Kërko

Logo e DBR-së  Lisbonës, 2023 Logo e DBR-së Lisbonës, 2023  

Frymëzohet nga Maria, Himni i DBR-së së Lisbonës

Me sytë ngulur mbi Nënën e Jezusit e mbi shtytjen misionare: kjo theksohet në këngën, që do t’i shoqërojë zyrtarisht të rinjtë, duke i inkurajuar të shtegtojnë në udhët e botës për të çuar kudo Fjalën e Zotit. Sot Komiteti organizator paraqiti muzikën, tekstin dhe arranxhimet e Himnit të DBR-së

R. SH. - Vatikan

Është një këngë, që të fton të bëhesh një me Marinë,  të jesh si ajo, gati për të shërbyer, duke e çuar Ungjillin në mbarë botën. Për ta shndërruar botën. Këtë dëshiron të shprehë Himni i Ditës së ardhshme Botërore të Rinisë,  që do të kremtohet në Lisbonë, në vitin 2023 e që u paraqit  zyrtarisht sot nga Komiteti organizator, në përvjetorin e Meshës përfundimtare të Ditës së 34-t Botërore të Rinisë, në Panama. “Ftesë gazmore, drejtuar të rinjve të botës mbarë - lexohet në kanalin e Dikasterit për Laikët, Familjen e Jetën - ta vijosh këtë shtegtim feje përmes DBR-ve e të lutesh së bashku, në pritje  të takimit të ardhshëm me Atin e Shenjtë. Ndaj Himni i DBR-së nuk është vetëm mjet i promovimit të ngjarjes së madhe rinore por, mbi të gjitha, është lutje që, përkthyer në gjuhë të ndryshme, tingëllon aktual për jetën e Kishës, kudo që të këndohet!

Ka nxitim në ajër

Titulli “Há Pressa no Ar” (Ka nxitim në ajër) të kujton drejtpërdrejt moton e DBR-së, zgjedhur nga Papa: “Maria u ngrit e shkoi me nxitim” (Lk 1,39): të kujton menjëherë Marinë, që niset me nxitim tek e kushërira, Elizabeta, e cila ka nevojë për ndihmën e Vashës, siç na e kujton fragmenti ungjillor e edhe Logoja e Ditës.

“Há Pressa no Ar” ka dy firma: për tekstin, atë të don João Paulo Vaz, për muzikën, të mjeshtrit Pedro Ferreira, që të dy të dioqezës së Coimbra-s, në Portogalinë qendrore. Ndërsa arranxhimet janë të muzikantit Carlos Garcia. Tema u regjistrua në dy variante: origjinali, në gjuhën portugeze, varianti ndërkombëtar, në anglisht, spanjisht, frëngjisht e italisht.

Po kujtojmë, të përkthyer lirisht në shqip, titullin, strofën e parë dhe kthesën:

Agim i i shpresës

Me shenjën e Shëlbuesit

shënohemi në ball,

që rrok nga Korkovado,

botën me gaz e mall.

Krishti ne po na fton,

“Ejani, o miqtë  e mi!”.

Zoti sot na dërgon,

me një mision të ri!”.

Sot, paraqitja e Himnit të DBR-së së Lisbonës

Himni i DBR-së 2023 u bë i njohur sot, 27 janar, në orën 11.00 me orën vendase. Njoftimin, siç e kujtuam edhe më sipër, e dha Komiteti organizativ i ngjarjes rinore, duke saktësuar se për shkak të përhapjes së pandemisë së Covid-19 në vend, u anulua kremtimi kushtuar pritjes së simboleve të DBR-së, Kryqit dhe ikonës mariane “Salus Populi Romani”, të ruajtura nga Komiteti, që arritën në kryeqytet, në pritje të kalimit të emergjencës shëndetësore e të krijimit të kushteve për të nisur shtegtimin e tyre në të gjitha dioqezat e Portugalisë.

