Kërko

Lista e Papës Piu XII

Një artikull i gazetës “L’Osservatore Romano” mbi librin e Johan Ickx, drejtorit të Arkivit Historik të Seksionit për Marrëdhëniet me Shtetet në Sekretarinë e Shtetit të Vatikanit. Autori dokumenton ngjarjet, që patën për protagonistë Papën Pacelli dhe bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë, gjatë viteve në të cilat çmenduria naziste u përpoq të shfaroste hebrenjtë

R.SH. - Vatikan

Shkelja e urdhrave të eprorëve e ndryshon fjalën e lashtë latine, duke e kthyer në të kundërtën e saj: “ubi minor maior cessat” (në vend të: “ubi maior minor cessat” – autoriteti më i madh e hedh poshtë më të voglin). Një shembull të tillë paradoksal e gjejmë pikërisht në kartat e Vatikanit. Gjatë Luftës II Botërore, qeveria sllovake i ofron postin e këshilltarit të shtetit imzot Ján Voitaššak, ipeshkëv i Spiš-it. Duke pasur parasysh rolin e tij kishtar, ipeshkvi duhej të refuzonte, por pranon e vetëm pas kësaj i kërkon pëlqimin Papës Piu XII.

Është vetëm një nga episodet e librit “Piu XII dhe Hebrenjtë” (Milano, Rizzoli, 2021) shkruar nga Johan Ickx, Drejtori i Arkivit Historik të Seksionit të Marrëdhënieve me Shtetet në Sekretarinë e Shtetit të Vatikanit. Me këtë vëllim hapet një sezon i ri studimesh për papninë e Piut XII, që pasqyron edhe punën e atij, që Ickx e quan Le Bureau (titulli i botimit të librit në frëngjisht). Është fjala për Seksionin e parë të Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit, përgjegjës jo vetëm për marrëdhëniet ndërkombëtare, por edhe për ngjarjet, në të cilat u përfshinë shumë hebrenj, që iu drejtuan Vatikanit për ndihmë, mbështetje, këshillë dhe mbrojtje, gjatë Luftës II Botërore.

Gjermania dhe imitimi i saj nga vende të tjera

Një fakt i parë del qartë nga dokumentet: për Hitlerin dhe imituesit e tij, kthimi në katolicizëm nuk e ndryshonte gjakun hebre, prandaj kthimi për t’u konsideruar “jo-arian” nuk jepte asnjë garanci. Byroja i dinte këto gjëra dhe e dinte se Gjermania imitohej edhe nga vende të tjera. Sllovakia, për shembull, zgjodhi rrugën totalitare: “Të pagëzuar ose jo – tha atëherë ministri Mach - të gjithë hebrenjtë duhet të largohen”. Nga ana tjetër, presionet gjermane i detyruan hungarezët t’i dorëzonin hebrenjtë, që përpiqeshin të kalonin kufirin pikërisht nga Sllovakia. Ipeshkvijtë sllovakë shkruan një denoncim kolektiv të mbështetur plotësisht nga Papa. Por, edhe në atë rast, vlente e kundërta e frazës latine: “Problemi është që presidenti i Sllovakisë është meshtar [Jozef Tiso] – shkruante imzot Tardini. - Të gjithë e kuptojnë se Selia e Shenjtë nuk mund t’ia tregojë vendin Hitlerin. Por që të mos i vërë fre një meshtari, kush mund ta kuptojë?”. “Ubi minor maior cessat”: kush ishte, në të vërtetë, me më pak autoritet, ia mbylli gojën autoritetit të vërtetë.

Këto ishin situata shumë serioze në të cilat “anëtarët e Byrosë nuk mund të bënin shumë për të ndëshkuar shkelësit”. Kjo shihet qartë nga njoftimet e imzot Burzio-s, i ngarkuar me punë në Bratislavë, kur shkruan për bisedimet e tij me kryeministrin Tuka: “A ia vlen që unë të vazhdoj t’i raportoj Eminencës Suaj për vijimin e bisedës me një hajvan?” Historitë e treguara në këtë libër duhet të shihen si histori njerëzish në arrati, por edhe si histori përpjekjesh, bërë me aq sa ka fuqi njeriu, me gjithë kufizimet e tij, për t’i shpëtuar ato jetë hebrenjsh. Kështu, mbi bazën e dokumenteve, hidhen poshtë disa teza sipërfaqësore, lidhur me antisemitizmin e Kuries së Papës Piu XII.

