Kërko

Vatican News
 Battesimo di Gesù Battesimo di Gesù 

Fjala e Zotit – solemniteti i Pagëzimit të Jezusit

Pagëzimi i Jezusit është një ngjarje e veçantë, të cilin liturgjia na paraqet pas festës së Epifanisë. Në Pagëzimin e Tij në lumit Jordan, Jezusi e përuron jetën publike, e nis misionin e shpëtimit për mbarë njerëzimin. Festa e Pagëzimit, pra, na hap rrugën e lidhjes së përditshme me Zotin. Pagëzimi është si urë, që Hyji e ndërtoi ndërmjet vetes e nesh. Nga Pagëzimi, rrjedh edhe një model për shoqërinë, që mund ta quajmë “shoqëria e vëllezërve”.

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën  e Zotit. Kësaj herët meditojmë së bashku leximet biblike të Liturgjisë Hyjnore të dielës,  kësaj radhë në solemnitetin e Pagëzimit të Jezu Krishtit në lumin Jordan.

Fjala e Zotit - Pagezimi Krishtit

Me festën e Pagëzimit të Zotit përfundon Koha e Krishtlindjes. Festa e Pagëzimit të Zotit ёshtё një ngjarje, që na sugjeron fort mirë kuptimin global të festave të Krishtlindjes, gjatë të cilave elementi mbizotërues është fakti që njeriu bëhet bir i Zotit përmes ardhjes së Birit të vetëm të Hyjit në mesin e njerëzimit.

Pagëzimi i Jezusit është një ngjarje e veçantë, të cilën liturgjia e Kishës na paraqet pas festës së Epifanisë. Ungjilli i solemnitetit  të Pagëzimit të Jezu Krishtit na sjell përgjatë lumit të Jordanit e na paraqet Gjon Pagëzuesin, tashmë të rritur, i cili pagëzon, pret, përgatitet dhe përgatit zemrën e njerëzve për takimin aq të pritur me Krishtin. Gjon Pagëzuesi, sikur pohon tregimi ungjillor, pa frikë, paralajmëron të gjithë se Zoti është afër: “Po vjen pas meje, një më i fortë se unë” (Mk 1,7). Këto fjalë i thotë edhe për ne për të na mbushur më gëzim e për të na përkujtuar se kuptimi i gjithëçkaje ( çdo gjëje) është pikërisht këtu: Zoti vjen!  Jeta është pritje e Zotit. Këndej të jetosh dmth. të presësh Zotin.

Festa e Pagëzimit, pra, na hap rrugën e lidhjes së përditshme me Zotin. Pagëzimi është si urë, që Hyji e ndërtoi ndërmjet vetes e nesh. Nga Pagëzimi, rrjedh edhe një model për shoqërinë, që mund ta quajmë “shoqëria e vëllezërve”. Krijuesi në Jezusin u bë i vogël, fëmijë e duke u bërë i vogël, bëri të ndrisë drita e madhështisë së tij.

Në Pagëzimin e Tij në lumit Jordan, Jezusi e përuron jetën publike, e nis misionin e shpëtimit për mbarë njerëzimin. Fjalët e ungjilltarit, na tregojnë se Jezusi foli me Atin qiellor pasi pati marrë Pagëzimin në lumin Jordan. E nuk u lut vetëm për vete, por për të gjithë ne. E atëherë qielli u hap! Nga kjo ngjarje kuptojmë se sa më shumë të jetojmë në bashkim me Jezusin në realitetin e pagëzimit tonë, aq më shumë do të hapet mbi ne qielli, sepse me Pagëzim bëhemi bij të familjes së Zotit. Të krishterët janë të thirrur të ecin në rrugën e shenjtërisë, e cila u përket gjithë të pagëzuarve.

Ungjilli na kujton historinё e Pagëzimit të Jezusit, që nga pritja e Shën Gjon Pagëzuesit e deri tek përvujtëria me të cilën Biri i Zotit shkoi të lajë mëkatet si gjithë të tjerët. Në të vërtetë, Krishti mori mbi vete mëkatet e krejt njerëzimit dhe e filloi misionin, duke e vënë veten pikërisht në vend të mëkatarëve.

