Kërko

Epifania, Salterio Ms. 7456 f.5 Epifania, Salterio Ms. 7456 f.5 

Fjala e Zotit e solemnitetit të Epifanisë

Festa e Dëftimit të Zotit tonë Jezu Krishti. Prej shpellës së Betlehemit në botë; prej Izraelit tek të gjithë popujt. Është udha e fesë së krishterë, është rrezatimi i dritës, Jezusi drita e vërtetë që ndriçon çdo njeri; është misteri i fshehur në shekuj e përfundimisht i dëftuar, çka do të thotë që të gjithë popujt "janë të thirrur në Jezu Krishtin, për të marrë pjesë në të njëjtën trashëgimi" që Biri i Hyjit e ka merituar me gjakun e tij.

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë me Fjalën e Zotit, kësaj herët meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të festës së Dëftimit të Zotit tonë Jezu Krishti. Krishtlindja kremton faktin historik të lindjes së Jezusit në Betlehem, e është festa në të cilën Zoti i dëfton njeriut dinjitetin e tij më të thellë, dinjitetin e Birit të Hyjit. Nga njëra anë fshehja e Hyjit pas përvujtërisë së natyrës njerëzore, në Foshnjën e Betlehemit dhe Dëftimi përmes mishërimit: dy realitete, që i shohim qartë në dy solemnitete: atë të Krishtlindjes e atë të Dëftimit të Zotit. Festa e Dëftimit të Zotit, që kremtojmë më 6 janar, na kujton adhurimin e tre Mbretërve Dijetarë, e, me që është dëftim mund të theksojmë dy aspekte, të dy festave të mëdha: gëzimin e dritën

Festa e Dëftimit të Zotit – festa e Epifanisë Fjala e Zotit

Në Ungjillin e solemnitetit të Dëftimit të Zotit nga Ungjilli  Mateu (Mt 2, 1-12), tregimi i Dijetarëve, ardhur nga lindja në Betlehem për të adhuruar Mesinë e fshehur në një Foshnje të vënë në grazhd, i jep kësaj feste një frymëmarrje universale, është frymëmarrja e Kishës, e cila dëshiron që të gjithë popujt e tokës të mund ta takojnë Jezusin, ta përjetojnë dashurinë e Tij të mëshirshme.  Jezu Krishti posa ka lindur, nuk di akoma të flasë, e të gjithë popujt – të përfaqësuar nga Dijetarët – veç mund ta takojnë, ta njohin, ta adhurojnë. Kisha në Dijetarët ka parë përherë imazhin e mbarë njerëzimit dhe me festën e Epifanisë dëshiron gati gati t’i tregojë plot respekt çdo burri e çdo gruaje të kësaj bote Foshnjën që ka lindur për shpëtimin e të gjithëve.

Prej shpellës së Betlehemit në botë

Prej shpellës së Betlehemit në botë; prej Izraelit tek të gjithë popujt. Është udha e fesë së krishterë, është rrezatimi i dritës, Jezusi drita e vërtetë që ndriçon çdo njeri; është misteri i fshehur në shekuj e përfundimisht i dëftuar, çka do të thotë që të gjithë popujt "janë të thirrur në Jezu Krishtin, për të marrë pjesë në të njëjtën trashëgimi" që Biri i Hyjit e ka merituar me gjakun e tij. Është mbi këtë besim të përbotshëm (universal) që duhet të ritmohet edhe jeta jonë, nëse duam ta përjetojmë gëzimin që lind nga feja në Jezusin. Krishti për ne bëhet Fjalë e Bukë në mënyrë që edhe ne duke u bërë fjalë e bukë për vëllezërit tanë, mund të ja dëftojmë Jezusin të gjithë njerëzve. Kisha me këtë festë kremton dëftimin e Zotit që u bë i dukshëm dhe i prekshëm "në plotësimin e kohërave". Dëftimi apo shfaqja ndodhi mes dritash e errësirës.

Tre simbolet shqetësuese

Kështu pra, Kisha kremton "dëftimin" e Zotit të gjithë njerëzve vullnet mirë, që ai i do. Jezusi nuk është pronë private e disave të privilegjuarve, por është dhuratë e bërë për të gjithë. Me qenë se Zoti ka ardhur në mesin e njerëzve, duhet që, sikur Dijetarët, njerëzit të shkojnë tek Ai: "Ejani tek unë, ju të gjithë që jeni të lodhur e të shtypur, e unë do të ripërtërij". Por qysh në lashtësi mund të konstatohet se si njerëzit janë munduar ta "ndajnë" e "kenë" për vete Krishtin duke bartur secili një pjesë në shtëpi të vet. Tri simbolet e arit, kemit e mirrës, të vendosura nga tre Dijetarët tek këmbët e Foshnjës, do të thonë se ajo Foshnje e vetme është së bashku Njeri, Zot, Mbret. Janë simbole të pa ndashme.

