Kërko

Vatican News
Adorazione dei Magi Adorazione dei Magi 

Festa e Dëftimit të Zotit - festa e 'Ujit të Bekuar'

Drita që në Krishtlindje shkëlqeu gjatë natës, duke ndriçuar Shpellën e Betlehemit, ku qëndrojnë në adhurim Maria, Jozefi e barinjtë, shkëlqen sërish e u dëftohet të gjithëve. Njerëzimi, pra ne, simbolizohet nga tre Dijetarët që arrijnë te Krishti Fëmijë pas një shtegtimi të gjatë. Me këtë kremtim Kisha përkujton ardhjen e tre Mbretërve Dijetarë në Shpellën e Betlehemit e momentin e adhurimit të Foshnjës Hyjnore nga ana e tyre.

R.SH. - Vatikan

Kisha katolike e ritit romak, më 6 janar, kremton festën e Dëftimit të Zotit, festë që ndër shqiptarët katolikë njihet si festa e ‘Ujit të Bekuar’.

Në festën e Epifanisë, në të cilën kremtojmë Dëftimin e Zotit të gjithë njerëzve, kremtimi i Krishtlindjes nuk është vetëm një kujtim, por është sidomos e në rend të parë mister; nuk është vetëm përkujtim, por edhe prani e Hyjit. Drita që në Krishtlindje shkëlqeu gjatë natës, duke ndriçuar Shpellën e Betlehemit, ku qëndrojnë në adhurim të heshtur Maria, Jozefi e barinjtë,  shkëlqen sërish e u dëftohet të gjithëve. Njerëzimi, pra ne, simbolizohemi nga tre Dijetarët që arrijnë te Krishti Fëmijë pas një shtegtimi të gjatë.

Dymijë vjet më vonë, mund të shohim në figurat e Dijetarëve një lloj paraqitje simbolike të këtyre tri përmasave të njerëzimit bashkëkohor: përmasën politike, atë shkencore dhe atë fetare. Festa e Dëftimit të Zotit na i shfaq në “shtegtim”, pra në atë kërkim, që e ka pikën e mbërritjes te Krishti. Kështu, me këtë kremtim Kisha përkujton ardhjen e tre Mbretërve Dijetarë në Shpellën e Betlehemit e momentin e adhurimit të Foshnjës Hyjnore nga ana e tyre.

Melkiori, Baltasari e Gaspri u nisën në kërkim të diçkaje për t’u siguruar se intuita e tyre shkencore qe e drejtë. Sipas tyre, ngjarja qiellore që vunë re, ylli kometë që ndoqën ishte shenjë lajmesh të mira. Nuk e dinin Dijetarët se kurioziteti i tyre do t’i çonte para Birit të Zotit, para Foshnjës Hyjnore. Në Jerusalem njerëzit u shqetësuan: kush janë këta të tre e ku shkojnë? Herodi u terrorizua: pra profecitë e vjetra që ai vetë i konsideronte përralla po u realizokan! Mesia do t’i marrë vendin, Zotin e paska konkurrent? Meshtarët e Tempullit e skribët e dinë vendin ku do të lindë Mesia, por kontrollojnë më kot Shkrimet: nuk do të dalin nga pallatet për ta verifikuar profecinë.

Të mbetur vetëm, Mbretërit Dijetarë, paganë e pa Zot, ndjekin kometën e mbërrijnë para shën Marisë e Birit të saj. Kërkonin përgjigje për teoritë e tyre dhe gjejnë Zotin. Festa e Dëftimit të Zotit është për të gjithë ju që kërkoni Zotin në jetën e përditshme, duke bërë punë të tjera, në dukje jo aq të rëndësishme, festa e Dëftimit të Zotit është festa juaj, është festa jonë. Është festa e të gjithë atyre që nëpërmjet artit, shkencës, filozofisë e jetës së përditshme i bëjnë pyetje vetes e përpiqen të kapërcejnë kufizimet e teorive e mendimet e ndryshime. Mbretërit Dijetarë njohin në të Foshnjën e sapolindur e të brishtë Zotin e panjohur për ta, dhe i ofrojnë kem Mbretit, i ofrojnë ar –shenja e kundërshtive që zbulon zemrat e secilit, dhe i ofrojnë mirrë që përdorej për të vdekurit, si shenjë e kryqit që ishte në jetën e Jezu Krishtit.

Mbeten në hije pallatet e pushtetit në Jerusalem, ku lajmi mbi lindjen e Mesisë çohet paradoksalisht nga vetë Mbretërit Dijetarë, dhe sjell jo gëzim, por frikë dhe reagime të urrejtshme. Plan i mistershëm hyjnor: “drita erdhi në botë, por njerëzit preferuan errësirën ndaj dritës, sepse veprat e tyre janë të këqija.

Mbretërit Dijetarë janë paria e popujve, të thirrur edhe ata që të bëjnë pjesë në Kishë, janë populli i ri i Zotit, bazuar tashmë vetëm te besimi i përbashkët në Jezusin, Bir i Zotit. Në festën e Dëftimit të Zotit edhe njëherë ripohohet rëndësia e të “Dëftuarit të Zotit” Mbretërve Dijetarë, shenjë e kthimit të popujve paganë në besimin e vërtetë në një Zot të vetëm.

Dëftimi i Krishtit është prandaj në të njëjtën kohë edhe dëftim i Kishës, pra i të shfaqurit e thirrjes dhe të misionit të saj të universal: dëshmimin e Dashurisë së Krishtit ndaj çdo njeriu e çdo populli.

06 janar 2021, 09:34