Kërko

Vatican News
Dita Botërore e të Sëmurëve nga Gërbula Dita Botërore e të Sëmurëve nga Gërbula 

Thirrja e Papës për përfshirjen në shoqëri dhe mjekimin e të gërbulurve

Në përfundim të Engjëllit të Tënzot, 68 vjet pas themelimit të Ditës së sotme botërore të të sëmurëve nga gërbula, Françesku kujtoi dhimbjen e thellë të atyre, që vuajnë prej saj dhe i inkurajoi punonjësit e shëndetësisë në punën e tyre. Në të njëjtën vijë, edhe fjalët e kardinalit Peter Turkson, prefekt i Dikasterit për Zhvillimin e Gjithanshëm të Njeriut i cili, në mesazhin e ditës, bën thirrje për zhdukjen e “damkës shoqërore”, që i shtohet kësaj sëmundjeje, për ta rehabilituar plotësisht njeriun.

R. SH. - Vatikan

Veprën humanitare të Raul Follereau, përkrah të të sëmurëve nga gërbula, e vijojnë akoma sot shoqatat e shumta, të frymëzuara prej tij. Françesku u ndalua  tek  Dita e sotme e 68-të botërore, kushtuar njerëzve të prekur nga sëmundja e Hansen, për t’i kujtuar gjithë të sëmurët, njerëzit që i mjekojnë e kujdesen për ta e edhe ata, që do të duhej t’ua siguronin të drejtat.

Gërbula: sëmundje,  që vijon t’u vërë “damkë” të prekurve

“U shpreh afërsinë time të gjithë atyre, që vuajnë nga kjo sëmundje. Inkurajoj misionarët, punonjësit e shëndetësisë dhe vullnetarët e angazhuar në shërbim të tyre. Pandemia vërtetoi sa e nevojshme është të mbrohet e drejta për shëndetin e njerëzve më të ligësht. Uroj që drejtuesit e Kombeve t’i bashkojnë përpjekjet për t’i mjekuar të prekurit nga Sëmundja e Hansen e për t’i përfshirë përsëri në shoqëri”.

Këtë theksoi Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot!

Të njëjtën nxitje e gjejmë edhe në mesazhin me titull: “Të zhduket lebra”,  të kardinalit Peter Turkson, prefekt i Dikasterit për Zhvillimin e Gjithanshëm Njerëzor. Një propozim, shkruhet në tekst, por edhe një akt konkret, sepse sëmundja e Hansen mund të luftohet me mjekimet përkatëse, ndonëse mbetet ende shumë për të bërë  përballë “damkës” që i shoqëron e i lëndon të prekurit nga kjo sëmundje.

Kujdesi shëndetësor e shoqëror për të gërbulurit

Në dhjetëvjeçarët e fundit - shkruan kardinali Turkson - shërbimet e asistencës shëndetësore për përballimin e gërbulës kanë përparuar shumë. Mjekimi multifarmakologjik po arrin gjithnjë më tepër rezultate pozitive, duke ngjallur shpresa të reja”. Turkson ndalohet, pastaj, tek nevoja për ta pasur parasysh “përmasën shoqërore e psikologjike” të të sëmurit e, prej këndej, “për të parandaluar, për të rehabilituar e, sidomos, për të punuar  për ekulibrin dhe mirëqenien fizike e psikologjike-shoqërore e shpirtërore të njeriut”.

31 janar 2021, 15:34