Kërko

Vatican News

L’Osservatore Romano: të punohet për mbrojtjen e demokracisë në SHBA

Vijon të rritet bilanci i viktimave të sulmit kundër Kongresit amerikan. Gjatë natës, ndërroi jetë një polic i plagosur në protestat e 6 janarit, në Uashington. E, ndërsa vendi diskutonte a ta fajësonte a ta largonte nga posti Donald Trump-in, tashmë, ish-presidenti pranoi fitoren e Joe Biden. Nga ana e saj, Kisha vazhdon të nxisë kapërcimin e përçarjeve

R.SH. - Vatikan

Shtetet e Bashkuara të Amerikës po shqyrtojnë dështimet në sigurinë e brendshme. Sulmi kundër Capitol Hill, bilanci i të cilit ka arritur në 5 viktima, 13 të plagosur e 33 të arrestuar, nxorri në pah vështirësitë e policisë përballë tërbimit të demonstruesve. Ndërsa në bilancin e viktimave shtohet edhe një polic, që ndërroi jetë gjatë natës, vijojnë hetimet dhe dorëheqjet. Nga ana e tij, Donald Trump pranoi fitoren e presidentit të ri Joe Biden, i cili do të betohet më 20 janar, por që tani, deklaroi se nuk ka ndërmend të fillojë procedurën e “impeachment”, pra të heqjes së Trump-it nga posti e, as të përdorë amendamentin e 25-të të Kushtetutës. Në fjalimin e tij të djeshëm e akuzoi Donald Trump-in për sulm kundër demokracisë dhe për administrim me dhunë të presidencës së tij 4-vjeçare, por hodhi poshtë idenë e përdorimit të ligjit për ta shkarkuar atë nga detyra, sepse nuk do të ndihmonte në pajtimin e vendit.

Tranzicion i butë

 Pas betejave ligjore për të mohuar fitoren e kundërshtarit, Trump pranoi humbjen dhe, pa e përmendur kurrë Biden, foli për administratën e re, që do të fillojë punën më 20 janar, duke theksuar se do të përpiqet t’ia kalojë pa probleme pushtetin. Çasti, që po përjetojmë kërkon shërimin e shpirtrave dhe pajtimin, shpjegoi Trump, në një videomesazh, duke deklaruar se është gati të largohet nga Shtëpia e Bardhë, por jo nga politika. Prandaj, u kërkoi atyre, që nuk e konsiderojnë më veten republikanë, ta ndjekin atë në formacionin e ri politik, quajtur “Red Nation” (Kombi i Kuq – referuar ngjyrës së republikanëve).

Zëri i mediave katolike

 Pas dënimit unanim të ipeshkvijve amerikanë, edhe mediat katolike mbajnë qëndrim ndaj sulmit në Capitol Hill. Në gazetën “L’Osservatore Romano” - e përditshme e Selisë së Shenjtë - dënohet sulmi në një artikull me titull “Demokracia e plagosur”. Gazeta, duke akuzuar Donald Trump, vëren: “Politika nuk mund të mos marrë parasysh përgjegjësitë individuale, sidomos të atyre, që janë në pushtet dhe që, përmes një narrative polarizuese, mund të mobilizojnë mijëra njerëz”.

“Kush mbjell erë, korr stuhi”, shkruan gazeta e Selisë së Shenjtë, për të cilën “trumpizmi është i destinuar të lërë një varrë të thellë në skenën politike amerikane”. E më tej, nënvizon: “Demokracia është e brishtë, duhet mbrojtur gjithmonë” e “hapi i parë në mbrojtjen e demokracisë qëndron në pranimin e rregullave të saj, të dinamikës fiziologjike të alternimit, që përbën pasurinë dhe garancinë e saj”.

Media të tjera katolike në gjithë botën kërkojnë një reflektim më të thellë, pa u ndalur vetëm në ditën e 6 janarit. Duhen kërkuar arsyet e sulmit kundër institucioneve, duhet kuptuar ç’është mbjellë gjatë këtyre viteve e cili është roli i urrejtjes në politikë - jo thjesht, çështje amerikane.

08 janar 2021, 14:29