Kërko

Vatican News
Reparto Covid-19 San Filippo Neri a Roma Reparto Covid-19 San Filippo Neri a Roma  (ANSA)

Dita e të sëmurit: kujdesi i krishterë dhe terapia e afërsisë

Afërsia me njeriun që vuan është një nga fytyrat e dashurisë së krishterë. Vëllai Carlo Mangione, rregulltar kamilian, kometon Mesazhin për Ditën Botërore, që kremtohet më 11 shkurt: Papa Françesku na kujton se të ecësh në rrugën e shenjtërimit, do të thotë edhe të qëndrosh pranë vëllait të sëmurë.

R.SH. - Vatikan

Tema e Ditës botërore të të sëmurit frymëzohet nga fjalët e Ungjillit, me të cilat Jezusi "kritikon hipokrizinë e atyre, që thonë, por nuk  bëjnë”. Mesazhi i Papës Françesku kujton se nuk duhet rënë në kurthin e hipokrizisë. E këtë e thekson edhe fratel Carlo Mangione, drejtor i përgjithshëm i spitalit “Shën Maria e Mëshirës” në Casoria, provincë e Napolit. “Nganjëherë - kujton duke folur në Vatican News - mendohet  se bamirësia është vetëm përmasë shoqërore, vetëm filantropi. Domethënë, vetëm ta ndihmosh sadopak të afërmin. “Papa - shpjegon rregulltari kamilian - kujton se angazhimi ynë i parë si të pagëzuar, është të shenjtërohemi, të bëjmë të gjitha përpjekjet e mundshme për t’i ngjarë Krishtit. Nuk duhet ta rrezikojmë veten - siç na e kujton Papa - të mbyllim sytë para nevojave të tjetrit”.

Papa i kundërvihet çdo lloj hipokrizie e kërkon marrëdhënie personale me të sëmurët

“Besoj se ky është rreziku që na këcënon gjithnjë. Po si mund t’i kundërvihemi hipokrizisë? Papa na kujton se ta luftosh hipokrizinë do të thotë të rrish pranë vëllait a motrës, që vuan. E propozon edhe terapinë: të ndalesh, ta dëgjosh të sëmurin, të krijosh lidhje të drejtpërdrejtë e personale me të. Kjo “të rrish pranë”, na kujton menjëherë figurën e Marisë tek këmbët e kryqit.  E edhe Krishtin, që rri me apostujt në mes të turmave. I krishteri, kur ndodhet para të sëmurit, duhet të ndalohet. Të ndalohesh është koncept shumë i rëndësishëm sepse, shpesh herë, nxitemi më shumë të bëjmë, të vrapojmë. E nuk kujtohemi fare se tjetri emocionohet e edhe më shpesh, nuk e vërejmë atë, që i sëmuri nuk na e thotë. Dashuri e vërtetë e krishterë është t’u përgjigjesh jo vetëm kërkesave që na bën i sëmuri, por edhe, e sidomos, atyre, që nuk na i bën”.

Atëhere është me rëndësi të dorës së parë terapia e afërsisë. Me rëndësi t’i rrish te koka të sëmurit. Na e kujton edhe Papa në messazh, duke u nisur nga përvoja e përditshme ndër spitale…

“Për shembull, Papa Françesku kujton edhe të sëmurët me Covid. E qartë se nuk është vetëm sëmundja, që e trazon të sëmurin. E trazon edhe më shumë vetmia. Ndjen një vuajtje të dyfishtë: vuan se është larg familjes, ashtu si vuan, sepse familja është larg tij. Ndjehet atëhere nevoja për afërsinë e punonjësve të shëndetësisë e edhe të botës së vullnetariatit. Në këtë kohë jo vetëm të sëmurët me Covid jetojnë një përvojë tronditëse. Por edhe sistemi kombëtar që, duke u kujdesur për këta të sëmurë, i harron disa të tjerë.

Domethënë harrohen sëmundjet, që nuk kanë të bëjnë me Covidin, gjë që mund të çojë, pastaj, në përfundime dramatike…

“Kjo vërehet statistikisht: për shembull, sëmundjet e zemrës e onkologjiket  e pamjekuara thellohen më tej. Këtu dëgjojmë përsëri zërin e Papës, që flet për rrugët politike, për administrimin e burimeve në mënyrë të drejtë, duke u siguruar asistencë edhe të varfërve. Është e nevojshme - kujton Papa - një politikë, që ka formën e bamirësisë”.

Në mesazh, Papa kujton se pandemia bëri të dalin në pah “shumë pabarazi të sistemeve shëndetësore e edhe shumë mungesa në asistencën e të sëmurëve”. Por Françesku nënvizon, më pas, se pandemia vuri në dukje edhe përkushtimin dhe bujarinë e punonjësve të shëndetësisë, të vullnetarëve e vullnetareve, të priftërinjve, rregulltarëve e rregulltareve”. 

“Ky përkushtim i punonjësve të shëndetësisë dhe i baritorëve është i zakonshëm, i pranishëm 365 ditë mbi 365. Është e qartë se pandemia, duke pasur parasysh edhe rrezikshmërinë, vdekshmërinë dhe infektimin, e vuri më shumë në pah këtë bujari. Mendoj për shumë institute rregulltare që i kushtohen asistencës të të sëmurëve, e mendoj për gjithë botën kamiliane. Sa e sa punonjës shëndetësorë e jetuan kushtin e katërt, pa e pasë bërë! Besoj se në një situatë si pandemia nuk mund të improvizohet. Po të mos ishte ky përkushtim i përditshëm, sot nuk mund të “improvizoheshin heronj”. Hero nuk bëhesh menjëherë. Është shumë i bukur ky rivlerësim i figurave të shëndetësisë e të vullnetariatit. Figura që, në të përditshmen e tyre, e jetojnë gjithnjë këtë përmasë heroizmi”.

Marrëdhënia me të sëmurin - shkruan Françesku – e gjen burimin e forcës së pashterrshme në dashurinë e Krishtit, siç e dëshmon përvoja mijëravjeçare e burrave dhe e grave, që u shenjtëruan duke u shërbyer të sëmurëve…Si Samaritani i mirë…

“Kjo është shumë e bukur, sepse ka të bëjë drejtpërdrejt me Urdhërin tonë. Mendoj se Shën Kamili e shumë shenjtorë të bamirësisë u shenjtëruan përmes shërbimit ndaj të sëmurëve. Më duket e rëndësishme, sepse nganjëherë mendohet që bamirësia është përmasë vetëm shoqërore, thjesht filantropi, ndihmë ndaj tjetrit. Po Papa Françesku na kujton se angazhimi ynë i parë, si të pagëzuar, është  të shenjtërohemi, të bëjmë të gjitha përpjekjet e mundshme, për të qenë si Jezusi, që na dha shembullin, duke u bërë i afërt me të sëmurët e të varfërit. Papa flet pikërisht për shembullin e shenjtorëve që, si Jezusi, krijuan lidhje të ngushta ndërpersonale me të sëmurët. Shën Kamili thoshte se do të dëshironte të kishte 100 krahë, për të lehtësuar vuajtjen e të sëmurëve. Sot këta 100 krahë janë ata të punonjësve të shëndetësisë”.

13 janar 2021, 13:31