Kërko

Vatican News
Gesù Vangelo della IV Domenica 'B' Gesù Vangelo della IV Domenica 'B' 

Fjala e Zotit e Dielës së 4-të gjatë vitit kishtar ‘B’

Menjëherë pas thirrjes së katër peshkatarëve, Jezusi shkon bashkë me ta në sinagogën e Kafarnaumit dhe fillon të mësojë popullin. Marku thotë se njerëzit ishin të “mahnitur” nga mësimi i tij dhe vë në dukje autoritetin e Jezusit, përkundrejt mungesës së autoritetit të skribëve. Mësimi i Jezusit zhvillohet brenda kontekstit judaik dhe është vazhdimisht në kundërthënie me mësimin e skribëve dhe të farisenjve. Por, Biri i Hyjit nuk ka ardhur për të kundërshtuar skribët dhe farisenjtë. Ai ka ardhur për të mundur tunduesin, që e mundon njeriun.

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj here do të dëgjojmë dhe meditojmë së bashku Fjalën e Zotit të dielës së 4-të gjatë vitit kishtar, ciklit të dytë, sipas kalendarit liturgjik.

Fjala e Zotit e dieles se 4 gjate vitit B

Leximet biblike të kësaj së diele, janë një vështrim i thellë mbi figurën dhe veprën shpёrimpruese tё Jezu Krishtit. 

Leximi I nga Libri i Ligjit të përtërirë apo Deuteronomia (Lp 18,15-20) na rrëfen premtimin e Hyjit dhёnё popullit tё zgjedhur përmes gojës së Moisiut, se Ai nuk do ta lë popullin e vet kurrë pa profetin e tij, pa zëdhënësit e tij. Kështu, Moisiu paralajmëron se:“Hyji do të zgjojë një profet, Atë dëgjojeni”. “Do të ngre ndër ta një profet e në gojën e tij do t’i vë fjalët e mia”. Moisiu, pra, e nxit popullin e Izraelit të mos bie pre e profetëve të rremë, që aso kohe nuk mungonin, dhe e fton popullin ta dëgjojë të dërguarin e Hyjit. Me fjalë tjera, këtu kemi premtimin e dёrgimit tё Mesisë, premtim që do të realizohet plotësisht në Jezu Krishtin.

Në Leximin II, nga Letra e parë e Shёn Palit drejtuar Korintianëve (1Kor 7,32-35), apostulli paraqet arsyet e një jete të pastër, virgjërore kushtuar Zotit, krahas jetës bashkëshortore, jetës martesore.

Ungjilli i kësaj së diele nga Marku (Mk 1,21-18) na paraqet Jezusin si shpëtimtarin që ka ardhur ndër ne, dhe na përshkruan një ditë të jetës së tij në mesin e njerëzve, pikërisht në fillim të veprimtarisë së tij publike, duke predikuar Fjalën e Hyjit e shëruar të sëmurët e të pushtuarit nga djalli. 

Menjëherë pas thirrjes së katër peshkatarëve, Jezusi shkon bashkë me ta në sinagogën e Kafarnaumit dhe fillon të mësojë popullin Marku thotë se njerëzit ishin të “mahnitur” nga mësimi i tij dhe vë në dukje autoritetin e Jezusit, përkundrejt mungesës së autoritetit të skribëve. Mësimi i Jezusit zhvillohet, përgjatë gjithë tregimit ungjillor, brenda kontekstit judaik dhe është vazhdimisht në kundërthënie me mësimin e skribëve dhe të farisenjve. Por, Biri i Hyjit nuk ka ardhur për të kundërshtuar skribët dhe farisenjtë. Ai ka ardhur për të mundur tunduesin, që e mundon njeriun.