Kur pas Pagëzimit, Jezusi doli nga uji, u hapën qiejt e vetë zëri i Atit u tregoi njerëzve praninë e Birit të Tij në botë. Edhe për tё pagëzuarit hapen qiejt, pasi Shpirti Shenjt banon në ta si në një tempull, duke ua shndërruar rrënjësisht zemrën. Nga ky moment i Pagëzimit, zëri i Atit Hyjnor i thërret edhe ata për të qenë bij të Tij në Krishtin e, në familjen e tij që është Kisha, duke i dhanë secilit dhuratën sublime të fesë. Kjo dhuratë, që nuk mund të kuptohet menjёherё plotësisht, ruhet në zemrën e atyre qё pagëzohen si një farë plot jetë, që pret të zhvillohet e të sjellë fryte.

Në Pagëzim, pra, kemi realitetin mahnitës: njeriu, përmes pagëzimit, hyn në lidhjen e pashembullt e të posaçme me Jezusin e me Atin, kështu që fjalët, siç na kujton Ungjilli i kёsaj feste (Markut 1, 7-11), që kumbuan nga qielli për Birin e vetëm, kumbojnë edhe për çdo burrë e për çdo grua, që rilind nga ujët e nga Shpirti Shenjt: “Ti je im bir, i dashuri” Djali i dishirit!!”.

Është karakteristikë e Pagëzimit, të shndrisë me dritën e Krishtit, t’iu hapë sytë njerëzve para shkëlqimit të Tij e t’i shtyjë drejt misterit të Zotit përmes pishtarit të fesë. Vetëm kështu, besimtarët shkojnë drejt një jete më të lumtur, më të bukur, më solidare, drejt një jete me Zotin. Pagëzimi na dhuron jetën e pasosur, e po ta kuptonim këtë të vërtetë në gjithë thellësinë e vet, jeta jonë do të bëhej jetë e vazhdueshme hiri e bekimi.

                                                                         LITURGJIA E FJALË

Lexim prej Librit të Isaisë profet 55, 1-11

Kështu thotë Zoti: “O ju të gjithë që jeni të etshëm, ejani tek ujët, le të vijnë edhe ata që s’kanë para! Bleni drithë e hani; ejani e bleni pa para e pa pagesë verë e qumësht! Pse t’i shpenzoni paratë në atë që s’është bukë dhe mëditjen tuaj në gjëra që nuk ngijnë? Nëse më dëgjoni mua do të hani ç’ka është e mirë, e do të shijoni ushqime të shijshme! Ma vëni veshin e ejani tek unë, më dëgjoni e shpirti juaj do të jetojë! Me ju do të lidh Besëlidhje të përhershme, po, do t’i ruaj të mirat e Davidit. Ja, atë e bëra dëshmitar për fise, prijës e urdhërues për paganë. Ja, do të thërrasësh një popull që s’e njihje, te ti do të vrapojnë popuj që s’të njihnin, për shkak të Zotit, Hyjit tënd, të Shenjtit të Izraelit që ty të madhëroi! Kërkojeni Zotin derisa mund të gjendet, thirreni në ndihmë deri sa është afër! Le ta lërë i patenzoni udhën e vet, njeriu i keq synimet e veta, le të kthehet te Zoti e ai do të ketë mëshirë për të, tek Hyji ynë që është bujar në falje. Sepse mendimet tuaja, nuk janë mendimet e mia, as udhët tuaja nuk janë udhët e mia-thotë Zoti. Sepse, sikurse qielli që është i lartë në krahasim me tokën: po ashtu edhe udhët e miajanë të larta në krahasim me udhët tuaja dhe mendimet e mia në krahasim me mendimet tuaja! Dhe sikurse zbret shiu e bora nga qielli e atje nuk kthehet, por e ujit tokën, e zbrun dhe i jep fuqi të blerojë, i jep bujkut farën dhe bukën për ushqim, kështu edhe fjala ime që del prej gojës sime, s’do të kthehet tek unë pa fryt, pa pasë kryer gjithçka më pëlqen dhe pa pasë zbatuar atë për çka e nisa. Fjala e Zotit. 

