Kërko

Vatican News
Kardinali Henri Schwery Kardinali Henri Schwery 

Trishtimi i Papës për vdekjen e kardinalit Schwery

Sapo mori lajmin e vdekjes së Kardinalit Henri Schwery, Papa Françesku i dërgoi një telegram ngushëllimi ipeshkvit të nderit, Imzot Norbert Brunner dhe besimtarëve të dioqezës së Sion.

R.SH. - Vatikan

Sapo mori lajmin e vdekjes së Kardinalit Henri Schwery, Papa Françesku  i dërgoi një telegram ngushëllimi ipeshkvit të nderit, Imzot Norbert Brunner dhe besimtarëve të dioqezës së Sion. Papa i kërkon Atit të mëshirës ta pranojë në paqen e në dritën e tij këtë njeri të shkencës e Bari  thellësisht të devoçëm në krye të dioqezës, që i qe besuar. Plot vëmendje  ndaj nevojave të besimtarëve - shkruan Ati i Shenjtë - ai luajti një rol të rëndësishëm në nxitjen e thirrjeve e në formimin e meshtarëve. U shqua edhe në përpjekjet për forcimin e unitetit të Kishës.

Në përfundim Papa i jep bekimin apostolik Ipeshkvit të nderit, imzot Norbert Brunner, meshtarëve, rregulltarëve, familjes së Kardinalit të ndjerë, të afërmëve të tij, besimtarëve të dioqezës së Sion dhe të gjithë atyre, që do të marrin pjesë në Meshën e Dritës e në varrosjen e kardinalit të ndjerë Schwery.

Kardinali Schwery, në vijë të parë të frontit për unitetin e Kishës

I krijuar kardinal nga Gjon Pali II më 1991, ipeshkvi i nderit i Sion, që ndërroi jetë dje, në moshën 88 vjeçare, në vitet ’80 ishte, ndërmjet tjerash, kryetar i Konferencës ipeshkvnore zvicerane, në vijë të parë të frontit, gjatë skizmës së Lefebvre.

E pati lënë  detyrën e tij në krye të dioqezës së Sion që në vitin 1995, por ishte akoma kardinal me të drejtë zgjedhore edhe dhjetë vjet më pas, në konklavin e vitit 2005, kur u zgjodh Benedikti XVI. Vdiq të enjten e kaluar, më 6 janar, në moshën 88 vjeçare, në fshatin e lindjes Saint-Léonard, në Vallese, ku vijonte shërbimin në famulli, si kapelan i thjeshtë.

Ipeshkëv që në vitin 1977, emëruar nga Pali VI

I lindur më 14 qershor 1932, Henri Schwery u shugurua meshtar për dioqezën e Sion, në vitin 1957, ndërsa studionte matematikë-fizikë në Universitetin e Friburgut. Kreu, më pas, detyra të ndryshme, deri në emërimin  e tij ipeshkëv i së njëjtës dioqezë, nga ana e Palit VI, më 1977.

Tensionet me seminarin e Ecône dhe skizma e Lefebvre

Gjatë 18 vjetëve të qeverisjes dioqezane iu desh të përballonte marrëdhëniet e vështira me seminarin e  Ecône, administruar nga  Vëllazëria e Shën Piut X e ipeshkvit Marcel Lefebvre, që ishte në jurisdiksionin e dioqezës së tij. Veç kësaj, si president i Konferencës ipeshkvnore zvicerane që nga viti  1983 deri më 1988, imzot Schwery nuk ia doli mbanesh ta bindë kryeipeshkvin Lefebvre të hiqte dorë nga shugurimi i ipeshkvijve gjë që, në vitin 1988, përfundoi me shkishërimin e të gjithë anëtarëve të Shoqërisë Shën Piu X.

Pritja e Gjon Palit II në Zvicër, më 1984

Gjatë shërbimit të tij ipeshkvnor themeloi diakonatin e përhershëm e, më 1986, edhe seminarin dioqezan. U shqua për kujdesin ndaj familjeve, duke krijuar edhe sektore baritore për sigurimin e një rrjeti famullitar më të ekuilibruar.

Si kryetar i Konferencës Ipeshkvnore Zvicerane (CVS), imzot Schwery shoqëroi Shën Gjon Palin II gjatë shtegtimit të tij apostolik  në Zvicër, më 1984, shtatë vjet pasi kishte marrë kësulën kardinalore.

U tërhoq nga shërbimi për arsye shëndetësore më 1995, por duke mbetur kardinal me të drejtë zgjedhore deri më 2012, ndaj mori pjesë në konklavin e vitit 2005, ndërsa ndërmjet viteve 1991 e 2000 ishte anëtar i dikastereve të ndryshme të Kuries Romake, si Kongregata për Çështjet e Shenjtorëve dhe Këshilli Papnor i Komunikimeve Shoqërore. Qe edhe epror i Urdhërit të Kalorësve të Varrit Shenjt në Zvicër.

Funeral pa besimtarë, për shkak të pandemisë

Funerali i tij do të kremtohet të hënën, më 11 janar, në orën 10.30 në katedralen e Sion. Besimtarët, që nuk do të mund të hyjnë në katedrale, për shkak të pandemisë, ftohen ta ndjekin me lutje Meshën e Dritës e varrimin  e Kardinalit të ndjerë  Henri Schwery.

 

08 janar 2021, 12:10