Shpirti i papastër e njeh Jezusin, prandaj i thotë: “Çfarë ke me ne?”, “Erdhe për të na rrënuar”, “e dimë kush je: shenjti i Hyjit”. Jezusi është Zoti prandaj pushteti dhe autoriteti, të cilin të gjithë e vënë re dhe për të cilin mahniten, është pushtet dhe autoritet mbi të keqen, që i mundon njerëzit. Me këtë pushtet i drejtohet munduesit të njeriut dhe i thotë: “hesht!” dhe “dil!”. Pushteti i Jezusit është i themeluar mbi shenjtërinë e tij: “E dimë kush je: shenjti i Hyjit”. Udha e Jezusit mes njerëzve është udha e shenjtërimit. Kudo ku kalon ai, “i urdhëron shpirtrat e papastër dhe ata i binden”.

Jezusi nuk ecën mes mëkatarëve me frikën se ata mund ta bëjnë të papastër, siç ndodhte me skribët dhe farisenjtë, por me sigurinë e shenjtërisë, që i pastron “të papastrit”. Ajo që e dallon Jezusin nga skribët është pikërisht pushteti i tij mbi mëkatin dhe të keqen. Ky pushtet i mahnit njerëzit, të cilët e vënë re se ai sjell një “mësim të ri”.

“Mësimi i ri”, për të cilin flet Marku qysh në fillim të tregimit të vet, është vetë Ungjilli. Nuk është i ri vetëm nga përmbajtja, por mbi të gjitha nga personi që e sjell. Jezusi vetë është mësimi i ri, i cili mund të përvetësohet vetëm me anë të besimit. Mësimi i Jezusit merret duke u njohur me Jezusin, duke e ndjekur, duke e lejuar të të flasë drejtpërdrejt, duke ia rrëfyer atij dobësitë dhe dëshirat e zemrës. Kush e pranon Jezusin si mësimin e ri të Hyjit, pastrohet nga shpirti i papastër dhe hyn në mbretërinë e themeluar prej tij. Mësimi dhe mësuesi nuk janë dy realitete të ndara, por një gjë e vetme. Është më e lehtë të pranojmë Jezusin dhe pastaj të mësojmë të jetojmë sipas tij, sesa të njohim teorikisht doktrinën e Krishtit dhe pastaj ta pranojmë si Zotin tonë. Ungjilli nënvizon se Fjala e Hyjit duhet të zërë vendin e parë në jetën e të krishterit.

                                                               Liturgjia e Fjalës së Zotit

Leximi i parë (Lp 18, 15-20) Do të ngre ndër ta një profet e në gojën e tij do t’i vë fjalët e mia

Lexim prej Librit të Ligjit të përtërirë
Mojsiu foli e tha: “Profet siç jam unë, do të zgjojë Zoti, Hyji juaj, në popullin tënd, prej vëllezërve të tu, atë dëgjoje! Mu ashtu siç kërkove prej Zotit, Hyjit tënd, në malin Horeb, kur qe bërë tubimi i përgjithshëm e kur the: ‘Nuk dua më ta dëgjoj zërin e Zotit, Hujit tim, dhe nuk dua ta shikoj më atë zjarr të madh, që të mos vdes.’ Atëherë Zoti më tha: “’Folën krejtësisht me vend. Do të ngreh ndër ta, prej vëllezërve të tyre, një profet të ngjashëm me ty. Në gojën e tij do t’i vë fjalët e mia dhe ai do t’u flasë gjithçka unë kam për t’i urdhëruar atij. Ai që s’ka për t’i dëgjuar fjalët e mia që ai do t’i flasë në emrin tim, atë do ta ndëshkoj. Kurse profeti që do të kishte guximin të fliste, i tradhtuar prej pacipjes, në emrin tim, çka unë nuk i urdhërova të flasë, ose flet në emër të hyjnive të huaja, le të vritet”. Fjala e Zotit!

Psalmi 95 (94)
Ref. Bëj, o Zot, që ta dëgjojmë zërin tënd

Ejani t’i këndojmë Zotit,
T’i brohoritim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T’i dalim para me falënderje,
T’i këndojmë këngë hareje!
___________
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij,
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullotës së tij, grigja që ai e ruan.
___________
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij:
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
Porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,
Kur etërit tuaj më vunë në sprovë:
Më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.”

Leximi i dytë (1 Kor 7, 32-35) Virgjëreshat kujdesen për punët e Zotit, për të qenë të shenjta.

