Kërko

Vatican News

Selia e Shenjtë dhe impenjimi ekumenik: marrëveshje dhe besim i ndërsjellë

Edhe gjatë pandemisë, puna për bashkimin e të krishterëve vijon, bën hapa përpara dhe zgjon frymën e solidaritetit. Në një artikull për gazetën “L’Osservatore Romano”, Sekretari i Këshillit Papnor për Nxitjen e Bashkimit ndërmjet të Krishterëve paraqet hapat dhe projektet e dikasterit në fushën e ekumenizmit

R.SH. - Vatikan

Në Javën e Lutjes për Bashkimin e të Krishterëve, që ka filluar të dielën më 18 e përfundon më 25 janar, Sekretari i Këshillit Papnor përkatës, imzot Brian Farell, përshkruan impenjimin e Selisë së Shenjtë për ekumenizmin, në një artikull botuar më 20 janar në gazetën vatikanase “L’Osservatore Romano”. Pasi vë në dukje vështirësitë e hasura gjatë kësaj periudhe pandemie, me mbledhje e takime në videokonferencë, ose krejtësisht të anuluara, imzot Farell pranon se shkëmbimi i mendimeve në internet nuk ka të njëjtat efekte si ai ballë për ballë, kur e sheh tjetrin në sy. Megjithatë, nënvizon ai, puna për bashkimin e të krishterëve ka vijuar edhe gjatë vitit 2020 e madje, ka bërë hapa përpara.

“Gjashtëdhjetë vjet pas themelimit (qershor 1960), Këshilli Papnor për Nxitjen e Bashkimit ndërmjet të Krishterëve vijon me bindje mandatin e tij: promovimin e ekumenizmit në Kishën Katolike dhe të marrëdhënieve të Kishës Katolike me të krishterët e tjerë, në Kishat dhe në bashkësitë e tyre – shkruan imzot Farell. - Këto dy detyra përvijohen dhe përshkruhen mirë në Udhëzuesin Ekumenik për ipeshkvijtë, që dikasteri e botoi kohët e fundit, me bekimin e Papës Françesku”.

Botimet e Dikasterit për bashkimin e të krishterëve

Pikërisht, në këtë Udhëzues, shihen qartë sektorët, në të cilët Kisha e ka përqendruar punën e saj në favor të ekumenizmit. Së pari, duhet mbajtur gjallë përgjegjësia për ekumenizmin. E kjo, sipas ipeshkvit, do të thotë informim, formim, takime e vizita “ad Limina”. Kohët e fundit, Këshilli Papnor ka edhe një faqe të re interneti, ku publikohen veprimtaritë ekumenike të Selisë së Shenjtë, si edhe dokumentet, duke filluar nga Koncili II i Vatikanit, duke krijuar kështu, një bibliotekë ekumenike, në dispozicion të studiuesve. E rëndësishme, revista “Acta Œcumenica”, format i ri i buletinit “Information Service/Service d’information” publikuar që prej 50 vitesh, një arkiv i vërtetë i impenjimit ekumenik të Kishës Katolike. Imzot Farell përmend, më pas, kolanën “Ut unum sint”, publikuar në bashkëpunim me Shtëpinë Botuese të Vatikanit, për të bërë të njohura ese dhe dokumente ekumenike, që favorizojnë reflektimin teologjik e afrimin ndërmjet të krishterëve. “Vëllimi i parë i kushtohet 60-vjetorit të dikasterit; - sqaron imzot Farell – i dyti do të përmbajë rezultatet e një konference të fundit mbi misionin ekumenik të Kishave Katolike Lindore”. Në fushën e formimit, duhet përmendur kursi “Ut unum sint”, program i edukimit të vazhdueshëm në favor të ekumenizmit, filluar në vitin 2019, në bashkëpunim me Institutin e Studimeve Ekumenike të universitetit “Angelicum”. “Për sa i përket detyrës së dytë, - kujton imzot Farell – pra, marrëdhënieve të Kishës Katolike me Kishat dhe bashkësitë e tjera, edhe për këtë mund të ndjekim strukturën e Udhëzuesit: ekumenizmi shpirtëror, dialogu në fushën e bamirësisë, dialogu mbi të vërtetat e fesë dhe dialogu i jetës”.