Psalmi Isaia 12, 2. 4-6

Lavdi i qoftë emrit tënd, o Zot

Qe, Hyji Shëlbuesi im,
Kam besim e nuk kam frikë,
Sepse fuqia ime e mburrja ime është Zoti,
Ai është shpëtimi im.

Falenderojeni Zotin, thirreni Emrin e tij,
Shpallni ndër popuj veprat e tija,
Kumtojeni madhërinë e Emrit të tij

Këndoni Zotit, sepse krijoi mrekulli,
Le ta marrë vesh bota mbarë!
Brohoritni e këndoni lavde, 
ju banorët e Sionit,
sepse i madhërishëm është në mesin tuaj
Shenjti i Izraelit!

Lexim prej Letrës së parë të shën Gjonit apostull 5, 1-9

Fort të dashur, kushdo beson se Jezusi është Mesia, është i lindur prej Hyjit. Kush do prindin, do dhe të lindurin prej tij. Me këtë gjë e dimë se i duam fëmijët e Hyjit: nëse e duam Hyjin dhe i mbajmë urdhërimet e tija. Dashuria ndaj Hyjit është kjo: që ne t’i zbatojmë urdhërimet e Hyjit. Urdhërimet e tija nuk janë të rënda. Sepse, gjithçka lind prej Hyjit ngadhënjen mbi botën. Dhe kjo është fitorja që e mundi botën: feja jonë! Kush është ai që e mund botën në mos qoftë ai që beson se Jezusi është Biri i Hyjit? Ky është ai që erdhi nëpër ujë e nëpër gjak: Jezu Krishti. Jo vetëm me ujë, por me ujë e me gjak. Dëshmitari i kësaj gjëje është Shpirti Shenjt, sepse Shpirti Shenjt është e vërteta. Kështu, tre janë ata që dëshmojnë: Shpirti Shenjt, uji dhe gjaku. Këta të tre bëjnë një dëshmi të vetme. Nëse ne pranojmë dëshminë e njerëzve, dëshmia e Hyjit është më e madhe. E dëshmia e Hyjit është ajo që i ka dhënë Birit të vet. Fjala e Zotit.

ALELUJA, aleluja.
Ja, po vjen një më i fortë se unë, thotë Gjoni; Ai do t’ju pagëzojë me Shpirtin 
Shenjt e me zjarr.
Aleluja.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Markut 1, 7-11

Në atë kohë Gjoni, në predikimet e veta, thoshte: “Pas meje po vjen një më i fortë se unë. Unë nuk jam i denjë as të ulem para tij për t’ia zgjidhur rripin e sandalëve të tija. Unë ju pagëzova me ujë, ndërsa ai do t’ju pagëzojë me Shpirtin Shenjt.” Në ato ditë erdhi Jezusi prej Nazaretit të Galilesë e Gjoni e pagëzoi në Jordan. Dhe menjëherë, ndërsa po dilte nga uji, pa qiellin e hapur dhe Shpirtin në trajtë pëllumbi që po zbriste mbi të, kurse prej qiellit jehoi zëri: “Ti je im Bir – Djali i dishirit! Ty të miratova!”  Fjala e Zotit.

Homelia nga famullitari në Rranxa-Bushat, dioqeza e Shkodrës, dom Dritan Ndoci:  PAGËZIMI I ZOTIT

Homelia nga famullitari në Rranxa-Bushat, dom Dritan Ndoc

JEZUSI E PËRSHKOI VENDIN DUKE BËRË MIRË. Is 42, 1-4.6-7; Ps 29 (28); Vap 10, 34-38; Mk 1, 7-11

Është e vërtetë ajo që themi tek «Puna e pendimit»: Zoti është «e mira e pambaruar. Nuk gabojmë nëse mesazhin që na përçojnë sot pjesët e Shkrimit Shenjt do ta titullonim me fjalët: Zoti është i mirë.