Lexim prej Letrës së parë të shën Palit apostull drejtuar Korintasve
Vëllezër, dëshira ime është që të mos keni kokëçarje. I pamartuari kujdeset për punët e Zotit: si t’i pëlqejë Zotit. Përkundrazi, i martuari kujdeset për punët e shekullit, që t’i pëlqejë gruas dhe është i ndarë. Po edhe gruaja e pamartuar dhe virgjëresha kujdeset për punët e Zotit, që të jetë e shenjtë me trup e me shpirt; kurse e martuara kujdeset për punët e shekullit, si t’i pëlqej burrit. Këto po ju them për të mirën tuaj, jo për t’ju vënë ndonjë lak, por që të jetoni në mënyrë më të përshtatshme – krejtësisht të përqendruar në shërbimin e Zotit. Fjala e Zotit!

Aleluja, Aleluja

Profet i madh u duk ndër ne! Hyji e pa popullin e vet!
Aleluja, Aleluja

UNGJILLI (Mk 1, 21-28) I mësonte sikurse ai që ka pushtet.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Markut
Arritën në Kafarnaum. Menjëherë, të shtunën, Jezusi hyri në sinagogë dhe filloi të mësojë. Njerëzit mbetën të habitur nga mësimi i tij, sepse i mësonte si ai që ka autoritet e jo porsi skribët.
Shi atëherë ishte në sinagogën e tyre një njeri i pushtuar prej Shpirtit të ndytë dhe bërtiti: “Çka ke me ne, o Jezu Nazareni? A erdhe të na zhbish? Unë e di kush je: Shenjti i Hyjit!”
Jezusi iu kërcënua: “Hesht dhe dil prej tij!”
Shpirti i ndytë, si e përplasi pa mëshirë dhe si lëshoi një britmë të madhe, doli prej tij. Të gjithë u tmerruan dhe i thoshin njëri-tjetrit: Ç’u bë kështu!? Ja, një mësim i ri i pajisur me pushtet! Ky u urdhëroka deri edhe shpirtrave të ndytë dhe ata po e dëgjokan!”
E menjëherë u hap zëri për të gjithkund në katër anët e krahinës së Galilesë. Fjala e Zotit!

Homelia nga dom Dritan Ndoci, e diela 4 gjate Vitit Kishtar 'B'

Homelia nga Dom Dritan Ndoci, famullitar në Rranxa-Bushat,  krydioqeza e Shkodër-Pultit: E DIELA IV GJATË VITIT 'B' 

JA NJË MËSIM I RI, I PAJISUR ME PUSHTET (Lp 18, 15-20; Ps 94 (93); 1 Kor 7, 32-35; Mk1, 21-28)

Në leximin e parë sot tregohet se si populli i Izraelit shpreh një dëshirë e cila e ngacmon habinë tonë: «Nuk dua më ta dëgjoj më zërin e Zotit, Hyjit tim, dhe nuk dua ta shikoj më atë zjarr të madh, që të mos vdes».

 

Këto fjalë populli i thotë pasi kishte parë se ç’kishte ndodhur pranë malit Sion. Zoti kishte porositur që askush të mos i afrohej malit përveç Moisiut. Megjithatë, dikush nga populli, guxoi të afrohej dhe mbeti i vdekur në vend, vdekje e cila shkaktoi shumë frikë në të gjithë.

Shpeshherë në Besëlidhjen e Vjetër thuhet se, kur dikush kishe ndonjë vegim, e mbuonte fytyrën e vet që të mos shikonte, duke qenë se kishte frikë se mos do të vdiste. Ishte bindja se, kush sheh Hyjin, vdes. Ashtu bëri edhe Moisiu kur Hyji i foli tek kaçuba e ndezur.

Ajo që na bën përshtypje te leximi i sotëm, është edhe fakti se Hyji vetë e pranon këtë kërkesë të popullit.

Por ç’ndodh? Ai premton se do të ngrejë një profet tjetër porsi Moisiun, në gojën e të cilit do të vendosë fjalën e Tij: «Do të ngre ndër ta, prej vëllezërve të tyre, një profet të ngjashëm me ty».