                                              Liturgjia e Fjalës së Zotit

Leximi i parë (Is 60, 1-6)
Jerusalemi është paraqitur si drita që kundërshton errësirën, pikërisht sepse në të shkëlqen drita e Zotit. Drejt Jerusalemit, aty ku banon drita e Zoti, udhëtojnë të gjithë popujt. Sot është Kisha që ka këtë detyrë, të jetë e varfër dhe e domosdoshme si foshnja në Betlehem, për të ndezur në qiell një yll dhe për të udhëhequr të gjithë njerëzit drejt kësaj foshnje.

Lexim prej Izaisë profet

Ngrehu, shkëlqe, se po vjen drita jote, mbi ty po lind Lavdia e Zotit! Sepse tokën po e mbulon terri dhe një errësirë e madhe popujt, kurse mbi ty, dritë bën Zoti e Lavdia e tij mbi ty, do të shihet! Në dritën tënde do të ecin popujt edhe mbretërit, në lindjen e shkëlqimit tënd.
Lartësoji përreth sytë e tu e shiko: të gjithë këta po mblidhen, te ti po vijnë. Bijtë e tu po vijnë prej së largu, bijat e tua para duarsh po i sjellin. Atëherë do të shikosh, fytyra do të të ndriçojë, zemra do të të rrahë e do të të zgjerohet, sepse pasuritë e detit do të zbrazen te ti, të mirat e popujve do të vijnë te ti. Mori gamilesh do të mbulojnë, gamile njëgungëshe nga Madiani e Efa. Të gjithë do të vijnë nga Saba, ar e kem do të sjellin e do t’i këndojnë lavde Zotit. Fjala e Zotit!

Psalmi 72 (71)
Ref: Do të lavdërojnë, o Zot, të gjithë popujt e botës
_________________

O Hyj, jepja mbretit gjyqin tënd
dhe drejtësinë tënde birit të mbretit,
që ta gjykojë popullin tënd me drejtësi
e skamnorëve të tu t’u japë të drejtën.
_________________

Në ditët e tija do të lulëzojë drejtësia
dhe paqe e madhe derisa të jetë hëna.
Do të sundojë prej detit në det,
prej lumit e deri në skajin e botës...
_________________

Mbretërit e Tarsisit edhe të ishujve
dhurata do të sjellin,
mbretërit e arabëve e të Sabës do të lajnë të dhjetat,
të gjithë mbretërit para tij përmbys do të bien,
e popujt mbarë do t’i shërbejnë.
_________________

Ai do ta shpëtojë skamnorin që fshan,
të varfërin që nuk ka ndihmëtar.
Mëshirë do të ketë për të mjerin e të vobektin,
dhe skamnorëve do t’ua shpëtojë jetën.
_________________

Leximi i dytë (Ef 3, 2-3. 5-6)
Mister do të thotë plani i shpëtimit të Hyjit realizuar nga Krishti në historinë tonë. Shën Pali përshkruan këtë plan duke thënë që do të marrin shpëtimin e Krishtit jo vetëm hebrenjtë, por edhe të gjithë popujt paganë, që më parë ishin të përjashtuar nga besëlidhja me Hyjin.

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Efesianëve

Vëllezër, mendoj se patjetër do të keni marrë vesh për hirin që Hyji, për ta çuar në vend synimin e vet, ma ka dhënë për të mirën tuaj, se me zbulesë qesh vënë në njohuri të misterit, për të cilin shkurtimisht posa ju vura në dijeni.
Misteri i Krishtit nuk u qe zbuluar njerëzve të breznive të shkuara sikurse tani u është zbuluar në Shpirtin Shenjt apostujve të tij të shenjtë dhe profetëve: se paganët – në Jezu Krishtin – janë bashkëpjesëtarë të të njëjtit trashëgim, bashkëgjymtyrë të të njëjtit trup, dhe bashkanëtarë të të njëjtit premtim në saje të Ungjillit. Fjala e Zotit!

ALELUJA,
Aleluja.
E pamë yllin e tij duke lindur,
dhe erdhëm t’i shprehim nderimet tona.
Aleluja.

