Kërko

Vatican News
MIgrantë sirianë MIgrantë sirianë 

Czerny: ardhmëria i përket vetëm kulturës mikpritëse

Në blogun e ri të International Catholic Migration Commission botohet reflektimi i nën-sekretarit të Seksionit të Dikasterit për Shërbimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor.

R. SH. - Vatikan

“Enciklika e re e Papës Françesku Fratelli tutti lidhet drejtpërdrejt me gëzimet e shpresat, trishtimet e ankthet e migrantëve, refugjatëve dhe të të gjithë njerëzve, që enden pa strehë nëpër botë e shtypen nën thundrën e përdhunës. Zemra e Enciklikës është “thirrja për më shumë vëllazërim e më shumë miqësi shoqërore ndërmjet gjithë popujve e mbarë kombeve”. Kështu shkruan kardinali Michael Czerny, nën-sekretar i Seksionit Migrantët, pranë Dikasterit për Shërbimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor, në blogun e posalindur të International Catholic Migration Commission. Në reflektimin e Hirësisë së Tij, titulluar “Fratelli tutti dhe plaga e të shpërngulurve”, rikujtohen fragmentet më të rëndësishme të dokumentit, thirrjet për “vëllazërim të përzemërt, krijimin e mundësive për t’u njohur, për ta vlerësuar njëri-tjetrin e për ta dashur çdo njeri, pavarësisht nga afërsia a largësia fizike e pa marrë parasysh vendin e botës ku lindi a strehën nën të cilën banon!”.

E drejta për jetë dinjitoze

Sipas kardinalit Czerny “çdo njeri ka të drejtë për jetë dinjitoze, ashtu si për zhvillimin e gjithanshëm në vendin ku u lind. Kjo mund të realizohet vetëm nëse mbarë bota do ta marrë mbi vete përgjegjësinë për ta siguruar këtë të drejtë kaq të dëshiruar. E drejta për jetë dinjitoze nuk mund të sigurohet nëse shtetet më të varfëra nuk ndihmohen për t’u zhvilluar. Investimet, të cilat u nevojiten, nuk kanë të bëjnë vetëm me zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, por edhe, e kryesisht, me luftën  kundër varfërisë, urisë, sëmundjes, zvetënimit ambiental e ndryshimeve klimatike.

Të mirëpresësh, të mbrosh, të promovosh, të integrosh!

Nën-sekretari i Seksionit të Dikasterit për Shërbimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor kujton, më pas, përgjigjen e përshtatshme morale, që u duhet dhënë të gjithë atyre, të cilët detyrohen të ikin e që mund të përmblidhet në katër folje aktive: “Të mirëpresësh, të mbrosh, të promovosh, të integrosh!”. Ndërkaq migrantët e refugjatët ndeshin  pengesa të panumrta gjatë shtegtimit të tyre, në kërkim të një jete më të mirë, larg urisë, luftës, mohimit të të drejtave më fillestare. E këto pengesa  s’janë tjetër, veçse “bij” të mendësisë ksenofobe, që ushqen frikë, ankth e shpesh, edhe urrjejtje kundër të huajit, gjë që nuk përkon aspak me krishterimin.

Të shumta, mënyrat për t’i hapur portat

Duke ndjekur vijat udhëheqëse të Enciklikës, kardinali Michael Czerny, tregon disa mënyra për t’ua hapur portat atyre, që ikin nga krizat humanitare e bëhen të afërmit tanë të rinj. Ndërmjet tyre, shtimi dhe lehtësimi i dhënies së vizave, adoptimi i programeve të patronazhit privat e komunitar, hapja e korridoreve humanitare për refugjatët më të ligshtë dhe sigurimi i banesave të përshtatshme. Themelore edhe t’u garantohet siguria personale, shërbimet kryesore dhe drejtësia. Pa harruar këtu, lirinë e lëvizjes dhe mundësinë për të punuar, mbrojtjen e të miturve dhe sigurimin  e shkollimit të tyre.

Përpjekje e përbashkët

Fratelli tutti - vë në dukje Hirësia e Tij -  pohon qartë se Shtetet e veçanta, duke vepruar për llogari të vet, nuk mund të gjejnë rrugëzgjidhje të përshtatshme. “Duhet një përpjekje e përqendruar në nivel global, si Global Compact, për një Migracion të Sigurt, të organizuar e të Rregullt, mbajtur më 2018, që përgjigjet të mund të jenë gjithnjë fryt i një pune të përbashkët e të mund të vënë në jetë ligjshmëri (governance) globale për migracionet.

Dhurata e takimit ndërmjet kulturave

Kardinali, në reflektimin e tij, kujtoi se vetë Papa e quan “dhuratë” takimin ndërmjet kulturave, si takimi që buron nga migrimi. “Takim që mund të  ndikojë për pasurimin reciprok”. E si shembull konkret Papa kujton pasurimin kulturor që sjellin migrimet e latinëve në SHBA-të e migrimi italian në vendin e tij të origjinës, Argjentinë.

Bujari pa interes

“Por reciprociteti i përfitimeve - vijon - nuk përfaqëson gjithë realitetin, e aq më pak, atë themelor”. Duhet të përpiqemi t’ua hapim zemrën të tjerëve, me atë shpirt bujar, që Papa Françesku e quan aftësi për të bërë ca gjëra  të mira, pa shpresuar ndonjë rezultat, pa pritur ndonjë ndryshim të menjëhershëm.

Kulturë, që ka të ardhshme

“Vetëm një kulturë, që i mirëpret pa asnjë interes të tjerët, ka të ardhme” - përfundon kardinali Michael Czerny. “Kjo është ardhmëria jonë e duhet ndarë me nevojtarët, duke përfshirë migrantët e refugjatët. T’ia vëmë mirë veshin thirrjes së Papës Françesku për ndërtimin e një bote më të drejtë, më njerëzore e më vëllazërore, të themeluar mbi dashurisë edhe pasurimin reciprok, e jo mbi dyshimin e indiferencën e akullt”.

Në blogun e International Catholic Migration Commission botohen analiza, komente, opinione e reflektime kushtuar kësaj teme. Për t’u thelluar në të e për të njohur mendimet e ndryshme, lexoni:   https://www.icmc.net/newsroom/blog

15 janar 2021, 11:56