Një profet i ngjashëm me Moisiun! Mund ta imagjinojmë pritjen e madhe të Izraelit: kur do të vijë ai që do ta ketë në gojën e vet fjalët e Zotit, porsi Moisiu që mori nga Zoti Ligjin, domethënë Fjalën e Jetës? Kur do të dalë prej këtij populli ai që do ta ketë një autoritet të tillë të dhënë nga Hyji? Këtë e shpresonte ai që dëshironte ta dëgjonte fjalën e Hyjit, por s’mund të pretendonte t’i fliste Hyji pikërisht atij, sepse kishte frikë se mos do të vdiste.

Në përfundim të Ligjit të Përtërirë thuhet se «kurrë më në Izrael nuk doli një profet i ngjashëm me Moisiun». Kjo pjesë është shkruar shumë vjet pas ngjarjeve për të cilat flitet. Do të thotë se ende Izraeli po priste «Profetin». Sa herë që në Izrael dilte dikush me aftësi të rralla apo të mbinatyrshme, patjetër populli duhet të ketë pyetur: «A mos është ky Profeti?», siç pyetën një herë edhe Gjon Pagëzuesin.

Vetëm kështu mund ta kuptojmë përse në Ungjillin e sotëm thuhet se ata që po e dëgjonin Jezusin «mrekulloheshin». Mrekulloheshin sepse Jezusi nuk fliste porsi skribët e tyre, por fliste «si ai që ka autoritet». Mrekulloheshin sepse kur skribët e tyre flisnin, ata duhej që domosdoshmërisht ta mbështesnin fjalën e tyre mbi autoritetin e dikujt tjetër. Ndërsa Jezusi nuk bënte ashtu.

Ungjilli i sotëm, që është nga Ungjilli sipas Shën Markut, nuk na e tregon përmbajtjen e asaj që Jezusi duhet të ketë thënë atë ditë, por mjafton të shohim se si Jezusi flet në Ungjillin e Shën Mateut, tek fjalimi mbi mal, që të kuptojmë mënyrën e veçantë në të cilën Jezusi shprehej.: «Keni dëgjuar se që thënë... . E unë po ju them... .»

Skribët duhej të citonin të tjerët: Moisiun, profetët apo Mësuesit e ndryshëm të Ligjit që kishte njohur dikur Izraeli. Edhe ata, nga ana e tyre, kishin cituar vetëm e vetëm Fjalën e Hyjit. Ungjilli, duke thënë se Jezusi «fliste si ai që ka autoritet», është duke na thënë se të pranishëmve u dukej sikur përballë kishin dikë që ia lejont vetes të mos e mbështesë mësimin e vet mbi autoritetin e Moisiut apo të ndonjë profeti, por mbi veten e vet. Jezusi nuk citon fjalët e Hyjit, por flet si Hyji. E, në fakt, ashtu ishte: ishte vetë Ai që Moisiut dikur i dha Ligjin e që dikur foli nëpërmjet profetëve. Atë ditë, pikërisht ai po fliste në mesin e tyre.

Me këtë gjest, Jezusi duket sikur dëshiron t’ua kujtojë se jo vetëm që është plotësuar premtimi i Hyjit në Ligjin e Përtërirë, i thënë nëpërmjet Moisiut, por edhe më tepër: Vetë Hyji tashmë po fliste. Duke takuar Jezu Krishtin, ne takojmë Hyjin e gjallë e të vërtetë. Ai na e zbulon fytyrën e vërtetë të Hyjit Trini, të Hyjit Dashuri. Ai flet e ne mund ta dëgjojmë, mund ta prekim, mund të rrimë me të e të mos vdesim.

Ky autoritet Hyjnor që Jezusi e bën të vetin, vërtetohet edhe nga lirimi që Ai i bëri njeriut të djallosur që atë ditë gjendej në sinagogë. Pikërisht mënyra se si ndodhi ky ekzorçizëm është pjesa më interesante.

