Kërko

Ambasadori i Uruguay-t Guzman Carriquiry Lecour paraqet  Letrat Kredenciale Ambasadori i Uruguay-t Guzman Carriquiry Lecour paraqet Letrat Kredenciale  

Ambasadori Carriquiry nis shërbimin në Vatikan

Me paraqitjen e letrave kredenciale Papës dhe me bisedimet në Sekretarinë e Shtetit, filloi misioni i juristit uraguajan, që e kaloi pjesën kryesore të jetës së tij në Vatikan.

R. SH. - Vatikan

Është, pa dyshim, fytyra më e njohur në Kurien Romake, ku erdhi për herë të parë kur ishte Papë Pali VI. Guzmán Carriquiry Lecour, jurist uruguajan, korrikun e kaluar u emërua ambasador i vendit të tij pranë Selisë së Shenjtë. E sot, 9 janar, e nisi zyrtarisht misionin diplomatik, duke dorëzuar në duart e Papës Françesku letrat kredenciale e duke u takuar, më pas, edhe me Sekretarin e Shtetit, kardinalin Pietro Parolin.

Jurist i mirënjohur e autor i librave të ndryshëm, Carriquiry nisi të bashkëpunojë me Selinë e Shenjtë në fillim të viteve ’70. Në vitin 1974, me ftesën e  Pali VI, ishte anëtar i Këshillit Papnor per Laikët e, më 1977,  u emërua kryetar zyre. Gjon Pali II e emëroi zëvendës-sekretar të këtij dikasteri.  Më 2005 u konfirmua përsëri në këtë detyrë, nga Papa Benedikti XVI, i cili në vitin 2011 i besoi detyrën e sekretarit të Komisionit Papnor për Amerikën Latine, organizëm që, së bashku me Kongregatën për Ipeshkvijtë e me Papën, koordinon veprimtaritë e Selisë së Shenjtë në Amerikën Latine. Prej shumë vitesh mik personal i kryeipeshkvit Jorge Mario Bergoglio, më 2 maj 2014 u ngarkua nga Papa Françesku me detyrën e sekretarit të të njëjtit komision. Ishte laiku i parë, që zinte një vend të këtij niveli në një dikaster të Kuries Romake.

Mori pjesë, si specialist, në takimet e përgjithshme të Sinodit të Ipeshkvijve që nga viti 1974 e qe këshilltar në asambletë e përgjithshme të Konferencave Ipeshkvnore të Amerikës Latine e të Karaibeve (CELAM): në Puebla më 1979, në Santo Domingo më 1992 e në Aparesida, më 2007. Ishte delegat i Selisë së Shenjtë në konferenca të ndryshme ndërkombëtare të OKB-së. Mori pjesë në shumë kuvende të organizatave kishtare ndërkombëtare e qe vazhdimisht i ftuar edhe ndër konferenca të organizuara nga organe kishtare në Amerikën Latine. Nga 1984 u aktivizua në Ditët Botërore të Rinisë, themeluar nga Gjon Pali, besuar nga Këshilli i asokoshëm Papnor për Laikët.

 

09 janar 2021, 14:18