Caccia: përballë sfidave të planetit duhet të jemi të bashkuar
R.SH. - Vatikan
Bashkësia ndërkombëtare duhet të përballet me shumë sfida: luftëra, terrorizëm, varfëri, migracion. E mbi gjithçka shtrihet hija e pandemisë së koronavirusit. Por, sipas kryeipeshkvit Gabriele Giordano Caccia, vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shenjtë në Kombet e Bashkuara në Nju Jork, ka një mënyrë për t’i përballuar më mirë këto problematika: uniteti dhe bashkëndarja. Prelati u prit, dje paradite(11 janar), në audiencë nga Papa Françesku e në fund të takimit, dha një intervistë për Vatican News, në të cilën komenton keqësimin e të drejtave të njeriut dhe shtimin e dallimeve shoqërore në botë, për shkak të emergjencës shëndetësore:
Shumë shpesh, në kohë të vështira, hasim në përpjekjen për t’u mbyllur, që të shpëtojmë. Gjithkush mendon se mund të gjejë zgjidhje, duke jetuar në botën e tij të vogël, duke mbrojtur veten, por bota na bën të kuptojmë se zgjidhjet duhen kërkuar e gjetur së bashku, sepse bota është gjithnjë e më shumë një realitet i madh unik. Shtatëdhjetë e pesë vjet më parë patëm luftën botërore e në fund të saj, u kuptua se ndjekja e interesave nacionaliste, ose e atyre të disa vendeve të vetme, nuk mund të çonte shumë larg, prandaj, u themeluan Kombet e Bashkuara. Besoj se edhe kjo krizë do të na bëjë të kuptojmë se së bashku gjejmë udhë më afatgjata për zgjidhjen e problemeve të të gjithëve.
Pikërisht OKB-së, ju i kërkuat me forcë anulimin e borxhit të jashtëm të vendeve më të varfra. Kjo është udha, sipas jush?
Sigurisht. Ka shenja inkurajuese. Si fillim, patëm shtyrjen e pagesës së këstit. Është njëra nga rrugët, jo e vetmja, por sidomos në kohë emergjence, duhen marrë masa, që janë të vlefshme të paktën për atë periudhë e pastaj, të gjenden zgjidhje më afatgjata.
Lufta dhe terrorizmi vazhdojnë akoma dramatikisht në shumë anë të botës. Në intervistën e tij për televizionin italian Canale 5, Papa iu kthye kësaj çështjeje me shqetësim. Cilat janë hapat për përballimin e kësaj “lufte botërore pjesë-pjesë”?
Fillimisht duhet thënë se kur nisi pandemia, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së i kërkoi bashkësisë ndërkombëtare dhe gjithë botës armëpushimin global. Me të e bashkoi zërin edhe Ati i Shenjtë, sepse në një kohë të tillë krize, gjithnjë e më shumë, ndërgjegjësohemi se nuk ka kuptim të shpenzosh energji për gjithçka që nuk është bukë, që nuk është shëndet, por për diçka që shkatërron. Shumë u bashkuan me këtë thirrje, por ajo duhet ndjekur, përmes ndërmjetësimit e dialogut, në mënyrë që nisma të konsolidohet e, shpresojmë, të arrihet edhe zgjidhja e këtyre konflikteve.
Sipas jush, a janë rënduar vështirësitë globale të sotme edhe nga ajo, që përkufizohet si “krizë e sistemeve demokratike”?
Besoj se çdo sistem ka anët pozitive dhe dobësitë e tij. Asgjë nuk duhet konsideruar si e fituar një herë e përgjithmonë. Ka kushte, që bëjnë të mundur një zhvillim më të mirë të gjithanshëm, por njeriu gjithmonë duhet të ketë edukatën e paqes, të kujdesit për tjetrin, të pjesëmarrjes në veprimtaritë e botës, të bashkëpunimit. Kjo është ftesa e Papës në Enciklikën “Fratelli tutti”, nevoja për ta ndryshuar mënyrën si i shikojmë gjërat. Vetëm me një perspektivë më të gjerë, mund të gjenden udhë konkrete, përndryshe mbetemi pengje të një logjike të destinuar të dështojë.
Një temë tjetër, që Papa Françesku e ka për zemër, është ajo e emigrantëve, e mikpritjes dhe e integrimit të tyre të vërtetë në shoqëri. Çfarë mund të bëhet, sidomos në këtë situatë pandemie, që po e ndërlikon gjithçka?
Sigurisht, është problem, që prek fuqimisht Italinë, por edhe shumë vende të tjera në botë, si në Amerikë, ashtu edhe në Azi, prandaj, është vërtet një problem global. Mendoj se një qëndrim afërsie, mikpritës - i cili natyrisht duhet të vihet në jetë sipas aftësive, qeverive, ose tipit të njerëzve - do të mundësonte gjetjen e zgjidhjeve origjinale. Për Italinë, për shembull, korridori humanitar, i hapur me bashkëpunimin e Bashkësisë së Shën Egjidit, të bashkësisë luterane e të shtetit italian, është formë e re, zbatuar me krijimtari. Ka shumë mënyra realizimi. E rëndësishme është të ekzistojë dëshira e vullneti për ta trajtuar këtë problem, duke marrë parasysh jo vetëm shifrat, që shkaktojnë frikë, por edhe emrat. Pas çdo emri ka një histori, ka ngjarje; pas çdo emri është njeriu, vëllai a motra e jo vetëm një numër.