Ungjilli (Mt 2, 1-12)
Paganët janë të tërhequr drejt dritës së Jezusit Mbret. Nuk takohet më Shpëtimi në Jerusalem, por në Betlehem. Dijetarët e lënë veten e tyre të udhëhiqen nga ylli deri në Betlehem. Ndërsa Herodi dhe kryepriftërinjtë hebrenj kërkojnë të zhdukin foshnjën e Betlehemit. Kështu sot ashtu si dje, shpesh janë të tjerët jo të krishterë që rinjohin Jezusin si Mesia.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Mateut

Pasi Jezusi lindi në Betlehemin e Judesë, në kohën e mbretit Herod, kur qe, prej Lindjes ia behën në Jerusalem disa Dijetarë, e pyetën: “Ku është foshnja e lindur, që do të bëhet mbreti i judenjve? Sepse e pamë yllin e tij duke lindur dhe erdhëm t’i shprehim nderimet tona.”
Mbreti Herod, posa i dëgjoi këto fjalë, u shqetësua vetë e me të edhe mbarë Jerusalemi. I bashkoi të gjithë kryepriftërinjtë e skribët e popullit dhe i pyeti ku duhet të lindë Mesia. Ata i përgjigjën: “Në Betlehemin e Judesë, sepse kështu ka shkruar profeti:
‘E ti, o Betlehem tokë e Judesë, ti nuk je kurrsesi më i parëndësishmi ndër qytetet princore të Judesë, sepse prej teje do të dalë prijësi, që do ta udhëheqë popullin tim, Izraelin’ ”.
Atëherë Herodi i thirri fshehtazi Dijetarët dhe me kujdes mori hetime prej sish rreth kohës kur u ishte dukur ylli. Pastaj i dërgoi në Betlehem duke u thënë: “Shkoni dhe bëni me kujdes kërkime rreth fëmijës. Kur ta gjeni, më lajmëroni që edhe vetë të vij e t’i shpreh nderimet e mia.”
Ata, si e dëgjuan mbretin, u nisën. Dhe ja, ylli që kishin parë në lindjen e tij, u shkonte përpara derisa nuk zuri vend aty ku ishte fëmija. Ata, kur e panë yllin, u bënë shend e verë. E, si hynë në shtëpi, panë fëmijën me Marinë, t’ëmën e tij, ranë përmbys dhe i shprehën nderimet e tyre. Pastaj hapën thesaret e veta e i dhuruan ar, kem, e mirrnë. Të mësuar në ëndërr prej Hyjit të mos ktheheshin te Herodi, u kthyen një rrugë tjetër në vendin e vet. Fjala e Zotit!

Homelia nga famullitari në Rranxa-Bushat, dioqeza e Shkodrës, dom Dritan Ndoci

Homelia nga famullitari në Rranxa-Bushat, dioqeza e Shkodrës, dom Dritan Ndoci: DËFTIMI I ZOTIT!

KU ËSHTË FOSHNJA E LINDUR?

«Ku është foshnja e lindur, që do të bëhet mbreti i judenjve?» – pyesin dijetarët kur hyjnë në Jerusalem dhe kjo pyetje e tyre shkaktoi një zinxhir reagimesh e turbullirash në mbarë qytetin. E pra, këtë pyetje ata e bënin pa të keq. Thjesht bazoheshin në disa të dhëna që studimet e tyre astrologjike u kishin furnizuar. Tani donin thjesht të ndihmoheshin nga vendasit, nëse ata mund të dinin ndonjë gjë më shumë rreth kësaj lindjeje kaq të veçantë, lindje e cila kishte vënë në lëvizje edhe një yll në qiell: «E pamë yllin e tij duke lindur dhe erdhëm t’i shprehim nderimet tona», kishin saktësuar ata, saktësim i cili ngjalli edhe më shumë turbullim tek dëgjuesit.

Të dhëna jashtë Biblës tregojnë se, aso kohe, në vende të ndryshme të botës, deri edhe në Romë, kishte poetë e falltarë që ndikoheshin nga disa ëndrra që u flisnin për një ndryshim epokal. Çfarë po ndodhte, pra, në Jerusalem, përderisa pikërisht për aty ishte drejtuar deri edhe një yll?