Seria “Hebrenjtë” në arkivat vatikanase

“Hebrenjtë” titullohet një seri dokumentesh, në 170 pozicione, të renditura sipas alfabetit, për një total prej rreth 2800 rastesh. Në Byro, “kardinali Maglione kishte komandën e përgjithshme të të dy sektorëve. Nuk mund të përjashtohet që seksioni tjetër të ketë regjistrin e sistemin e tij të arkivimit, që do të thotë se arkivat e tjera të Selisë së Shenjtë, si Arkivat Apostolike, për shembull, kanë materiale të ngjashme për hebrenjtë”. Ekzistenca e serisë “Hebrenjtë”, të cilën Ickx e quan “lista e Piut XII”, është “provë e dukshme e interesit papnor ndaj njerëzve, të cilët, për shkak të ligjeve racore, nuk konsideroheshin qytetarë të zakonshëm, qofshin hebrenj a hebrenj të pagëzuar”. Nuk është e mundur këtu të citohen të gjitha “rastet hebraike” të regjistruara në Vatikan. Por, duhet thënë se dokumentet tregojnë qartë, siç shkruan Ickx, se përpjekjet e Vatikanit kishin për qëllim “të shpëtonin çdo qenie njerëzore, pavarësisht nga raca dhe besimi”. Përmendim vetëm dy episode, përshkruar nga autori i librit.

Historia e familjes Ferenczy

I pari gjendet në kapitullin me titull “Histori e shkurtër e një çështjeje tejet të dhimbshme”. Është fjala për bashkëshortët Oskar dhe Maria Gerda Ferenczy, katolikë austriakë me origjinë hebraike, ikur nga Austria pas Anschluss-it (aneksimit të Austrisë nga Gjermania). Së bashku me vajzën e tyre Manon Gertrude, shkuan në Zagreb, të ndihmuar nga kryeipeshkvi i qytetit, imzot Stepinac. Por në vitin 1939, autoritetet lokale, me frymë naziste, kthejnë mbrapsht në Itali të gjithë hebrenjtë e huaj, të kthyer a jo në krishterim. Familja Ferenczy shkon në Abbazia (Opatija e sotme), në provincën e Fiumes (Rijeka e sotme). Në kulmin e mjerimit e të dëshpërimit, Maria Gerda i shkruan një letër të parë Papës Piu XII, ku i rrëfen se kishte shitur Biblën për një copë bukë e për një pasaportë, të cilën s’kishte mundur ta siguronte. Dokumentet informojnë se Piu XII e lexoi personalisht letrën. Por si ta ndihmonte gruan dhe familjen e saj? Ajo nuk kishte shprehur ndonjë dëshirë. Për këtë “çështje tejet të dhimbshme”, u ngarkua imzot Dell’Acqua dhe ipeshkvi i Fiumes, imzot Camozzo. Gjendja u përkeqësua në fund të vitit 1939, kur familja Ferenczy gati iu dorëzua autoriteteve gjermane, që do ta internonin në Poloni. Në një letër të dytë drejtuar Papës, Maria Gerda iu lut ta shmangte këtë rrezik dhe kërkoi ndihmë për të emigruar. Edhe një herë, u ngarkua imzot Dell’Acqua e Ati i Shenjtë i shkroi imzot Camozzo-s, i cili, për çudi, nuk i ishte përgjigjur letrës së parë. Tani, Papa i jepte urdhër të kërkonte nga autoritetet italiane një leje qëndrimi të zgjatur për familjen Ferenczy.

Në mënyrë të pashpjegueshme, imzot Camozzo hesht sërish. Duke i paraqitur tragjedinë e saj, Maria Gerda i shkruan një letër të tretë Papës. “Nga Arkivi Historik - na informon Ickx - del se Byroja nuk reshti së ndjekuri çështjen e saj”. Gjendja keqësohet më tej me arrestimin e Oskar Ferenczy dhe me futjen e tij në burg në Fiume. Me të marrë vesh këto lajme, Vatikani porosit imzot Dell’Acqua të përgatisë një letër për jezuitin Tacchi Venturi, që shihej me sy të mirë nga autoritetet italiane. Ndërkohë, më 7 gusht, zonja Ferenczy mëson nga eprorja e motrave të Zojës së Sionit se ndoshta Vatikani mund të siguronte viza për Brazil. Maria Gerda i shkruan sërish Papës, duke iu lutur t’i siguronte viza familjes së saj. Çështja kthehet përsëri në tryezën e imzot Dell’Acqua-s.

Ndërkohë, në emergjencë, familjes Ferenczy i jepet një ndihmë prej tetëqind liretash. Por fjala e fundit për vizat i takonte ambasadës braziliane në Selinë e Shenjtë. Byroja ndërhyn dhe, më në fund, më 19 gusht 1940, kardinali Maglione i njofton Maria Gerda Ferenczy se vizat ishin dhënë. Dukej punë e mbaruar, por kur mbërritën në Rio De Janeiro, viza e kryefamiljarit Oskar Ferenczy u konsiderua e pavlefshme dhe ai u ndalua të zbarkonte. Kapelani i anijes ia telegrafon lajmin Byrosë së Vatikanit, duke i kërkuar të ndërhynte. Nga Selia e Shenjtë niset menjëherë një kabllogram, që konfirmonte vlefshmërinë e vizave. Kështu, për familjen Ferenczy fillon një jetë e re. Ky episod tregon qartë “se hebrenjtë e pagëzuar ishin në kurth ndërmjet dy identiteteve” e me ashpërsimin e ligjeve racore, zhdukej gjithnjë e më shumë “dallimi ndërmjet hebrenjve dhe hebrenjve të pagëzuar”.