Kjo mirësi e Tij na është shfaqur krejt dukshëm në Jezu Krishtin, Mirësia Hyjnore e bërë njeri. Në leximin e dytë, është vetë Shën Pjetri ai që e vë në dukje një gjë të tillë. U thotë bashkëbiseduesve të vet: «Ju e dini çka ka ndodhur në mbarë Judenë, duke filluar nga Galileja, pas pagëzimit që predikoi Gjoni, sesi Hyji, Jezusin prej Nazareti, e shuguroi me Shpirtin Shenjt e me pushtet; atë (dhe ja ku arritëm tek shprehja kyçe) që e përshkoi vendin duke bërë mirë... ».

Është e vërtetë se Pjetri flet edhe për shërimet e mrekullueshme që bënte Jezusi si edhe për lirimet nga djalli, por edhe ato ai i sheh si gjeste të mirësisë së Zemrës së Jezusit. E, në fakt, mrekullitë nuk janë gjeste spektakolare me të cilat Hyji përpiqet të na e mbush mendjen se sa i pushtetshëm është e as nuk i bën ato me shpresën që të fitojë fansa, por vetëm e vetëm ngaqë është i mirë vetë. Kaq është e vërtetë kjo, saqë Jezusi shpesh në Ungjill porosiste «Mos i tregoni kujt për këtë!», kur bënte ndonjë mrekulli.

Jezusi i mirë. Thuhet në jetën e një shenjti, i cili kishte shkuar misionar në disa vende të largëta, se, në fillimet e misionit të vet, kur ende nuk e zotëronte gjuhën e atij populli, e kishte të vështirë të fliste për Krishtin. Megjithatë shumë njerëz i shkonin pranë me kënaqësi për shkak të mirësisë që vërenin tek ai. Dhe thoshin: «Kur ky është i mirë, imagjino sa më i mirë duhet të jetë Ai për të cilin ky po përpiqet të na flasë.» E kështu, pa folur, “fliste” për mirësinë e Jezusit.

Leximi i parë i ditës së sotme hyn në detajet e kësaj mirësie të Jezusit: «Shërbëtori im ... s’do të bërtasë... . Ai s’do ta thyejë as kallamin e copëtuar, s’do ta ndalë as fitilin tymues dhe, pa u trembur, ai do ta shpallë të drejtën». Mirësi e butësi të përziera bukur së bashku.

Në fytyrën njerëzore të Jezusit «rrezatohej» mirësia e Hyjnisë së Tij. Thotë Shën Pali se ne të krishterët jemi thirrur të shikojmë në fytyrën e Krishtit, që të mund ta kuptojmë lavdinë e Hyjit: «Hyji ndriti në zemrat tona, që të shkëlqejë njohuria e lavdisë së Hyjit në fytyrën e Krishtit».

Duke qenë se jemi krijuar në përngjasimin e Hyjit, Jezusi erdhi të ndreqte atë që mëkati e kishte dëmtuar. Jezusi erdhi të na e kujtonte se edhe ne njerëzit jemi të krijuar për të bërë mirë. Ndonjëri prej Etërve të shkretëtirës thoshte: «Të jemi të mirë deri në atë pikë, saqë të ndjejmë dashamirësi deri edhe për gjarprin!» Këta njerëz flisnin kështu ngaqë ishin të kapluar nga mirësia e butë e Krishtit.

Por të kthehemi pak tek e kremtja e sotme. Kremtojmë Pagëzimin e Jezusit. Është një e kremte e cila na gjall pak habi. Habitemi kur mendojmë se edhe Jezusit i qenka dashur të pagëzohet si ne!

Ne, në fakt, habitemi kështu ngaqë kujtojmë se pagëzimi i Gjonit ishte si pagëzimi që marrim ne të krishterët. Por nuk ishte i tillë. Pagëzimi i Gjonit ishte një ritual që kishte për qëllim të ishte vetëm si shenjë e një bashkimi më të thellë me Hyjin. Gjoni ishte pararendësi i Mesisë, e dijmë, e prandaj ai kishte këtë mision: ta ndihmonte popullin e Izraelit të bashkohej më fort më Hyjin, në mënyrë që t’i hapej Mesisë tashmë fare afër.

