherë të ishim të krishterë! Por diçka tjetër mund të ndodhë brenda nesh: t’i shohim me syrin e fesë si sëmundjet, ashtu edhe streset, pikëllimet e vuajtjet e tjera. Mund të arrihet deri aty sa vuajtja njerëzore të përjetohet edhe si mision. Mjafton të shohim jetën e Jezusit dhe atë të shenjtërve.

Patjetër se, po të mos ishte ndihma e Hirit të Hyjit në këtë mes, nuk do t’ia dilnim kurrë, por ndihma e Hyjit pret edhe bashkëpunimin tonë, pret edhe fenë tonë të gjallë.

Jobi nuk gabon që i kërkon llogari Hyjit (madje në fund Hyji e përgëzon për këtë), por gjithësesi gjendej diçka për të cilën Jobi kishte nevojë për kthim: ta shihte vuajtjen jo si mallkim, por si pjesë e mistershme e ecjes drejt Hyjit.

Në Ungjill, Jezusi nuk sheh edhe aq vuajtjen e vet, por sheh vuajtjet e të tjerëve. Po ashtu edhe Shën Pali në letrën e tij thotë atë shprehjen e tij të famshme: «I mjeri unë nëse nuk e shpall Ungjillin.» Jo se nuk kishte “plagë” e vuajte Shën Pali, por gjithsesi ai kishte vendosur të bënte si Jezusi: të përpiqej të shëronte plagët e të tjerëve. Kur do të bindemi se plagët tona do të fillojnë të shërohen vetëm kur do të fillojmë të merremi me shumë dashuri me plagët e të tjerëve?

Tingëllon i çuditshëm një arsyetim i tillë për atë që është i zhytur në vuajtje. I duket si fyerje. Por realiteti i përditshëm e vërteton se shumë nga plagët e njeriut shërohen pikërisht kështu.

Në Shqipëri më ka qëlluar të takoj shumë të rinj e të reja që kishin ardhur nga vende të tjera të botës me qëllim që të jepnin ndonjë ndihmë modeste në ungjillëzim apo në shërbim vullnetar. Por shumë shpesh kam dëgjuar prej gojës së tyre fjalë si: «U nisa me idenë që të jepja unë diçka, por tani po kthehem me bindjen se kam marrë unë vetë shumë më shumë.» Kishin marrë shumë dashuri, shumë mirënjohje, shumë dëshmi jete... E, në fund, e kishin vënë re se kishin qenë lehtësuar edhe në plagët e tyre.

 Pastaj ka edhe një faktor tjetër që nuk duhet ta nënvlerësojmë: ne njerëzit shumë shpesh priremi ta zmadhojmë gjithnjë e më tepër dëshpërimin tonë përballë asaj që na ka ndodhur. E teprojmë aq shumë, saqë jo rrallë pastaj arrijmë të justifikojmë edhe mëkatet e rënda. Prandaj në disa raste është vërtet urgjente të dalim nga rrethi vicioz i ankesave e të jepemi pas shpalljes së Ungjillit e pas nevojave të të tjerëve.

Në jetën e Shenjtes Françeska Saverio Kabrinit, e cila u quajt ndryshe edhe «Shenjtëresha e italianëve në Amerikë» (për shkak të veprimtarisë së mrekullushme që ajo bëri në të mirën e emigrantëve italianë në Amerikë nga fundi i shekullit XIX e derisa vdiq në fillimin e shekullit XX), thuhet një detaj shumë interesant. Ose më saktë, e tregon ajo vetë në një letër të sajen: «Kur vizitoj ndonjë shtëpi tonën (është fjala për shtëpitë ku kishte Motrat e Kongregatës së themeluar prej saj) dhe shoh fytyra të zgjatura dhe vërej një hije lodhjeje, dembelizmi apo humori të keq, nuk i kërkoj njërës apo tjetrës: ‘Çfarë ke apo çfarë nuk ke?’ Ngre në këmbë ndonjë vepër të re që t’i detyrojë motrat të dalin prej vetes së tyre.»

Sikur të gjithë eprorët e Instituteve Rregulltare të kishin këtë kriter pedagogjik, vetëm Zoti mund ta dijë se ç’ veprimtari ungjillëzimi do të shpërthente në mbarë botën!

Shenjtërit na mësojnë se nuk duhet të jemi prej atyre që u shkon jeta duke lëpirë plagët e veta, por na ftojnë fuqishëm të rrënjosemi gjithnjë e më shumë në shpalljen e Krishtin.

Pra, ankesës së Jobit në leximin e parë i përgjigjet vrulli i Jezusit në Ungjill për të kryer vullnetin e Atit, si edhe zelli i Shën Palit e i shumë shenjtërve të tjerë të historisë për shpëtimin e njerëzve. Vuajtja është e pashmangshme në jetën tonë, por ajo mund të shihet ndryshe e, deri diku, ajo mund të lehtësohet edhe me vetë faktin se fillojmë të përfitojmë pikërisht nga ato rrethana për të dëshmuar e shpallë Ungjillin, si edhe për të lehtësuar dhimbjet e të tjerëve.

Dom Dritan Ndoci

06 shkurt 2021, 09:33