Kjo e sotmja quhet e kremtja e Dëftimit të Zotit, në kuptimin që Jezusi ua dëftoi mbarë kombeve Hyjninë e Tij. Në liturgjinë e Kishës në këtë ditë përkujtohen edhe disa episode të tjera të jetës së Jezusit e jo vetëm vizita e këtyre Dijetarë që vijnë nga lindja për të takuar Jezusin Foshnje. Përkujtohet edhe Pagëzimi i Jezusit në lumin Jordan, ku Ati dëshmoi, në Shpirtin Shenjt, se Jezusi është Biri i Tij. Prej kësaj vjen tradita që sot të bekohet uji, në përkujtim të ujërave që u shenjtëruan nga Jezusi kur Ai u zhyt në lumin Jordan. Gjithashtu përkujtohet edhe shndërrimi i ujit në verë që Jezusi bën gjatë dasmës në Kanë, mrekulli me të cilën Jezusi «e dëftoi lavdinë e vet dhe nxënësit e tij besuan në të».

Janë disa episode, pra, të cilat Kisha i ka bashkuar në një ditë të vetme për të treguar këtë të vërtetë të madhe: Jezusi ka ardhur për të gjithë popujt e botës.

Me kalimin e shekujve, pastaj, ritet e ndryshme liturgjike janë ripërtërirë dhe, me qëllim që të kundrohen më nga afër këto episode të rëndësishme të jetës së Jezusit, Kisha i ka theksuar ata me të kremte e festa të posaçme. Pagëzimin e Jezusit do ta kremtojmë në mënyrë më të veçantë të dielën që vjen, ndërsa mrekullinë e shndërrimit të ujit në verë do ta kundrojmë përsëri në të dielat në vazhdim më nga afër. Prandaj, pra, në liturgjinë latine, përgjithësisht sot i është dhënë më shumë hapësirë vizitës së këtyre dijetarë nga lindja.

Jemi mësuar t’i mendojmë të vetëm tre këta dijetarë, duke u nisur nga fakti se tri ishin dhuratat që ata i lanë Jezusit, por është e vështirë që të ishin vetëm aq: zakonisht njerëz të tillë nuk lëviznin vetëm, por me karvanë, për të përballuar kështu vështirësitë e udhëtimeve. E kjo s’ka përse ta përjashtojë faktin që këta tre karvanë të ndryshme të kenë lënë secili nga një dhuratë.

Por le t’i kthehemi pjesës ungjillore, sepse ka disa detaje të cilat vërtetë të bëjnë të mendosh.

Në rrallë të parë të bën të mendosh ai rreshti që thotë: «Mbreti Herod, posa i dëgjoi këto fjalë, u shqetësua vetë e me të edhe mbarë Jerusalemi».

Shqetësimi i Herodit hyn ndër ato shqetësimet e zakonshme që kanë Mbretërit kur dëgjojnë se dikush po ua kërcënon fronin. Dëshmitë historike flasin për Herodin si për një Mbret vërtetë shumë të aftë, i cili i solli shumë begati dhe paqe vendit të vet gjatë tridhjetë viteve që sundoi, aq sa thuhet se, si ai, nuk do të arrinte ta bënte askush tjetër për një kohë shumë të gjatë pas tij. Por burimet historike flasin edhe për një anë tjetër të këtij njeriu, i cili, kur kishte zbuluar komplotin që po i bënin dy bijtë e tij për ta rrëzuar nga froni, i kishte vrarë që të dy.

Prandaj «u shqetësua» kur dëgjoi se një tjetër komplot mund të ishte duke shpërthyer. «U shqetësua edhe mbarë Jerusalemi», sepse shpërthimi i ndonjë komploti gjithnjë merrte me vete edhe shumë viktima të pafajshme.

Ka njerëz që janë vërtetë të aftë ta kuptojnë se si mbahen fijet e ngatërruara të drejtimit të popujve, por që nuk dinë aspak ta shohin kohën kur Hyji i fton që t’i hapen veprimit të Tij.

Pastaj të bën të mendosh fakti se «kryepriftërinjtë e skribët e popullit» e dinin se çfarë thoshin Shkrimet e Shenjta të profetëve në lidhje me Mesinë, por që nuk kishin bërë asgjë për ta hetuar kohën kur këto profeci mund të ishin duke u realizuar. Përkundrazi Dijetarët ishin vënë në lëvizje me sinjalet e para që kishin vënë re në qiell, edhe pse këto sinjale ishin shumë të përgjithshme. Kjo na tregon se nuk mjafton ta njohim Shkrimin e Shenjtë, por duhet edhe të vihemi në lëvizje për ta kërkuar Zotin me jetën tonë. Përndryshe kushedi sa herë Zotin na kalon pranë dhe ne do të vazhdojmë të mbetemi në indiferencën tonë.

