Kërko

Vatican News
Gesù nella sinagoga Gesù nella sinagoga 

Shenjtorët e Javës 31 janar – 7 shkurt

Ungjillin e kësaj sё diele nga Marku (Mk 1, 21-28), na rrëfen episodin e ekzorcizmit nё ndodhi nё sinagogën e Kafarnaumit, i cili na ndihmon t’i tejkalojmë sprovat dhe t’i mposhtim tundimet, sepse Jezusi ka ardhur ndër ne pёr tё na çliruar prej të gjithëve skllavëria, madje edhe nga skllavëria e djallit. Jezusi i Nazaretit, me fjalën dhe autoritetin e Tij, si Bir i Zotit, imponohet mbi të gjitha fuqitë e së keqes dhe tё djallit, duke u paraqitur si Shpëtimtar i vetёm i njerёzimit.

R.SH. - Vatikan

E diel 31 janar, Kisha katolike kremton të dielën e 4-të të kohës së zakonshme liturgjike gjatë vitit kishtar, dhe po sot me 31 janar, kalendari Kishtar përkujton Shën Gjon Boskun, meshtar, themelues i Salezianëve, atë e mësues i të rinjve dhe Shën Marçelën romake, dishepulle e Shën Jeronimit.

Ungjillin e kësaj sё diele nga Marku (Mk 1, 21-28), na rrëfen episodin e ekzorcizmit nё ndodhi nё sinagogën e  Kafarnaumit, i cili na ndihmon t’i tejkalojmë sprovat dhe t’i mposhtim tundimet, sepse Jezusi  ka ardhur ndër ne pёr tё na çliruar prej të gjithëve skllavëria, madje edhe nga skllavëria e djallit. Jezusi i Nazaretit, me fjalën dhe autoritetin e Tij, si Bir i Zotit, imponohet mbi të gjitha fuqitë e së keqes dhe tё djallit, duke u paraqitur si Shpëtimtar i vetёm i njerёzimit. 

Festa e Shën Gjon Boskut na kujton se edhe njerëzit e kohëve tona shkandullohen e mrekullohen për Jezusin: e për ta pranuar Atë, duhet shikuar me sytë e fesë e të dashurisë, që na mësojnë se Krishti është Biri i Zotit e se prandaj vetëm kush beson në Të, e percepton të renë që Ai e Fjala e Tij Ungjillore sjell ndërmjet njerëzve.

Të hënën me 1 shkurt,  kalendari kishtar përkujton shën Brigjidën, abateshë në Irlandë dhe shën Ludovikën Alberoni, vejush romake. Liturgjia e ditës na kujton se Dymbëdhjetë Apostujt, të thirrur nga Jezusi, nisin misionin e shëlbimit: predikojnë pendesën dhe mbretërinë e Hyjit, pastrojnë zemrat njerëzore nga e keqja, kujdesen për ata që vuajnë. Janë të dërguar për të dëshmuar jetën, duke u bërë shembull e model për të krishterët e të gjitha kohërave.

Të martën me 2 shkurtKisha kremton festën e Paraqitjes së Krishtit në tempull, që ndër shqiptarë njihet edhe si festa e Zojës së qirave. Liturgjia e kësaj feste na çon në skenën biblike ku, të mbyllur brenda mureve të Tempullit, Simeoni e Ana, sipas Ligjit fetar të popullit Hebre, presin dritën dhe shpëtimin. Por Jezusi nuk do të kufizohet brenda mureve. Zoti do të përshkojë udhët e botës për të shpëtuar mbarë njerëzimin.

Të mërkurën me 3 shkurt, kalendari përkujton shën Vlashin, ipeshkëv i Sebastës, martir, që na kujton se Zoti është bariu i çdo besimtari: kush ecën pas tij, nuk ka frikë nga askush, nuk i mungon asgjë!

Të enjten me 4 shkurt, kalendari përkujton shën Eutikin, martir dhe shën Jozefin nga Leonesa, kapuçin. Liturgjia e ditës na kujton se në jetën e shenjtorëve e gjejmë Jezusin që tregon një pushtet aq të fuqishëm mbi forcat e natyrës, sa t’i nxisë dishepujt t’i bëjnë vetes pyetjen: “Kush është ky?”. Përgjigjen e gjejmë në fe, që na i hapë sytë për të kuptuar kush është në të vërtetë Jezu Krishti e për të lëvduar Zotin, që e mbajti premtimin.

Të premten me 5 shkurt, kalendari përkujton shën Agen, virgjër e martire; shën Adelajden, abateshë dhe shën Elizabeta Kanorin, nënë familjeje. Liturgjia e ditës na mëson se të gjithë ata që e preknin Jezusin, shëroheshin. E të prekësh do të thotë të jesh afër. Afërsia, formë e parë dhe themelore e marrëdhënieve me tjetrin, na kujton se edhe feja është lidhje e drejtpërdrejtë e personale me Hyjin. E ndërsa jemi në bashkim me Zotin, ai vetë na nxit t’i qëndrojmë pranë edhe të afërmit.

Të shtunën me 6 shkurt, kalendari përkujton shën Pal Mikin me shokë, martirë japonezë dhe shën Dorotenë, virgjër e martire. Liturgjia e ditës na kujton se Jezusi është kundër sjelljeve formale, dokeve e zakoneve meskine, krijuar nga traditat njerëzore, që ndryshojnë me kohë, sepse e zvogëlojnë shpirtin e njeriut. Zoti do që njeriu të ecë në rrugën e së mirës me vetëdije e liri të plotë.

Të dielën e ardhshme me 7 shkurt, Kisha katolike do të kremtojë të dielën e 5-të gjatë vitit kishtar, e po këtë ditë kalendari përkujton edhe shën Rikardin meshtar dhe të Lumin Piun IX, papë. Liturgjia e ditës na kujton na nxit të meditojmë për revolucionin fetar që solli Jezu Krishti, i cili u kujtoi njerëzve se pastërtia fizike nuk duhet ngatërruar me pastërtinë fetare, që është pastërti e shpirtit. Është zemra ajo që duhet pastruar - vijon të na porositë Krishti.

31 janar 2021, 14:44