Ishte tashmë traditë që në popullin e Izraelit të bëheshin ekzorçizma për dëbimin e djallit, por ato ishin lutje të drejtuara Hyjit nga disa njerëz të përshpirtshëm. Jezusi këtu nuk bën lutje, por jep urdhër. Izraelitët i luteshin Hyjit të Gjithëpushtetshëm që të ushtronte pushtetin e Tij, kurse Jezusi ushtronte pushtetin e Vet. Mund ta imagjinojmë lehtë se izraelitët në lutjet e tyre mund të kenë thënë: «O Hyj, bëje të dalë prej këtij njeriu ky shpirt i ndytë», por Jezusi i urdhëron shpirtit të ndytë «Hesht dhe dil prej tij!» S’ka nevojë t’i drejtohet Hyjit, sepse Ai vetë është Hyj.

Prandaj edhe njerëzit thonë në fund me plot habi: «Ja, një mësim i ri, i pajisur me pushtet!» Si të thoshin: «Ja një mësim që ka në vetvete një autoritet Hyjnor e që është i shoqëruar nga një veprim i cili gjithashtu ka në vetvete një autoritet që vetëm Hyji mund ta ketë».

Kështu, Hyji i gjallë e i vërtetë, po fliste e po vepronte në mesin e popullit të vet.

Aty ku ushtrohet autoriteti e pushteti i ëmbël i Jezu Krishtit, Birit të Hyjit, djalli, rebeli i hershëm, nuk ka më vend. Nuk ka më vend për shpirtin e keq te njeriu që është i mrekulluar nga fjalët që dalin prej gojës së Jezusit, Zotit të gjallë që flet.

Por kur ndodh e kundërta, pra kur njeriu nuk e dëgjon me fe të gjallë fjalën e Jezusit, atëherë djalli është si në shtëpinë e vet. Jo me të gjithë ata që jetojnë ëndshëm në mëkate, djalli përdor pushtimin edhe fizik të tij. Nuk e përdor sepse është inteligjent dhe mendon se është më mirë të mos e bëjë të kuptueshme praninë e tij, me qëllim që njeriu të jetojë larg Zotit.

Djalli është vërtetë si në shtëpinë e vet kur një njeri bie kollaj pré e tundimeve të tija, kur njeriu s’e ka problem nëse nuk lutet kurrë, nëse nuk merr pjesë në Meshën e së dielës apo të festave, nëse nuk rrëfehet, nëse nuk e lexon asnjëherë Biblën, nëse një çift bashkëjeton pa sakramentin e martesës, nëse dikush manipulon ligjet për të krijuar kultura kundër moralit të shëndoshë njerëzor, nëse dikush mbanë brenda vetes urrejtjen për tjetrin dhe vazhdon të jetë e keqja e tjetrit apo thjesht kur nuk përpiqet të jetë e mira e tij, etj. Këtu djalli është vërtet si në shtëpinë e vet. Imagjinoni sikur njeriu të ketë një stil jete si ajo që përshkruam: a nuk i ngjanë djallit, atij që nk e do as Zotin e as njerëzit?

Një ekzorçist një herë shkruante se, gjatë një ekzorçizmi, e kishte pyetur djallin: «Përse nuk shkon të pushtosh ata që merren me sakrilegjin e riteve satanike?» E djalli i ishte përgjigjur: «Po ç’leverdi kam t’i pushtoj? Ata gjithsesi janë të mitë». Mund të jemi të djallit edhe pa qenë pushtuar prej tij. Madje shumë më shumë.

Por është e mundur që ta lejojmë autoritetin e Jezusit të na bëjë për vete. Është e mundur gjithmonë. Nëse besojmë, Jezusi mund ta ushtrojë autoritetin e pushtetin e vet mbi të Keqin e të na bëjë të jetojmë si bijtë e bijat e Zotit.

Është e mundur që ne ta jetojmë porosinë që Shën Pali na e jep sot: «Të jeni krejtësisht të përqëndruar në Zotin!» Kur ndodh kjo? Kur e lëmë veten të joshemi nga Jezusi, Hyj i vërtetë e njeri i vërtetë.

Dom Dritan Ndoci

30 janar 2021, 08:53