Herodi i fiksuar pas fronit dhe kryepriftërinjtë e skribët dembelë, nuk do të arrijnë kurrë ta takojnë Jezusin. Madje Herodi bëri edhe plane për të vrarë Atë. Për këtë arsye edhe i porosit Dijetarët: «Shkoni dhe bëni me kujdes kërkime rreth fëmijës. Kur ta gjeni, më lajmëroni që edhe vetë të vij e t’i shpreh nderimet e mia». U desh ndërhyja e Zotit që Dijetarët t’i mësonte në ëndërr se si t’i shmangeshin këtij kurthi dinak të tij.

Nuk mjafton, pra, të jemi dinakë e të zgjuar e nuk mjafton as t’i njohim mirë Shkrimet e Shenjta, por na duhet hapja e zemrës për ta takuar Jezusin.

E pikërisht këtë cilësi të fundit e kishin Dijetarët. Ungjilli thotë një shprehje vërtetë prekëse kur përshkruan reagimin e tyre në çastin kur ylli «zuri vend aty ku ishte fëmija»: «Ata, kur panë yllin, u bënë shend e verë». Një gëzim i papërshkrueshëm ua përshkon shpirtin këtyre njerëz të çiltër kur kuptojnë se e gjetën atë që po kërkonin. Ky Fëmijë Hyjnor, të cilin ata po takonin ato ditë, më vonë do t’i thoshte botës: «Kërkoni e do të gjeni». Këta Dijetarë kërkuan e prandaj edhe gjetën.

Edhe dy leximet e tjera të sotme flasin për takimin që të gjithë popujt mund të bëjnë me Zotin. Leximi i parë madje duket sikur përshkruan deri edhe detajet e vizitës se këtyre Dijetarë kur thotë: «Mori gamilesh do të mbulojnë, gamile njëgungëshe nga Madiani e Efa. Të gjithë do të vijnë nga Saba, ar e kem do të sjellin e do t’i këndojnë lavde Zotit». E, në fakt, Ungjilli tregon se dhuratat që Dijetarët i lanë Jezusit Foshnje ishin pikërisht ar, kem e mirrnë. Ari tregonte se Ai është Mbret, kemi tregonte se është Hyj dhe mirrna paralajmëronte Mundimet dhe Vdekjen e Tij. Do të mbretëronte shumë ndryshme ky Mbret.

Në leximin e dytë është Shën Pali ai që thotë se «paganët, në Jezu Krishtin, janë bashkëpjesëtarë të të njëjtit trashëgim, bashkëgjymtyrë të të njëjtit trup». Kisha e Krishtit do të quhej e Gjithëmbarshme, Katolike, pikërisht ngaqë të gjithë popujt do të mund të merrnin pjesë në bashkimin me Krishtin Zot.

Hyjin, pra, në Jezu Krishtin, mund ta takojnë të gjithë popujt. Por e gjejnë vetëm ata që e kërkojnë me zemër të thjeshtë. Libri i fjalëve të Urta shkruan: «Hyji u kundërshton krenarëve, kurse të përvujtëve u jep Hirin» (3, 34). Duhet të ketë qenë shumë e dashur për të krishterët e parë ky rresht i Besëlidhjes së Vjetër, përderisa si Shën Pjetri ashtu edhe Shën Jakobi e citojnë në letrat e veta. Prandaj, nëse me përvujtëri popujt e kërkojnë të vërtetën, paqen, dashurinë dhe bashkimin, të shndritur nga Shpirti Shenjt, ata tashmë janë vënë në kërkim të Jezusit. Patjetër që një ditë edhe do ta takojnë Atë. Por nëse do të jenë krenarë, nuk do të mund ta takojnë kurrë.

«Ku është Foshnja që do të bëhet mbreti i judenjve?», kishin pyetur pa të keq Dijetarët, duke dëshmuar se ishin vënë në kërkim të së Vërtetës. Pyetja e tyre, pastaj, zgjoi reagime të ndryshme, reagime të cilat po tregonin orientimin e zemrës së secilit.

Po ne si a jemi në kërkim të së Vërtetës? Si reagojmë ne kur jemi të ftuar të vihemi në kërkim të Jezusit? A e kemi apo jo çiltërsinë e zemrës dhe hapjen ndaj të vërtetës, ndaj paqes, ndaj bashkimit dhe ndaj dashurisë? Është me shumë rëndësi përgjigja që i japim kësaj pyetjeje, sepse pikërisht aty luhet takimi apo largimi ynë me Krishtin. (Is 60, 1-6; Ps 72 (71); Ef 3, 2-3. 5-6; Mt 2, 1-12).

Dom Dritan Ndoci

 

05 janar 2021, 13:42