Kërko

Davos, Turkson: vaksinë për të gjithë, por edhe tokë, shtëpi e punë

Prefekti i Dikasterit vatikanas për Zhvillimin Njerëzor, kardinali Peter Turkson, foli në Forumin Ekonomik të Davosit, që po mbahet virtualisht nga qyteti zviceran. Pandemia e Covid-19, që e ka tronditur planetin, e bën solidaritetin të domosdoshëm: “Kur flasim për dinjitetin e njeriut, nuk mund të bëjmë kompromise”, vërejti ai

R.SH. - Vatikan

Ka një botë, që mund të kërkojë t’i bien ushqimet në shtëpi, duke shmangur kështu, rrezikun e grumbullimit të njerëzve në të njëjtin vend, por ka edhe një botë tjetër që, nëse dëshiron të hajë, duhet ta gjejë vetë ushqimin, shpesh, në vende ku nuk sigurohet distancimi. Ka një botë me shtëpi të sigurt, ku mund ta ruajë familjen nga koronavirusi e ka një botë tjetër që, ose nuk ka shtëpi, ose nuk ka punën, e cila do t’i lejonte ta paguante një strehë mbi krye.

Covid, “të zbulojmë terapi alternative”

Është pikërisht kjo e fundit, bota e varfërisë, me barrën e pandemisë mbi shpinën e vet, ajo që kardinali Peter Turkson përvijoi në fjalët e tij para pjesëmarrësve në Forumin prestigjioz të Davosit, që sivjet mbahet në formën virtuale. Një botë, ku trajtimi kundër koronavirusit e ajo “vaksinë për të gjithë”, përsëritur shpesh nga Papa Françesku e theksuar edhe në Forum nga prefekti i Dikasterit vatikanas për Zhvillimin Njerëzor, mbetet ende ëndërr. “Po shohim se qeveritë përqendrohen vetëm tek njerëzit e tyre e pastaj, tek të tjerët”, denoncoi kardinali, i cili iu përgjigj një sërë pyetjesh. “Disa vende e kanë kapacitetin për të prodhuar barna dhe nëse do të lehtësoheshin rregullat e pronësisë intelektuale, mund t’i prodhonin ilaçet lokalisht”, duke e pakësuar ndikimin e Covid-19. Tashmë, virusi ka ndryshuar e variantet e tjera, si ai i Afrikës së Jugut për shembull, janë tejet shqetësuese. Nëse ndokush gjen “terapi alternative”, pohoi kardinali Turkson, “mund të ndihmojë në përballimin e emergjencës dhe në uljen e vdekshmërisë”.

Grupet e lëvizjeve popullore

 Çështja e vaksinës është përparësi në këtë gjendje globale, por jo e vetmja. Kardinali kërkoi të bëhet ç’është e mundur për të ndalur varfërinë, para se edhe ajo të bëhet “virale”. Falë Komisionit Covid-19 të themeluar nga Papa, Selia e Shenjtë ka aktivizuar një grup ekspertësh, me detyrën për të studiuar gjithçka po ndodh dhe për të propozuar risi në të ardhmen. “Për disa kohë - shpjegon prefekti i Vatikanit - kemi qenë të impenjuar me grupet e lëvizjeve popullore. Identifikuam tri zona kryesore: toka, puna dhe shtëpia. Këto tre objektiva janë ato, që po ndjekim tani për t’u siguruar njerëzve një vend për të fjetur, e, si rrjedhim, edhe për të mbrojtur familjen, sigurinë dhe mirëqenien e saj”.

Solidariteti na bën vëllezër

Kjo përpjekje – që Papa e kërkon, duke iu drejtuar prej kohësh ndërgjegjes së asaj bote, e cila i ka mjetet e nevojshme - është e mundur nëse mbështetet mbi një vlerë të qartë: “centraliteti i njeriut”. “Kur flasim për dinjitetin e njeriut, nuk mund të bëjmë kompromis dhe duhet ta mbështesim”, theksoi kardinali Turkson. Është çështje vëmendjeje, që kthehet në vendim politik e në veprim. “Të përpiqemi të krijojmë një platformë me politika ekonomike shoqërore”, në gjendje “të krijojnë përkujdesje për të gjithë, sepse familja njerëzore është një familje e vetme e ndërlidhur”. E praktika e solidaritetit, e “përkujdesjes”, përfundoi kardinali, është ajo, që krijon dhe përhap “vëllazërimin njerëzor”.

29 janar 2021, 16:52