Mario Finzi dhe vajza 8-vjeçare

Një episod tjetër simbolik gjendet në kapitullin me titull “Histori e shkurtër e një njeriu të zakonshëm dhe e një vajze 8-vjeçare”. Njeriu i zakonshëm (siç i pëlqente ta quante veten) ishte Mario Finzi, i punësuar në seksionin bolonjez të Delasem-it (Delegacioni për Ndihmën e Emigrantëve Hebrenj). Në gusht 1942, Finzi i shkroi drejtpërdrejt Papës Piu XII, duke i kërkuar të ndërhynte për të “shpëtuar një krijesë të shkretë 8-vjeçare, që kërcënohej nga urrejtja dhe egërsia e njerëzve”. Ishte fjala për Maja Lang, një vajzë jugosllave me një vëlla 17-vjeçar, Vladimirin, në arrest shtëpiak në një vilë me pronar Alfonso Canova-n, në Sasso Marconi.

Vladimiri i pati kërkuar Finzi-t ta shpëtonte motrën e tij të vogël. Familja ishte arrestuar në Kroaci dhe vogëlushja, me një leje në skadim për të qëndruar në Hungari me tezen e saj, kishte rrezik të kthehej mbrapsht drejt kufirit kroat. I vetëdijshëm për këtë rrezik, Finzi mendoi një plan, që ia paraqiti drejtpërdrejt Papës: vajza duhej të vinte në Itali për t’u bashkuar me të vëllain, Vladimirin. Por, për ta realizuar këtë plan, Selisë së Shenjtë i duhej të ndërhynte në Ministrinë e Jashtme italiane, e cila duhej të fliste pastaj, me përfaqësinë e saj diplomatike në Budapest. “Atë i Shenjtë, unë e di se ç’po guxoj t’ju kërkoj nuk është pak - i shkroi Finzi Piut XII – por, të veprosh si i krishterë në një botë, që tashmë është mohim i Krishtit, nuk është ndërmarrje e lehtë për njerëzit e zakonshëm”.

Vatikani nuk humbi kohë. Pasi mori udhëzimet e nevojshme, në janar 1943, atë Tacchi Venturi arriti të siguronte nga Ministria e Brendshme Italiane lejen e hyrjes dhe të qëndrimit në Sasso Marconi për Majën e vogël dhe prindërit e saj. Urdhri i autoriteteve italiane duket se mbërriti në kohë për t’i shpëtuar jetën gjithë familjes. Por në një çast të caktuar, gjurmët e Majës së vogël humbin. Fatkeqësisht ajo vdiq në kampet e përqendrimit, sipas arkivave të Yad Vashem-it. “Gjithsesi, - shkruan Ickx - çështja e saj hedh dritë mbi një perspektivë interesante” e vë në dukje se “doktor Finzi i Bolonjës e konsideroi Papën Piu XII autoritetin e vetëm, ende në gjendje të ndërhynte me sukses në një rast humanitar kaq të ndërlikuar”.

Mario Finzi, ky i ri “i zakonshëm”, me zemër të artë, u arrestua dhe u internua në Auschwitz, u lirua nga kampi, por vdiq para kohe, për shkak të një sëmundjeje marrë në lagerin nazist. Familja Lang u kthye në Jugosllavi më 1945, për t’u transferuar në Izrael, pas 3 vitesh. “Së bashku me heronjtë lokalë të Sasso Marconi-t, kujtimi i të cilëve nderohet nga Yad Vashem [Alfonso Canova është “i Drejtë ndër Kombe”], dhe me një hebre të zakonshëm, Mario Finzi-n, viktimë e terrorit nazist, edhe Piu XII e Byroja vatikanase shpëtuan një familje”.

Ky libër shënon pra, nisjen e një epoke të re studimesh, që hedh poshtë paragjykimet ideologjike dhe idenë se Papa Piu XII nuk dinte gjë. Përkundrazi, ishte në krye të një rrjeti ndihme në favor të hebrenjve dhe të refugjatëve, ndoshta mjaft i ndërlikuar, por brenda një kornize të qartë, që nuk lë vend për dyshime. Një hap i madh drejt asaj “demokracie historiografike”, dëshiruar nga shumë studiues.

13 janar 2021, 13:12