Kërko

Vatican News

Urbańczyk në OSBE: të promovohet roli i grave në parandalimin e konflikteve

Dialogu dhe respekti për të drejtën ndërkombëtare: kjo është rruga për zgjidhjen e konflikteve, kujton imzot Janusz Urbańczyk, i cili foli në OSBE

R.SH. - Vatikan

“I inkurajojmë të gjitha vendet anëtare të vazhdojnë punën për paqen dhe drejtësinë, duke zbatuar impenjimet që kanë marrë përsipër”: kështu pohoi Vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë në OSBE (Organizata për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë), gjatë takimit të 1298-të të Këshillit të Përhershëm të këtij organizmi. Në veçanti, imzot Urbańczyk kujtoi se “paqja e vërtetë dhe e qëndrueshme është e mundur vetëm nëse bazohet mbi etikën globale të bashkëpunimit, në shërbim të së ardhmes, që karakterizohet nga ndërvarësia dhe përgjegjësia e përbashkët e të gjithë familjes njerëzore”. Duke iu referuar 20-vjetorit të Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara mbi gratë, paqen dhe sigurinë, që u kremtua më 3 tetorin e kaluar, prelati theksoi nevojën për të “kujtuar kontributin e pazëvendësueshëm të grave kur bëhet fjalë për pajtimin dhe arritjen e paqes”. “Selia e Shenjtë - shtoi ai - është e bindur për nevojën e promovimit të rolit të grave në të gjitha nivelet për parandalimin e konflikteve, për administrimin e zgjidhjen e krizave e për rindërtimin pas luftrave”.

Të gjitha të drejtat e njeriut të mbrohen njëlloj

Qendrore, në fjalimin e Vëzhguesit të Selisë së Shenjtë, edhe thirrja për t'i kushtuar “vëmendje të veçantë të drejtave të njeriut, demokracisë dhe barazisë gjinore”, të cilat duhen respektuar njëlloj në gjithë botën, “për të shmangur krijimin e një hierarkie ndërmjet tyre”. Të drejtat e njeriut, sidomos barazia ndërmjet burrit e gruas, vërejti prelati, nuk duhet të shfrytëzohen për interesa të veçanta politike, ekonomike, ushtarake, kulturore, ose ideologjike.

Toleranca dhe mosdiskriminimi, përparësi të OSBE-së

Përfaqësuesi i Vatikanit theksoi edhe nevojën e respektimit të impenjimeve aktuale, të cilat nuk duhen ndryshuar, ose anuluar, sipas interpretimit personal. Në emër të Selisë së Shenjtë, Vëzhguesi i përhershëm i kërkoi presidencës suedeze të OSBE-së për vitin 2021 të ketë në krye të agjendës së saj “temën e tolerancës dhe të mosdiskriminimit”, duke pasur parasysh persekutimin në rritje të të krishterëve, hebrenjve, myslimanëve dhe anëtarëve të feve të tjera. Në këtë mënyrë, pohoi imzot Urbańczyk, OSBE-ja do të jetë në gjendje “t’u përgjigjet sfidave të sigurisë, me të cilat përballen të gjitha bashkësitë fetare të kontinentit evropian”.

Veprim i përbashkët kundër pandemisë

Së fundi, Vëzhguesi i përhershëm i këshilloi shtetet anëtare “të ndërmarrin aksione të përbashkëta kundër kërvcënimeve globale, ndër të cilat, edhe pandemia e Covid-19”, për ta bërë OSBE-në “më të fortë e më të qëndrueshme”, udhëhequr nga parimet e “dinjitetit njerëzor dhe nga busulla e të drejtave shoqërore themelore”.

15 janar 2021, 11:46