Pagëzimi që njerëzit bënin te Gjoni ishte shprehje se ata dëshironin të «zhyteshin» (pagëzim do të thotë zhytje) në Hyjin. E si mund të mungonte Jezusi në këtë ritual? Edhe Jezusi dëshironte ta shprehte me gjeste përkatësinë e tij të plotë ndaj Atit të vet. Pastaj pagëzimi i Gjonit patjetër që kërkonte edhe largimin nga mëkati, përndryshe ç’bashkim me Hyjin mund të ishte? Por, pikësëpari, ai ishte shprehje e bashkimit me Hyjin.

Prandaj, pasi Jezusi pagëzohet, pasi e shpreh me gjeste konkrete përkatësinë e plotë ndaj Atit të vet, edhe Ati tani, nga ana e Tij, dëshiron ta shprehë konkretisht dhe haptas, në Shpirtin Shenjt, dashurinë për Birin e vet. Nuk besoj se e teprojmë sikur këtë çast ta quanim një «lojë dashurie» mes Personave të Trinisë së Shenjtë.

Shpirtit Shenjt zbret mbi Jezusin e Ati thotë: «Ti je im Bir – Djali i dësHirit! Ty të miratova». Ungjilli e paraqet tërë këtë ngjarje madhështore si një shkëmbim të ndërsjelltë përzemërsie mes Personave Hyjnorë. Në ndryshim me Ungjillin e Mateut, i cili thekson faktin se Ati flet me qëllim që ne ta pranojmë Jezusin si Birin e Tij, Ungjilli i sotëm i Markut dhe ai i Lukës e paraqesin të folurën e Atit si një bisedë me Birin e vet, në Shpirtin Shenjt: jo «Ky është Biri im... », por «Ti je im Bir... ».

Sa bukur është ta shohim veten “spektatorë” të kësaj shfaqjeje dashurie! Sa bukur të shohim se u quajtëm të denjë për pjesëmarrje në një shfaqje të tillë! Ati i amshuar nuk pau mbi padenjësinë tonë, por mbi mirësinë e vet e prandaj nuk ngurroi të na e mundësonte edhe ne dëgjimin e zërit të Tij.

Shpirtit Shenjt, në trajtën e pëllumbit, nuk është larguar nga bota. Zanafilla thotë se në fillim të botës «Fryma e Hyjit endej përmbi ujëra». Por ja: Ai nuk u largua nga bota kur kjo deshi t’i mbyllej veprimit të Tij. Në mirësinë e Tij, Shpirti Shenjt u bë i dukshëm edhe një herë.

Biri, në mirësinë e butësinë e Tij, deshi të rreshtohej me mëkatarët, me qëllimin kryesor që të mos humbiste rastin që, Atit, në Shpirtin, t’i shprehte përzemërsinë e vet. Nuk deshi ta bënte këtë gjë diku larg nesh, por pikërisht në rresht me ne.

Ja, pra, se prej ku buron Mirësia e fytyrës së Jezusit: nga gjiri i Trinisë Shenjte. Jezusi, në natyrën e Tij njerëzore, nuk mund të mos shprehë veç mirësi. Kjo sepse shkëmben në amshim dashamirësi me Atin dhe me Shpirtin Shenjt. Nuk mund të mos e shprehë mirësinë e vet as kur ne jemi të këqinj. Përkundrazi: aty ka rastin ta shprehë edhe më dukshëm, duke na falur, duke u përkujdesur për ne e duke na liruar nga i Keqi: «Ai që e përshkoi vendin duke bërë mirë e duke shëruar të gjithë ata që kishin rënë nën pushtetin e djallit, sepse Hyji ishte më Të».

Të përpiqemi edhe ne, pra, t’i përngjajmë mirësisë së Jezusit. Atëherë do të jetojmë ashtu siç jemi krijuar të jetojmë: në përngjasimin e Hyjit.

 

09 janar 2021, 10:50