Ekumenizmi shpirtëror dhe dialogu

 Sekretari i Këshillit Papnor për Nxitjen e Bashkimit ndërmjet të Krishterëve shqyrton një e nga një të gjitha këto fusha. Përsa i përket ekumenizmit shpirtëror, përmend shembullin e shkëmbimit të përkohshëm të relikeve. Në vitin 2017, dhënia e relikeve të shën N’kollit të Barit Kishës ortodokse ruse, tërhoqi rreth 2 milion shtegtarë. Takimet dhe shkëmbimet e delegacioneve ndihmojnë në dialogun e bamirësisë, së bashku me udhëtimet e Papës, që kanë përmasë ekumenike, si ai në Tokën Shenjte, në Shqipëri, në Gjeorgji, në Armeni, në Suedi, në Bullgari, në Maqedoninë e Veriut, etj.. Me rëndësi të madhe, për shembull, takimi i Papës Françesku me Patriarkun rus Kirill, në vitin 2016. Përsa i përket dialogut mbi të vërtetat e fesë, imzot Farell njofton se aktualisht, vijojnë rreth 15 ballafaqime dypalëshe e shumë të tjera me natyrë shumëpalëshe. Vitet e fundit ka pasur shumë dokumente në këtë fushë, nënshkruar së bashku me pentekostalët, ortodoksët, metodistët, me Kishën asire të Lindjes, me Kishat e reja karizmatike, me anglikanët e me luteranët.

Sfidat

 “Pa dyshim, - shkruan imzot Brian Farell - sfidat janë të ndryshme në varësi të dialogut. Po përmend vetëm disa. Dialogu me Kishat Ortodokse, i cili përqendrohet kryesisht në çështjen ekleziologjike të marrëdhënieve ndërmjet parisë dhe sinodalitetit, kërkon studime shumë të thella dhe karakterizohet nga një trashëgimi e vështirë historike, si edhe nga tensione brenda Kishës Ortodokse. Me Kishat historike të Perëndimit, problemi themelor është interpretimi i ndryshëm i konceptit të Kishës e prej këndej, edhe ai i sakramentalitetit dhe i shërbesës meshtarake. Dalin në pah edhe sfida të reja, që lidhen me çështje etike e morale, si edhe shfaqen vështirësi në vetë procesin e dialogut, për shkak të dobësimit të traditave teologjike të ndokujt”. E vështirësi ka edhe me Kishat e tjera të krishtera, por nga të gjitha vërehet dëshira për dialog.

Global Christian Forum

Imzot Farell pranon se për zgjidhjen e këtyre problemeve po kontribuon shumë “Global Christian Forum”, i themeluar para 20 vitesh nga të ashtuquajturat “katër shtyllat”: Kisha Katolike, Këshilli Ekumenik i Kishave, Aleanca Ungjillore Botërore dhe Bashkimi Botëror Pentekostal. Puna e tij nuk është gjithnjë e dukshme, por Forumi ka arritur rezultate si: afrimi ndërmjet katolikëve e pentekostalëve në Brazil e në Amerikën e Jugut, mbi bazën e impenjimit për shmangien e çdo forme të prozelitizmit; themelimi i Charis nga ana e Papës Françesku, si shërbim për ripërtëritjen karizmatike; diskutimi aktual mbi një dokument për shërbimin pjetrin; përgatitja e 1700-vjetorit të Koncilit të parë Ekumenik të Nikesë, etj..

Dialogu i jetës

Në artikullin e botuar më 20 janar në gazetën “L’Osservatore Romano”, imzot Farell vë në pah dialogun e jetës me Kishat e tjera, organizuar pikërisht nga Këshilli Papnor për Nxitjen e Bashkimit ndërmjet të Krishterëve. Është fjala për ekumenizmin kulturor, promovuar përmes bursave të studimit për të krishterët jo katolikë, shkëmbimeve ndërmjet meshtarëve të rinj të Kishave të ndryshme e rrjetit dinamik të marrëdhënieve ekumenike. E natyrisht, përmend ngjarjet e mëdha si vizita e përbashkët e Papës Françesku dhe e Patriarkut ekumenik Bartolomeu në ishullin e Lesbos, më 2016, ose takimi me krerët e Kishave në Bari, në vitin 2018. Vetë Papa, majin e kaluar, i ftoi të gjithë të krishterët të thonë së bashku “Atynën” për t’i kërkuar Zotit fundin e pandemisë. “2020-a, me gjithë problemet, - e përfundon bilancin e tij, imzot Brian Farell – nuk e ndali udhën drejt bashkimit, për të cilin Zoti ynë Jezu Krisht u lut në Darkën e Mbrame”.

20 janar 2021, 12:36