Kërko

Vatican News
Papa Françesku dhe kardinali Tagle  në takimin me të rinjtë  2015 Papa Françesku dhe kardinali Tagle në takimin me të rinjtë 2015 

Mëshira dhe forca e lotëve

Kardinali Tagle kujton, në një intervistë botuar nga “L’Osservatore Romano”, vizitën e Papës Françesku në Filipine, në janar 2015: Papa kishte shkuar në atë vend të largët, posaçërisht për viktimat e tajfunit Ayan - tregon - po unë pashë nga afër sa i interesuar ishte jo vetëm të jipte, por edhe të merrte forcë nga të varfërit e të vuajturit.

R. SH. - Vatikan

“Prania e Papës në Filipine ishte dëshmi e mëshirës nga ana e një njeriu të vërtetë të Zotit, për popullin që, pavarësisht nga vuajtjet e shumta, nuk e humbet kurrë fenë e tij”. Këtë kujtim ruan kardinali Tagle gjashtë vjet pas shtegtimit të Papës Françesku në Filipine. Prefekti i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve, asokohe kryeipeshkëv i Manilës, flet për këtë shtegtim në një intervistë dhënë gazetës “L’Osservatore Romano”.

Nga 15 deri më 19 janari 2015, i ardhur nga Sri Lanka, Papa vizitoi kombin aziatik, që ka më shumë katolikë. A mund të na kujtoni diçka nga këto ditë?

“Më vijnë në mendje dy aspekte: posaçërisht vëmendja personale e Atit të Shenjtë për shenjat e kohës. 2015-ta ishte “Viti i të varfërve”. E Papa ishte aty posaçërisht për viktimat e tajfunit Ayan(Yolanda”) po unë pashë nga afër se ishte i interesuar jo vetëm të jipte, por edhe të merrte forcë nga të varfërit e të vuajturit, t’i dëgjonte dëshmitë e tyre e të mahnitej, si fëmijë, para rrëfimeve të tyre deri në atë pikë, sa të më përsëriste disa herë, me habi: “Ky njeri është përplot me fe!” dhe “Thua janë kështu të gjithë këta njerëz?”. Për të mos folur, pastaj, për emocionin e jetuar në shtëpinë e Fondacionit Tulay ng Kabataan (TNK Foundation) pak hapa larg katedrales së Manilës, ku strehohen vajza të vogla të shpëtuara nga rruga e madhe. Ishte një etapë shumë e dëshiruar, ngaqë pak muaj më parë i pata dërguar qindra letra të shkruara prej tyre. E pastaj vogëlushja Glyzelle Palomar, njëra nga vajzat e shpëtuara, gjatë takimit me të rinjtë në fushën sportive të Universitetit të Shën Tomës, e pyeti tejet e ngashëryer, me lotët që i rrokulliseshin pa pushuar faqeve të njoma: “Pse vuajnë kaq shumë fëmijët në botë?”. E Françesku shpjegoi se “e vetmja përgjigje është të mësohesh të qash si ajo. Duke i larë me lot gëzimi, lotët e tmerrit”.

E aspekti i dytë?

“Ishte shqetësimi për vuajtjen e familjeve të Tacloban, rrënuar nga tajfuni në fund të vitit 2013. Gjatë rrugës drejt selisë së kryeipeshkvit, Papa u ndalua me një familje peshkatarësh, para shtëpisë së tyre të rrënuar. Pastaj,  ndalesën tjetër prej një ore e gjysëm, programuar në Pallatin ipeshkvnor, që kushtet atmosferike e shkurtuan në pesëmbëdhejtë minuta, Papa deshi ta përdorë për të dëgjuar njerëzit e thjeshtë. E përmblodhi gjithë  ç’i vlonte në zemër në një pyetje të vetme: “Si është familja juaj?”- duke pasur parasysh se kishim para nesh njerëz, që i kishin  humbur gjithë të dashurit ose disa prej tyre. Duhet të ishim në Pallatin ipeshkvnor, për drekën. Po Papa mbeti pa ngrënë, sepse deshi t’i dëgjonte tregimet e tyre e pastaj, në heshtje të plotë, i përqafoi e kërkoi ndjesë për kohën e paktë që kishte në dispozicion. Atëherë njëri nga të ftuarit në atë drekë të shkurtër, me lot në sy, pasthirmoi: “Mos thoni ashtu, Atë i Shenjtë! Prania Juaj vlen më shumë se gjithçka tjetër: e kush jemi ne? Njerëz të varfër. Ne nuk e meritojmë aspak gjithë këtë vëmendje”. I jetuam këto çaste me frymën e familjes, që i ndan bashkë vuajtjen, dhimbjen, lotët. Provuam një dashuri që nuk mund të shprehet dot me fjalë e sidomos, pamë në sytë e njerëzve të çikur nga vdekja, lotë ngushëllimi e shprese!”.

23 janar 2021, 14:11