Kërko

 Presuli della Conferenza episcopale delle Filippine, in visita ad limina Apostolorum, 2019.05.20 Presuli della Conferenza episcopale delle Filippine, in visita ad limina Apostolorum, 2019.05.20 

Filipine, plenarja e ipeshkvijve. Papa Françesku: bamirësi e krijimtari

Në një mesazh nxitja e Papёs Françesku drejtuar Konferencës sё Ipeshkvijve tё Filipineve (CBCP), që mblidhet në Asamblenë Plenare tё 121-tё në mënyrë virtuale deri më 27 janar.

R.SH. - Vatikan

Vazhdoni në përpjekjen tuaj duke dëshmuar konkretisht "bamirësinë ungjillore", veçanërisht tani, në mes të pandemisë së koronavirusit: kjo nxitja e Papёs Françesku drejtuar Konferencën sё Ipeshkvijve tё Kishës katolike tё Filipineve (CBCP), në një mesazh që iu dërgua prelatëve me rastin e Asamblesë së tyre tё 121-të Plenare, e cila u hap sot në modalitetin virtual. Emergjenca pandemike e shkaktuar nga Covid-19, në fakt, nuk lejon zhvillimin e mbledhjes me pjesëmarrje personale tё ipeshkvijve.

Teksti papnor - njofton faqja zyrtare e Konferencës Ipeshkёvnore tё Filipineve (CBCP) - u lexua nga Nunci Apostolik i vendit, Imzot Charles Brown. Në mesazhin e tij, Papa Françesku uron që ky takim i ipeshkvijve të çojë në njё "shprehje më krijuese" në veprimtarinë e përditshme baritore, në mënyrë që Kisha Katolike e Filipineve të njihet si "shtëpi me dyer të hapura, qё ofron shpresë e forcë atyre që vuajnё dhe të gjithë atyre që kërkojnë një jetë më njerëzore dhe plot dinjitet”. Së fundi, Papa bekon të gjithë anëtarët e Konferencës Ipeshkёvnore tё Filipineve (CBCP) e ripohon mbështetjen e tij ndaj misionit tё tyre.

Nё program sot e nesër, ekskluzivisht nëpërmjet internetit, punimet e Plenares sё Konferencës Ipeshkёvnore tё Filipineve (CBCP) drejtohen nga presidenti i saj, Kryeipeshkvi i Davao, Imzot Romulo Valles. Përveç temës së pandemisë së koronavirusit, e cila në Filipine ka shkaktuar më shumë se 515 mijë infektime e mbi 10 mijë tё vdekur, në rendin e ditës sё Konferencës sё ipeshkёvijve ёshtё edhe një vlerësim i përgjithshëm i tajfuneve dramatike, si Hayan dhe Vamco, që kanë goditur vendin aziatik gjatë vitit 2020. Ipeshkvijtë filipinё do të diskutojnë edhe rreth kremtimeve për 500-vjetorin e mbërritjes së krishterimit në Filipine. Fillimisht të programuara për vitin 2021, kremtimet u shtynë për në prill tё vitit 2022 për shkak të emergjencës shëndetësore.

27 janar 2021, 09:29