Në audiencë, te Papa Françesku   

E, pak ditë më parë, të premten, më 8 janar, Papa Françesku priti në audiencë kryesinë e Konferencës ipeshkvnore portugeze, të përbërë nga imzot José Ornelas dhe imzot Virgílio Antunes, përkatësisht kryetar dhe zëvendës-kryetar i Konferencës si dhe nga sekretari e zëdhënësi, atë Manuel Barbosa. Sipas njoftimeve të dhëna nga prelatët në një notë, menjëherë pas përfundimit të takimit, njoftohet se Papa u informua mbi përgatitjet e DBR-së dhe shprehu entuziazmin e tij për ngjarjen, duke shpresuar se do të mund të jetë i pranishëm në Portugali, më 2023.

Simbolet e DBR-së

Kujtojmë edhe se më 22 nëntorin e kaluar, në Solemnitetin e Krishtit Mbret, një delegacion panamez i  dorëzoi delegacionit portugez  Kryqin shtegtar dhe ikonën mariane, simbole të DBR-së, në prani të Papës Françesku që kremtonte Meshën Shenjte në Bazilikën e Vatikanit. E nisi me komentin e faqes së fundit të Ungjillit sipas Mateut, para Mundimeve të Krishtit - Papa - homelinë e Meshës me të rinjtë që dorëzonin – e merrnin Kryqin e ikonën, me ftesën: “Mos jetoni duke u zvarrisur, zgjidhni Zotin, që ju bën të lumtur!”.

E më pas, duke u krijuar atmosferën e çastit kur Jezusi na la amanetet e fundit, Françesku u kujtoi të rinjve se e mira që do t’i bëjmë njërit nga vëllezërit më të vegjël - të uriturit, të eturit, të huajit, nevojtarit, të sëmurit, të burgosurit - është e mirë që do t’i bëhet atij vetë. Zoti na dorëzon, kështu, listën e dhuratave, që dëshiron për dasmën e amshuar me ne, në Qiell. Sepse janë pikërisht veprat e mëshirës, që e bëjnë të amshuar jetën tonë. E u drejtoi ftesën: “Mos hiqni dorë nga ëndrrat e mëdha! Mos u kënaqni me pak, sepse Zoti nuk dëshiron të na i ngushtojë horizontet. Na do në vrap drejt lartësive, me gëzim e guxim. Nuk jemi bërë për të ëndërruar pushimet a fundjavën,  por për të realizuar ëndrrat e Zotit në këtë botë.

Këshilla e fundit

përfundim të homelisë Papa i këshilloi të rinjtë të zgjedhin mirë. Të dinë t’u japin përgjigje dy pyetjeve kryesore. Njëra është “ç’më pëlqen të bëj?”. Pyetje shpesh mashtruese, sepse të shtyn të mendosh për vete, për t’i plotësuar të gjitha dëshirat. Por pyetja që Shpirti Shenjt të këshillon t’ia bësh vetes nuk është ç’të pëlqen - por ç’të bën mirë! Nga ky rrëmim shpirtëror mund të lindin zgjedhje të rëndomta, ose zgjedhje për të jetuar një jetë të vërtetë.

Prej këndej, porosia e Papës për të rinjtë - e jo vetëm, është:

“Ta shikojmë Jezusin, të kërkojmë guximin për të zgjedhur çka na bën mirë, për të ecur pas Tij, në udhën e dashurisë. E për të gjetur, kështu, edhe gëzimin aq të dëshiruar!”.

Logoja

Më 16 tetor 2020, me rastin e 42-vjetorit të zgjedhjes së Papës Gjon Pali II, ideatorit të DBR-së në fronin e Shën Pjetrit, u paraqit, gjithnjë on line, edhe logoja e ditës.

Autorja është një profesioniste e re portugeze. Simboli, me ngjyrat e flamurit kombëtar, përshkruan dinamizmin e Marisë për vizitë tek Elizabeta, në sfondin e një kryqi të madh, sipas motos së zgjedhur nga Papa për Ditën Botërore të Rinisë.

27 janar 2021, 16:32